-U tha në Tetovë me rastin e shpalosjes së pllakës përkujtimore në shtëpinë e shkrimtarit, në shenjë nderimi nga qytetarët e Tetovës për kontributin e madh të tij në fushën e letërsisë
Ditë më parë në praninë e kryetarit të komunës së Tetovës, z. Bilall Kasamit, miqve e familjarëve, u bë shpalosja e pllakës përkujtimore e shkrimtarit të mirënjohur me përmasa kombëtare Murat Isaku, i cili la pas vetes një thesar veprash duke e pasuruar letërsinë tonë me vlera të mirëfillta arti.
Siç mësojmë, me rastin e këtij akti komuna dhe qyteti i Tetovës, nderoi përmes kësaj pllake edhe njëherë shkrimtarin e vet, që në letrat e tija e bëri të pavdekshme jetën e njerëzve të kësaj ane përmes shumë personazheve dhe peripecive të tyre jetësore. Me këtë rast, në aktin solemn u tha se Murat Isaku ishte një shkrimtar i madh i kulturës shqiptare i cili përmes shkrimeve të shumta si shkrimtar, poet e publicist bëri që të ngritjen edhe vet vlerat kulturore të qytetit të Tetovës me rrethinë. Me këtë rast gjithashtu u tha se ngjarjet e tilla si kjo janë shumë të rëndësishme edhe për faktin se duke i kthyer figurave të shquara të artit e kulturës së kësaj ane sado pak iu dalim borxh të gjithë atyre që kontribuuan për këtë qytet me rrethinë e më gjerë.
Në pika të shkurtra me pak rreshta për jetën dhe veprën e shkrimtarit :
Murat Isaku lindi në Gajre të Tetovës më 1928, vdiq në moshën 77 vjeçare në Tetovë në vitin 2005. Mësoi në Tetovë, Elbasan, Prishtinë, Prizren, maturën e mbaroi në Normalen e Gjakovës, studimet e larta për gjuhën dhe letërsinë i mbaroi në Beograd më 1953. Punoi si profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin e Tetovës dhe më tej u emërua zv. drejtor i kësaj shkolle. Duhet theksuar se u caktua redaktor i TV Shkupit për emisionet e gjuhës shqipe nga edhe u pensionua.
Tituj të veprave
- Zani i malit(1960)
- Buzëqeshjet e mesditës(1963)
- Drithmat(1975)
- Blana(1982)
- Unaza e djerrinës(1971)
- Gërsheti(1978)
- Sheshtina(1982)
- Dielli e din rrugën e vet(1965)
- Flaka e vonar(1973)
- Plagët(1975)
- Etje(1982)
- Damkat(1986)
- Shtjella(1989)
- Gjaku i sharraxhive (në vazhdime në Flaka e vëllazërimit)
- Ngushëllimi i Bukur
- Fatprerët