Shkelje të shumta në seancën e IX-të të Kuvendit Komunal në Gjilan

Të premten, Lëvizja VETËVENDOSJE! në Gjilan, ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme, lidhur me mbarëvajtjen e seancës së IX-të të Kuvendit Komunal, e cila u mbajtë më 31 tetor. Kjo seancë duket të jetë njëra ndër më skandalozet, meqenëse gjatë saj u përfshinë shkelje të mëdha ligjore procedurale.

Kryetari i Qendrës në Gjilan dhe njëherit shefi i grupit të asambleistëve të Lëvizjes, Nevzad Isufi, ka thënë se ka një kohë të gjatë kur ne si grup kemi vërejtje serioze që ndërlidhen me mënyrën e udhëheqjes së seancave pikërisht nga kryesuesja e Kuvendit, e cila është e njëanshme, nuk i përmbahet rregullores së punës së Kuvendit, me c’rast vazhdimisht bënë edhe shkelje të kësaj rregulloreje.

“Në radhë të parë materiali nuk ka arritur me kohë. Kështu për pikën e katërt të rendit të ditës, informatë rreth gjendjes së ujit të pijshëm në komunën e Gjilanit materiali vetëm elektronik, na ka ardhur më 28 tetor, d.m.th. tri ditë para seancës. Por shkeljet më të mëdha u bënë dje në fillim të seancës, kur përkundër kërkesës së pronarëve të tokave në kampin “Montith”, kërkesë të cilën e kishin bërë edhe në KPF me prezencën fizike të përfaqësuesve të tyre, pastaj kërkesën me shkrim të dërguar në adresa elektronike kryesueses, shefave të grupeve të anëtarëve të partive politike, për ta futur në rend të ditës, por këtë nuk e bënë as edhe me kërkesën tonë si anëtarë të Kuvendit. Pra kërkesa jonë për ta futur në rend të ditës as nuk u votua, ndërkohë që nuk i dhanë asnjë përgjigje këtyre qytetarëve, pronar të tokave”, ka thënë Isufi.

Veprimet më skandaloze u bënë kur erdhi çështja e shqyrtimit të rendit të ditës, me ç’rast u propozuan që të futen në rend dite edhe tri pika të tjera siç ishin:

1. Caktimi i lokacioneve për ngritjen e shtatoreve kushtuar heronjve: Mulla Idirz Gjilanit, Agim Ramadanit dhe Abdullah Tahirit,
2. Shpallja me çmimin Heroina e 3 grave të komunës sonë,
3. Nxitjen e bashkëpunimit ndërkomunal me komunë e Parteshit në fushën e infrastrukturës ligjore.

“Gjithcka është bërë jashtëligjshëm, duke nisur nga caktimi i mbledhjeve me komisionet përkatëse që kanë të bëjnë me këto pika. Ato janë thirrë një ditë para seancës dhe atë pak orë para se të mbahej takimi. Krejt për së shpejti sa për të thënë që mbledhjen me komisionet e kemi mbajtur. Atyre nuk i është ofruar asnjë material që ndërlidhet me këto pika, njejtë sic nuk na u ofrua as neve ne Kuvendin Komunal. Ne kërkuam që të thirrej një seancë e jashtëzakonshme ku do të diskutonim vetëm për këto pika, por do të kishim të gjithë materialin e nevojshëm, në mënyrë që proceduralisht dhe ligjërisht të jemi në rregull. Por, mesa duket ata janë mësuar ti bëjnë këto shkelje vazhdimisht dhe nuk e kanë hallin aty. Halli i vetëm i tyre është të bëjnë dicka shkel e shko, sa për tu dukur në sy të tjerëve se po bëjnë dicka”, ka thënë Isufi.

Gjithashtu Lëvizja Vetëvendosje! ishte kundër dhënies në shfrytëzim të pronës komunale për OJQ-në “Don Bosko”, e cila fillimisht u provua t’i jepej për 99 vjet, më pas për 40 dhe krejt në fund ranë në 15 vjetë të dhënies në shfrytëzim. Kujtojmë se për këtë pronë kjo OJQ nuk paguan as edhe një cent për komunën, ndërkohë arsyetimet janë se ata po investojnë 1 milionë e gjysëm aty. Edhe këtu u bënë shkelje, sepse kjo pronë as nuk figuron në web-faqen zyrtare si pronë komunale e dhënë në shfrytëzim dhe as nuk është nxjerrë ndodnjëherë në ankand, për të parë nëse ka një palë të tjetër të interesuar për të. Dhe më e rëndësishmja, marrëveshja e lidhur në vitin 2012 në mes të komunës dhe kësaj OJQ-jë, është në fuqi deri në vitin 2022, ndërkohë dikujt aty i ngutej që sa më shpejtë t’ia vazhdonte marrëveshjen duke parë që rrethanat politike po ndryshojnë dukshëm dhe pas dy vitesh kjo marrëveshje e lidhur me tyre, do të dështonte.

Kjo u pa edhe me sikletin që pati shefi i grupit të LDK-së, i cili ndërhynte vazhdimisht në fjalën dhe arsyetimin e secilit asambleist me injorancë dhe naivitet duke dashur me cdo kusht të ndryshonte qëndrimet e tyre.