Shkolla “Naim Frashëri” në Pazar të Ri, ktheu besimin për origjinën shqiptare (17)

 

 Në vitin 1941, ndër punët më të lavdërueshme të kryetarit të Misionit të Arsimit në Prefekturën e Mitrovicës, Dr. Rexhep Krasniqit, dhe drejtorit e udhëheqësit të arsimit, Bedri Gjinajt, ka qenë hapja e shkollave në nënprefekturën e Pazarit të Ri që ishte krahina më e veçuar nga Mitrovica, ku popullata shqiptare kishte filluar të harrojë gjuhën amtare.- Për këtë vazhdim e falënderoj Kryetarin e Shoqatës Kosova për Sanxhakun, Ismet Azizi, që më dërgoj ca fragmente nga libri i tij “Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri”

 Nga Ismet Azizi, kryetar i Shoqatës Kosova për Sanxhakun

Në vitin 1941, Rexhep Krasniqi emërohet komisar i lartë i shkollave shqipe në Kosovë. Pas formimit të Misionit Arsimor, Dr. Rexhep Krasniqi, bashkë me anëtarët e Misionit Arsimor të Mitrovicës, vizitoi gati të gjitha vendbanimet e Qarkut të Mitrovicës dhe të nënprefekturave: Vushtrrisë, Podujevës dhe Pazarit të Ri. Pasi mori numrin e përgjithshëm të nxënësve dhe konstatoi gjendjen e objekteve shkollore, propozoi numrin e shkollave, të paraleleve si dhe të mësuesve që do të nevojiteshin. Në Qarkun e Nënprefekturës së Mitrovicës në vitin shkollor 1941/42, parashihej hapja e gjithsej 48 shkollave fillore shqipe, për të cilat nevojiteshin 104 mësues.

Popullata e këtij mjedisi ruante me fanatizëm kujtimet për origjinën e saj shqiptare

Ndër punët më të lavdërueshme të kryetarit të Misionit të Arsimit në Prefekturën e Mitrovicës, Dr. Rexhep Krasniqit, dhe drejtorit e udhëheqësit të arsimit, Bedri Gjinajt, ka qenë hapja e shkollave në nënprefekturën e Pazarit të Ri që ishte krahina më e veçuar nga Mitrovica, ku popullata shqiptare kishte filluar të harrojë gjuhën amtare. Popullata e këtij mjedisi ruante me fanatizëm kujtimet për origjinën e saj shqiptare, prandaj qysh me kohë shprehu vullnetin që ta lidhte fatin e vet me Mitrovicën dhe me trojet e tjera etnike.

Shkolla fillore shqipe në Pazar të Ri u hap me dëshirën e popullatës shqiptare e asaj myslimane dhe me ndihmën e drejtpërdrejtë të Bedri Gjinajt e Aqif Blytës. Mësues i parë i shkollës fillore në gjuhën shqipe në Pazar të Ri, e cila u pagëzua me emrin e shkrimtarit e iluministit të shquar “Naim Frashëri”, u emërua Avdi Kabashi, ndërsa më vonë kanë dhënë mësim edhe Abdullah Zajmi, Hateme Shala, Nazim Dedolli[1], Xhemaludin Ahmeti-Presheva, Avni Zajmi, Halit Gërbova Ferid Daca nga Shkodra etj. Meqë Peshteri, Senica dhe shumë fshatra krejtësisht shqiptare u shkëputën nga Pazari i Ri, ishte paraparë që shkolla shqipe të hapej vetëm në këtë qytet. Për këtë shkollë nevojiteshin 15 mësues[2].

Qëllim parësor i mësuesve shqiptarë: lufta kundër analfabetizmit dhe paditurisë

Në vitin 1941, pas kapitullimit të Jugosllavisë, në Kosovë erdhën një grup prej afro 300 mësuesish, të cilët u shpërndanë në të gjitha viset. Një numër i konsiderueshëm i tyre, siç thamë, edhe përkundër pengesave, erdhën edhe në Mitrovicë, në Vushtrri, në Podujevë dhe në Pazar të Ri. Të gjithë këta mësimdhënës punonin me përkushtim e dashuri. Ata nuk ranë nën ndikimin e ideologjisë fashiste. Pjesë përbërëse e lëvizjes së përgjithshme arsimore që u zhvillua gjatë katër vjetëve të luftës, si qëllim parësor i mësuesve shqiptarë ishte lufta kundër analfabetizmit dhe paditurisë, rritja e ndërgjegjes kombëtare dhe bashkimi i trojeve etnike. Për të shtuar afrinë dhe dashurinë në këtë mjedis, trupi arsimor i Mitrovicës, me 299 nxënës e kursistë prej 9 deri më 11 gusht 1941, vizituan Pazarin e Ri. Udhëtimi u bë kryesisht me tren por edhe me mjete tjera. Në mbrëmje të 9 gushtit 1941, nxënësit dhe mësimdhënësit e Mitrovicës u pritën ngrohtësisht nga popullata vendëse. I madh e i vogël, për t’u dëshiruar mirëseardhje, kishin dalë në rrugë, duke brohoritur e kënduar këngë patriotike. Pas përqafimeve me mall, shëtitjeve nëpër rrugët e qytetit, ku jehonte kënga e hidhej vallja shqiptare, mysafirët u shpërndanë nëpër shtëpitë e vëllezërve të tyre për të bujtur. Të nesërmen ata i priti edhe kryetari i Bashkisë Z. Aqif Blyta. Më 11 gusht 1941, nxënësit dhe mësimdhënësit nga Mitrovica u përcollën miqësisht nga vëllezërit e motrat e tyre të një gjaku. Ata u larguan me përshtypje të jashtëzakonshme. Me t’u kthyer në vendlindje, ata filluan të flasin me entuziazëm për mikpritjen dhe bujarinë e atyre njerëzve, për bukuritë natyrore, objektet kulturore etj.[3]

Mbrojtja e Pazarit, si mbrojtja e Kosovës, e Shkodrës dhe e Dibrës

Nga analiza e hartuar më 27 janar 1942, nga kryetari i Komitetit të Kosovës Bedri Pejani, lidhur me gjendjen politike në Mitrovicë, Kolashin, Pazari i Ri dhe Pejë, konstaton se:  Mbrojtja e Pazarit asht mbrojtja e Kosovës, e Shkodrës dhe e Dibrës, bile e Durrësit nga rreziku i imperializmës sllave, në qoftëse kjo imperializëmë ringjallet apo ma mirë me thanun, i gjenë dhe ji herë shtigjet e ringjalljes. Rasti që kemi në dorë asht shumë i volitshmë për t’i mbyllë koto shtigje. Nesër mund, mund të kjetë vonë dhe nuk e shpëtojmë Shqipninë t’onë nga thoit e tyne të pangjishëm. Rreziqet që na patën gjetë me 1912-16 e me 1918/21 na gjejnë prap[4].

Kompensim edhe nga Ministria e Kulturës Popullore e Mbretërisë Shqiptare

Të gjithë mësimdhënësit e shkollave shqipe të zonës gjermane i emëronte Ministria e Arsimit dhe Fesë, sektori gjerman i mësimit në Beograd. Pra, mësuesit e Prefekturës së Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar i Ri), të cilët kanë qenë me honorar, merrnin nga 1800, përkatësisht 1500 din. të qeverisë së Nediqit. Me ndërmjetësimin e Bedri Gjinajt dhe kërkesat e njëpasnjëshme të tij, Ministria e Arsimit e Tiranës të gjithë mësuesve të Qarkut të Mitrovicës për çdo muaj ua jepte edhe nga tre napolona. Kjo Ministri ua dhuroi të gjithë mësuesve edhe nga një palë rroba të bukura, ndërsa për nxënësit, meshkuj e femra, pos librave, fletoreve, lapsave e mjeteve tjera mësimore, ua siguroi falas edhe uniformat shkollore.

Deri në fund të muajit shtator 1943, financimin e mësuesve të Qarkut të Prefekturës së Mitrovicës e ka bërë edhe Ministria e Kulturës Popullore e Mbretërisë Shqiptare, kurse që nga kjo kohë e deri në fund të vitit shkollor 1943/44, për kohën që punonin, ata i shpërblente (paguante) me nga 150 franga shqiptare Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit shqiptar.

Shpërblimet që Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ua jepte mësuesve të shkollave fillore të Prefekturës së Mitrovicës, i sillte ministri i punëve të jashtme, Vehbi Frashëri, ndërsa ndarjen e tyre e bënte komisioni arsimor pranë Prefekturës së Mitrovicës në këtë përbërje: Ibrahim Lutfiu (kryetar i komisionit), prefekt i Mitrovicës, Ahmet Mustafa, referent i arsimit, Bedri Gjinaj, drejtor i shkollës fillore “Skënderbeg”, Xhemaludin Presheva, drejtor i shkollës fillore “Naim Frashëri” në Pazar të Ri, Abdullah Zajmi, mësues në Pazar të Ri, dhe Ferid Bajrami, referent i përgjithshëm i arsimit dhe inspektor i arsimit në Qarkun e Mitrovicës. Në korrik të vitit 1944, ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, Vehbi Frashëri, i kishte sjellë 27240 fr. shq. si ndihmë për mësuesit e Qarkut të Mitrovicës. Më 5 korrik 1944, komisioni arsimor në Mitrovicë, nën drejtimin e kryetarit Ibrahim Lutfiu, vendosi që secilin mësues ta shpërblejë me nga 408.40 fr. shq.

Si shkruante për Pazarin e Ri gazeta “Kosova nr. 48-50/1943?!  

Për punën dhe angazhimin e mësuesve në procesin mësimor, për vuajtjet dhe mundimet shpirtërore të atyre që kanë punuar në Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë dhe Pazar të Ri si dhe në fshatrat përreth, gazeta “Kosova nr. 48-50/1943, shkruan:“Shpërblimi që iu ka dhanë atyre, të çdo shkolle dhe grade nuk i ka kapërcye kurrë të gjashtëdhetë frangat. Të gjithë ata që njofin shtrenjtësinë e jetës ndër kushte të tashme të jashtëzakonshme, e kuptojnë mirë se me ç’vështirësi dhe pengesa kanë pasë të bajnë arsimtarët tanë tash e dy vjet e gjysmë. Ata luftëtarë të nji lufte trefish të shenjtë, kanë luftue shpeshherë deri në mungesën e elementeve ma fillestare të jetesës, ju ka mungue deri kafshata e bukës së thatë. Megjithëkëtë, ndër këto vuejtje dhe mundime shpirtnore dhe landore, zelli i tyne nuk ka pësun asnji zbritje, përpjekja e tyne nuk ka pasun asnji ndërpremje, hovi i zemrës së tyne nuk asht ndalë asnji çast. Përkundrazi, pasjoni i tyne, nji pasjon i dëlirë, nji pasjon apostolik, nji pasjon ideal i kulluet si uji i rrëmbyeshëm që djegjet nga majat e maleve të nalta të Arbënisë së pavdekshme… shpirti e ka mposhtun landën, ideali ka fitue mbi materialen, vullneti ka ngadhënjye mbi pengimet!”[5]

Gazeta “Kosova, nr. 48-50, viti 1943.

Nga libri : Azizi, Ismet (2019) Aqif Blyta: Kolosi i Pazarit të Ri, Logos-A, Shkup,ISBN 978-9989-58-782-5 faq 197-203

Cili ishte mësuesi Abdullah Zajmi, mësues i parë shqiptar në Sanxhak  

Është njëri nga veteranët e parë të arsimit shqip dhe të punës profesionale e shkencore. Shkollën fillore e kreu në Krumë të Hasit (1934), Shkollën Normale në Shkodër (1942) e Fakultetit Filozofik – Degën e gjuhës e të letërsisë shqipe në Beograd (1952). Karrierën e mësuesisë e filloi më 1942 në Prishtinë, por së shpejti nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë u dërgua në Suhodoll të Pazarit të Ri, ku punonin edhe Xhevdet Doda, Xhafer Xërxa, Xhemaludin Presheva, Hateme Shala etj.

Më 1945 u riemërua mësues në Gjilan e një vit më vonë inspektor i shkollave shqipe në Drenicë, më 1952 profesor i Shkollës Normale në Gjakovë e në Prishtinë, ku më vonë punon edhe ligjërues në Shkollën e Lartë Pedagogjike dhe Fakultetin Juridiko-Ekonomik dhe bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik, prej ku më 1982 del në pension. Gjithashtu botoi artikuj e studime në periodikun e shtypin shqiptar. Për kontributin në arsim u shpërblye e u dekorua disa herë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, dr. Sali Berisha, me Drekretin Nr.811, dt. 11 prill 1994, e dekoroi për punën në hapjen dhe përparimin e shkollave shqipe në Kosovë në periudhën 1941-1944.

 

Një rrëfim interesant nga mësuesi Abdullah Zajmi

Në Fb e portalit, Kosova për Sanxhakun – Kosovo za Sandzak- Kosovo for Sanjak, që admistrohet nga kryetari i kësaj shoqate Ismet Azi, shkëputa edhe një udhëpërshkrim të mësuesit të parë në Pazar të Ri, Abdullah Zajmi : Abdullah Zajmi (1922-2001) ishte mësues, përkthyes dhe autor librash shkollor. Më poshtë, një fragment nga autobiografia e tij.

“Ministria e Arsimit e Shqipërisë, […] me 27.X. 1942 më emëron mësues në Suhi Doll të Peshterit. Unë, as që e dija se ku ndodhej Suhi Dolli, por, për fat, në Kursin pedagogjik kisha një shok të ngushtë nga Rozhaja, të cilin e quanim ‘Boshnaku’ Shuqo. Me të shkuam në Pejë e të nesërmen u nisëm në këmbë për Rozhaje. Në mbrëmje arritëm në shtëpinë e tij. Pas dy ditësh, me një shoqërues shkova në këmbë në Tutin te Shemsedin Hadri, i cili ishte sekretar i nënprefekturës, ndërsa kryetar ishte Nexhat Begolli. Pas disa ditësh erdhi njëri nga Komuna e Suhi Dollit dhe me kuaj shkuam në Suhi Doll.  Është e pamundur të përshkruhet përshtypja që më bëri takimi me vendasit. Të gjithë ishin shqiptarë.

Më çuan në objektin që shërbente si shkollë […] Më pritnin nxënësit (nja 20-30) mashkuj, të veshur me rrobe kombëtare […] Shqipen e flisnin mirë. Pas pak erdhi sekretari i Komunës, i vetmi nëpunës i komunës. Edhe ai, si shumica e mashkujve të rritur, e kishte pushkën në krah. Në atë trevë zhvilloheshin shpesh lufta të përgjakshme në mes të partizanëve e çetnikëve, në mes të partizanëve e ushtrisë okupuese italiane, në mes të shqiptarëve (boshnakëve-muslimanëve) e çetnikëve, prandaj të gjithë ishin të armatosur e të gatshëm për tu mbrojtur.”

(1) Nazim (Hasan) Dedolli, është lindur më 1922, në Mitrovicë. Familja Dedolli ka prejardhjen nga Gjakova. Arsimin fillor e kreu në shkollën fillore serbe pran rrethit të madh të qytetit dhe afër Xhamisë së Re në Mitrovicë, e njohur tani më si “Anton Zako Çajupi”. Në fund të viteve ’30 ka kryer Gjimnazin serb në Mitrovicë, Studimet universitare i ka përfunduar në Beograd, në Shkollën e Lartë pedagogjike ne departamentin e Artit  Figurativ, në vitin 1956. Karrierën e mësuesit e ka filluar në Pazarin e Ri gjatë viteve 1942-1944, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore ka vazhduar profesionin e mësimdhënësit në Mitrovicë dhe rrethinë. Karrierën e  profesorit të artit e la përmbyllur në vitin 1972, në shkollën “Muharrem Bekteshi” (tash “Eqrem Çabej”).

[2] Veseli, A. (2003) Shkollat dhe arsimi shqip në prefekturën e Prishtinës gjatë periudhës 1941-1944.II. Gjilan.fq. 359.

[3]Hajrizi, Fazli. (2017). Rrethanat arsimore në prefekturën e Mitrovicës gjatë LDB dhe roli i Aqif Blytës në hapjen e shkollës shqipe në Pazarin e Ri.Kumtesë në konferencën shkencore të 21 janarit 2017, kushtuar përvjetorit të 72 të vrasjes se Aqif Blytës e Ahmet Dacit,mbajtur në IAP, Prishtinë

[4] Lita, Q. (2017).Tokat e liruara 1941-1944., përmbledhje dokumentesh, vëllimi i I-rë, Logos. 2016, f. 213; Hajrizi, F.(2008). Rexhep Mitrovica në Lëvizjen kombëtare, monografi. Prishtinë: Libri Shkollor, f. 181.;Tahir Zajmi: Lidhja e Dytë e Prizrenit dhe lufta heroike e popullit për mbrojtjen e Kosovës, Bruksel 1964.

( Fotot pos nga shkollat e me mësuesit e parë, disa foto me shkuarjen e shqiptarëve në krye me Shaban Polluzhen në mbrojtje të Pazarit të Ri, si dhe disa foto nga Shoqata Kosova për Sanxhakun).