Artistët e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër përmes një paraqitje të denjë për respekt edhe njëherë e dëshmuan vetën në një mision sa humanitar aq edhe kombëtar, duke e fituar njëherësh edhe simpatinë e mijëra spektatorëve e mediave zvicerane
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Anëtarët e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota” në Zvicër , përmes një prezantimi me kënge e valle shqipe nga të gjitha trevat etnike, i dhanë sheshit të Parlamentit Federal (Bundesplatz ) një pamje vërtetë impozante. Jehona e këngës dhe valleve tona jo vetëm që pushtoj sheshin por edhe zemrat e artdashësve të shumtë që jetojnë në këtë pjesë të Zvicrës e më gjerë.
Aty kah ora 12 të kësaj të diele më 12 dhjetor, dhjetëra valltarë e drejtues me kostume kombëtare thuaja se nga e të gjitha trevave shqiptare, tërhoqën vëmendjen e mijëra pjesëmarrësve që kishin ardhur për të përcjell aksionin tradicional humanitar me emërtimin: „Jeder rappe zählt“ („Çdo cent vlen“ ), që zakonisht organizohet në prag të festave të fundvitit në sheshin qendror të Bernës. Në këtë manifestim ku po ashtu demonstrohen edhe zeje të vjetra apo akrobacione të ndryshme. Dje kjo i dedikohej nallbanëve, që punonin patkonj për kuaj apo edhe akrobacione të ngritjes me litar.
Ndërkaq pjesa artistike, ajo e këngëve dhe valleve, kësaj radhe i ishte dedikuar muzikës shqiptare, gjegjësisht një trupe artistike me një traditë të lakmueshme, prej më tepër se dy dekada veprimtarie të suksesshme. Në ditën djeshme, në pjesën e parë „Shota“ u paraqit me një potpuri vallesh si dhe me një këngë folklorike të kënduar nga rapsodët Isuf Rashidi dhe Memet Petrovci. Ndërkaq në pjesën e dytë „Shota“ u paraqit me një valle shqiptare dhe një zvicerane. Dhe krejt në fund një valleje të përbashkët iu bashkua edhe publiku i shumtë në sheshin e parlamentit helvetik, duke krijuar një ambient vërtetë madhështor. Për fat numri i shqiptarëve që përcollën këtë spektakël ishte tejet simbolik.
Pasi i tërë manifestimi kishte karakter humanitar edhe vetë anëtarët e “Shotës”, që edhe vetë përballen me probleme financiare iu bashkuan aksionit me një donacion prej rreth 500 frangash. Përndryshe, aksioni i djeshëm humanitar „Çdo cent vlen“ i dedikohej të rinjve brenda dhe jashtë vendit që hasin në vështirësi për të gjetur një vend në shoqëri.
Do theksuar se “Shota” tashmë ka krijuar një traditë jo vetëm fushën e kulturës por edh atë humanitare, duke e materializua këtë edhe me ngritjen e një shtëpie humanitare për një familje skamnore në komunën e Kaçanikut. Ndërsa, premtojnë që edhe vitin tjetër do të realizojnë edhe një aksion të tillë bamirësie.
Me të përfunduar të programit trupa artistike e “Shotës” u prit në Ambasadën e Republikës së Kosovës, nga zëvendësambasadori, Mustafë Xhemaili, të cilin Agron Bajrami e njoftoj me aktivitetin e shkollës së tij të vallëzimit, e sidomos me vështirësitë financiare me të cilët përballet. Me këtë rast zoti Xhemaili përgëzoi artistët për misionin e tyre sa kulturor aq edhe fisnik e kombëtar. Ai përmendi se mundësitë e ambasadës e edhe të ministrive përkatëse për të mbështet financiarisht grupet artistike në mërgatë, por tha se për aq sa është e mundshme do të mbështeten grupet, varësisht nga aktiviteti i tyre.
Ndërkaq në një lokalitet të një restoranti me pronar shqiptar, u organizua mbrëmja tradicionale e “Shotës” , ku mori pjesë edhe Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Salih Sefaj, i cili i përgëzoj artistët, drejtuesit dhe prindërit për këtë aktivitet të ngjeshur të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit në Zvicër. Me këtë rast anëtarëve më të ri dhe fëmijëve të pranishëm iu ndan edhe dhuratat e vitit të ri.
Krejt në fund duhet theksuar se prej dhjetë vitesh kjo trup artistike merr pjesë në defileun tradicional pranveror rrugëve kryesore të Cyrihut, duke u bërë kështu një përfaqësuese e denjë e kulturës shqiptare në shtetin helvetik.
( Me këtë rast përmes fotove që realizuam po japim një pamje të prezantimit të “Shotës” në Sheshin e Parlamentit Federal Zviceran)








































