Zvicra do zgjërojë rrjetin e SHAI në çështjet tatimore edhe me Shqipërinë

290

Qeveria e Zvicrës në mbledhjen e 7 dhjetorit 2018 ka hapur konsultimin për futjen e shkëmbimit automatik të informatave mbi kontot financiare (SHAI) me 18 shtete dhe territore tjera. Hyrja në fuqi është paraparë për 1 janar 2020, ndërsa shkëmimi i parë i të dhënave duhet të ndodhë në vitin 2021. Ky zgjerim i rrjetit të SHAI të Zvicrës merrë parasysh zhvillimet aktuale ndërkombëtare.

Në qershor të vitit 2018, OECD-ja (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) përshtasi kriteret për të përcaktuar nëse standardet ndërkombëtare për transparencën e taksave po zbatohen në mënyrë të kënaqshme. Një nga kriteret kërkon që shtetet dhe territoret e veçanta të plotësojnë rrjetin e tyre të SHAI me të gjitha shtetet partnere që shprehin një interes në SHAI dhe përmbushin kërkesat e standardit e OECD-së.
Fjala është për 18 shtete partnere të mbetura nga 107 shtetet dhe territoret e tanishme të angazhuara për zbatimin e SHAI. Me zgjerimin përkatës të rrjetit të saj të SHAI, Zvicra nënvizon se po zbaton detyrimet e saja ndërketmbëtare.

Sipas propozimit të Qeverisë Federale, rrjeti i SHAI të Zvicrës do të zgjerohet edhe me 18 shtetet dhe territoret e mëposhtme: Shqipëria, Azerbajxhani, Brunei Darussalam, Dominika, Gana, Kazakistani, Libani, Makao (Kina), Maldivet, Nigeria, Niue, Pakistani, Peru, Samoa, Sint Maarten, Trinidad dhe Tobago, Turqi dhe Vanuatu. Para një shkëmbimi fillestar të të dhënave me këto shtete partnere, Këshilli Federal përsëri do të shqyrtojë nëse ato përmbushin parakushtet e standardet e SHAI në bazë të Dekretit Federal të 6 dhjetorit 2017. Me këtë rast siguria e të dhënave dhe konfidencialiteti do të jenë në qendër të vëmendjes.

Konsultimi do të zgjat deri më 20 mars 2019. Këshilli Federal në pranverën e vitit 2019 planifikon t’i dërgojë Parlamentin rekomandimin për futjen e SHAI me këto vende partnere, thuhet në njoftimin e e Qeverisë federale të Zvicrës, përmes zëdhënsit të Departaentit financiar federal, z. Roland Meier.

Në vijim lexuesit/et e prointerga.ch do t’i informojmë në lidhje me Marrëveshjen mbi Shkëmbimin Automatik të Informatave dhe ndikimi i saj në çështjet tatimore.

Çka është dhe çka përmban SHAI?
Shkëmbimi automatik i të dhënave duhet të mënjanojë fshihjen e thesarit (pasurisë/të gjitha të ardhurave/prona e poseduar) nga bota e jashtme në bazën tatimore.
• Një masë për të luftuar fshehjen e tatimit;
• Shkëmbimi i të dhënave bankare për nevoja tatimore;
• Bankat dhe sigurimet, si dhe instrumentet tjera investuese grumbullojnë informatat financiare të klientëve, të cilët kanë obligime tatimorenë botën e jashtme.
• Shkëmbejnë në mënyrë automatike (pa kërkesë formale) të gjitha të dhënat (transaksionet) financiare (xhirollogaritë e kontove bankare) mes shteteve që i perkasin rrjetit të SHAI.

Cilat informata do të shkëmbehen?
• Emri, adresa, datëlindja, numri identifikues tatimor, (në Zvicër numri i AHV).
• Xhirollogaritë rrjedhëse, Emri dhe numri identifikues i bankës
• Gjendja e xhirollogarisë në fund të vitit
• Evidentimi i kapitalit bruto
– Me kapitalin bruto mendohet evidentimi i të gjitha vlerave dhe të hyrave e të ardhurave nga rrafshi i pasurisë lëvizëse, si fjala bie: kamatat, dividendët, të ardhurat nga kontratat e caktuara të sigurimeve, bilancet në xhirollogaritë, të ardhurat nga shitja e pasurive, etj.

Cilat janë konsekuencat për tatimpaguesit në Zvicër ?
Çdo kush që ka obligim tatimor në Zvicër, duhet medoemos që të deklarojë të ardhurat dhe pasurinë me rastin e plotësimit të formularit tatimor; kjo vlen edhe për të ardhurat dhe pasurinë në botën e jashtme;
Çdo kush që posedon një xhirollogari bankare në botën e jashtme është i prekur nga AIA.
Nga viti 2018 (në rastin e Shqipërisë nga viti 2021) autoritetet kantonale tatimore shumë më thjeshtë do të vijnë deri tek të dhënat mbi vlerat pasurore, shkaku i zbatimit të shkëmbimit automatik të informatave.

DEKLARIMI KORREKT NË ZVICËR: Duhet shënuar të gjitha!
Në deklaratën tatimore të Zvicrës duhet deklaruar:
Të ardhurat KUDO NË BOTË, p.sh:
• Të ardhurat nga marrëdhënia e punës
• Të ardhurat nga pensioni
• Të ardhurat (në xhirollogaritë bankare në botën e jashtme, të ardhurat nga patundshmëritë)
Vlerat pasurore KUDO NË BOTË, p.sh:
• Xhirollogaritë bankare
• Deponimet e letrave me vlerë
• Patundshmëritë (edhe p.sh. në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, etj.)
• Borxhet/kamatat e kredive KUDO NË BOTË

TATIMI I TË ARDHURAVE
Tatimi në vendbanim përfshin të ardhurat, si p.sh. :
• Pagat
• Pensionet
• Të ardhurat nga të gjitha pasuritë e mundshme lëvizëse (p.sh. dividendët dhe kamatat), pavarësisht se a është fjala për një bankë p.sh të Shqipërisë.
Tatimi paguhet në vendbanimin kryesor tatimor. Vendbanimi kryesor tatimor gjendet aty ku është edhe qendra e jetesës së një personi. (Përjashtim vetëm nëse është e rregulluar ndryshe me Marrëveshjen mbi shmangien e tatimit të dyfishtë. Lista e marrëveshjeve : https://www.admin.ch/opc/de/classified-compilation/0.67.html)

TATIMI I TË ARDHURAVE NË BOTËN E JASHTME
Të ardhurat në botën e jashtme, për të cilat gjithmonë do të paguhet tatimi në botën e jashtme :
• Të ardhurat nga lokalet e biznesit në botën e jashtme (qendrat)
• Të hyrat nga patundshmëritë (qiratë dhe vlera e qerasë banuese)
Këto të ardhura do të shërbejnë vetëm për të përcaktuar normën e tatimit, gjë që paraqet vettëm barrë më e lartë tatimore shkaku i progresionit, por jo edhe tatimim të dyfishtë!

TATIMI I PASURISË
Do të paguhet tatim në vendbanimin kryesor – edhe nëse gjinden fjala bie në një bankë italiane:
Pasuria lëvizëse, si p. sh.:
• Të mirat bankare
• Letrat me vlerë
• Të mirat nga huazimi
• etj.

TATIMI I PASURISË NGA PATUNDSHMËRITË
Për patundshmëritë do të paguhet tatimi në «vendin ku gjendet gjësendi», pra atje, ku gjendet patundshmëria. Mirëpo edhe në ketë rast vlen: Ndikimi tek përcaktimi i barrës në normën tatimore:
• Tek pasuria
• Tek të ardhurat (nga të hyrat e qirasë apo vlera e qirasë banesore)
– Barrë më e lartë tatimore për arsye progresioni!

TË ARDHURAT DHE PASURIA E PADEKLARUAR
Nëse zyrtarët tatimor e zbulojnë një gjë të tillë, kjo sipas legjislacionit zviceran trajtohet si evazion fiskal (fshehje e tatimit) dhe obliguesit tatimor mund të dënohet si në vijim:
– Ai/ajo duhet jo vetëm që të paguajnë tatimin e mbetur për dhjetë vitet e fundit (3 vite në rast trashëgimie të pasurisë) dhe kamatën e borxhit, por duhet të paguajnë edhe një gjobë.
– Kjo gjobë mund të jetë nga 1/3 deri në 3 x e shumës së papaguar tatimore (varësisht nga shkalla e shkeljes).

DHE NËSE PASURIA GJENDET NË NJË VEND, ME TË CILIN NUK KA SHKËMBIM INFORMATASH?
Megjithatë ju keni detyrimin e njëjtë të deklarimit, ligji është i njëjtë për të gjithë. Dhe është e mundur që në një të ardhme të afërt të ketë Marrëveshje shkëmbimi informatash me këto vende. Shumë vend e kanë deklaruar synimin e tyre për zgjerimin e Marrëveshjes mbi shkëmbimin automatik të informatave.
Kujdes: aktualisht është i/e prekur çdo kush që posedon pasuri në të ardhura dhe pronësore në njërin nga vendet e BE-së dhe vendet tjera me të cilat ekziston Marrëveshja për shkëmbim automatik të informatave. Dhe në perspektivë që të gjithë.

ÇKA NDODH, NËSE DIKUSH MERR NDIHMË SOCIALE APO TË ARDHURA SUPLEMENTARE (EL/PC) SHTESË?
Kush merr ndihmë sociale apo të ardhura suplementare (EL/PC) dhe posedon pasuri jashtë vendit, pa e deklaruar këtë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për dëbim (keqpërdorimi social), kryen vepër penale.
• Shkelja, në raste të rënda mund të dënohet me burg;
• Për njerëzit pa pasaportë zvicerane, mund të pasojë edhe dëbimi nga Zvicra.
Duket theksuar se, posedimi i pasurisë nuk domethënë automatikisht se nuk ekziston e drejta për të ardhura suplementare (EL/PC) shtesë. (Ekziston shuma e lejuar). Për të sqaruar këtë, preferohet këshillimi personal me njohësit e çështjes.

Osman Osmani, Schaffhausen, 14.12.2018

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here