Shkolla Shqipe në Zvicër hap klasën e saj, në Siebnen të Kantonit të Schwyz-it!

Të hënën e kaluar, më 22 nëntor 2021, Ditën e  Alfabetit, qyteza Siebnen në Kantonin e Shwyz-it kishte festë të dyfishtë. Festën e Alfabetit shqip dhe hapjen e shkollës shqipe.  “Shkolla Shqipe” në Zvicër hapi dyert e shkollës së saj duke ju bërë ftesë prindërve shqiptarë që t`i dërgojnë fëmijët e tyre për ta mësuar gjuhën amtare. Dhe natyrisht gëzimi ishte i papërshkrueshëm.

Nxënësit e shkollës shqipe në Siebnen, të Kantonit Schwyz, së bashku me mësuesen e tyre Shkurte Kamberin dhe koordinatorin e shkollave shqipe në Zvicër Vaxhid Sejdiun, në një moment të veçantë, ku pas mbarimit të mësimit bënë dhe një fotografi të përbashkët.  

 Shkolla Shqipe në Zvicër, ashtu siç kishin paralajmëruar prindërit, mësuesit dhe koordinatori i saj, mësuesi Vaxhid Sejdiu, do të vazhdojnë përpjekjet e tyre në hapjen e shkollave të tjera. Dhe një gjë e tillë po bëhet realitet nga java në javë. Dhjetëra e dhjetëra shkolla janë hapur deri më tani si dhe dhjetëra të tjera janë në rrugë të mbarë që të hapen në javët në vazhdim. Prandaj prindër të nderuar shpejtoni që t`i regjistroni fëmijët tuaj. Shkolla Shqipe në Zvicër, tani më shtrihet në mbarë Zvicrën, duke punuar me përkushtim prindër dhe mësues. Adresa kontaktuese është Vaxhid Sejdiu, tel. 0041 76 321 26 94 apo në emal adresën: vaxhid_sejdiu@hotmail.com

Në “Shkollën shqipe” në Siebnen kishte festë, festë të gjuhës dhe shkollës shqipe. A ka gëzim të madh se kjo buzëqeshje e këtyre nxënësve të cilët sapo filluan mësimet në gjuhën amtare.  

Fillimi ishte i mbarë, prindër të cilët kishin ardhur me dëshirën më të madhe që t`i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe e begatuan edhe më shumë mbrëmjen festive në Siebnen të Kantonit Schwyz të Zvicrës.  Fakt është se “Shkolla shqipe” në Zvicër tani më është realitet, i cili po mbështet me të madhe nga prindërit shqiptarë. Tridhjetë e dy nxënës, të gjithë fillestarë, që për herë të parë ulen në bankat shkollore për ta mësuar gjuhën shqipe që nga java e parë, ky është  lajm mbi te gjitha lajmet.

Suksese nxënës të dashur “Shkolla Shqipe në Zvicër” krenohet me ju. Ju jeni e ardhmja  e gjuhës shqipe.