Shkolla Shqipe hap dyert edhe në Vevey, të Kantonit (VD) në Zvicër!

Vazhdojnë sukseset e “Shkollës shqipe në Zvicër”, kësaj radhe ishte dita e Shkollës Shqipe në Vevey të Kantonit VD

Nxënesït  e shkollës shqipe në Vevey (VD), së bashku me mësuesen Ardita Abazin

“Shkolla Shqipe” në Zvicër vazhdon me hapjen e klasave të reja, vazhdon me këmbëngulje të punoj në rritën e numrit të shkollave, për t`iu mundësuar të gjithë atyre fëmijëve shqiptarë, që ta kenë sa më afër shkollën shqipe, me qëllim që t`i  ndjekin mësimet në gjuhën amtare.

Kësaj radhe gëzimi për shkollën shqipe ishte i pranishëm në Shkollën Shqipe në Vevey, ku nxënës, prindër, mësues dhe përfaqësues të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë ishin bashkë, në këtë ditë festive.

Vlen të përmendet se një punë tepër të vyer kishin bërë prindërit e kësaj shkolle nën drejtimin e Alban Limanit dhe Murtez Elezajt.

Së pari, të gjithë së bashku u takuan në oborrin e shkollës me qëllim të respektimit të masave kundër pandemisë dhe natyrisht për një bashkëbisedim rreth funksionimit të shkollës shqipe dhe njëherit rreth organizmit sa më të mirë të pikës shkollore në Vevey.

Nxënës, prindër dhe mësues, të gjithë së bashku në shërbim të shkollës shqipe

Fjalën e morën Dr. Vaxhid Sejdiu, mësues dhe koordinator  “Shkollës Shqipe në Zvicër”, konsulli i ambasadës shqiptare z. Valon Gashi, prindër të shkollës shqipe, në e mesin e tyre Rexhep Limani, si dhe mësuesja Ardita Abazi, e cila i njoftoi prindërit dhe vetë nxënësit për orarin mësimor dhe përgatitjet, me qëllim që shkolla shqipe të  përfshijë sa më shumë fëmijë në gjirin e saj.

Një faleminderim i veçantë iu drejtua institucioneve zvicerane të kantonit VD, si dhe vetë Drejtorisë së shkollës në Vevey.

Në pjesën e dytë, nxënësit së bashku me mësuesit hynë në klasën e shkollës shqipe, ku edhe u pajisen me tekste shkollore dhe filluan me mësimin e gjuhës shqipe nën drejtimin e mësueses Ardita Abazi.  Nuk kishte gëzim më të madhe se të shohësh buzëqeshjen e këtyre fëmijëve me librat e gjuhës shqipe në duar.

Sukses nxënës të dashur, shkolla shqipe ju dëshiron shëndet dhe suksese në shkollën shqipe dhe në shkollën zvicerane.

Shkolla shqipe Zvicër
Sektori për informim