Shën Marcani apo San Marzano me Arbërinë në miniaturë!

 

Në rrugëtimet me ekipin e platformës: prointegra.ch nga Zvicra, më 20 Tetor 2021 para dite u gjendem katundet e Rrethit të Kozencës:Kastërnexhi Castroregia, me lartësi më të madhe detare dhe Farnetë, një nga ngulimet më të vogla, për të  arrit në mbrëmje në qytezën më të madhe arbëreshe Shën Marcani  ( it.San Marzano di San Giuseppe), në rrethin e Torontos , ku edhe përcollëm një shfaqje të artistëve të vegjël e të nesërmen në Qendrën kulturore, përmes një makete pamë sesi janë gdhendur disa nga katundet arbëreshe.

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Thuaja se te secili ngulim  arbëresh gjen diçka të veçantë, por ajo çka është karakteristike për shumicën është se janë kryesisht të shkëputura nëpër maja malesh, ndaj edhe për të arritur në to duhet llogarit një kohë më të gjatë, pasi edhe rrugët janë të ngushta dhe me kthesa të mëdha.

Kështu na ndodhi edhe gjatë vizitës së 20 Tetorit 2021 kur deshëm të shkojmë nga ngulimet më të larta mbidetare për të arrit deri në qytetin thuaja se bregdetar,Shën Marcani

apo italisht San Marzano di San Giuseppe. Me gjithë udhëtimin prej 200 e sa kilometrash gjatë kësaj dite ia vlejti për disa arsye, sepse u gjendem në vendbanimin më të madh arbëresh përgjatë Adriatikut në Italinë e Jugut, ku ende gjallëron shqipja edhe në të folme e edhe në ruajtjen e zakoneve dhe riteve e sidomos përmes këngëve dhe valleve, pasi këtu vepron një grup shumë aktiv kulturor.

Po në mbrëmje patëm kënaqësinë të shikojmë dhe shijojmë një shfaqje simpatike të luajtur nga nxënësit e këtushëm shqiptarë që edhe përmes fjalëve edhe simboleve donin të tregonin përkatësinë e tyre etnike. Për të përcjellë këtë ngjarje kulturore krahas prindërve kishin ardhur edhe autoritetet e qytetit në mesin e tyre edhe krye bashkiaku i këtushëm.

Pasi kaluam një mbrëmje të këndshme të nesërmen i bëmë një vizitë institucioneve dhe qytezës prej rreth 9 mijë banorësh, në shoqërim të muzikantit dhe artistit, Leonardo Belvedere. Më parë vizituam qendrën kulturore arbëreshe, që ai udhëheq Leonardo i palodhshëm dhe shumë aktiv, qendër kjo që paraqet një Arbëri në miniaturë, e ku parmes një makete mund të shohësh gjitha ngulimet arbëreshe me karakteristikat e konfiguracionit, arkitekturën dhe veshjet. Më pastaj i bëmë një vizitë qytetit, ku mbetëm të mahnitur jo vetëm me pamjen e tij por edhe me sheshet e gjëra, ku në njërin nga to stolis busti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu, ku rastisi të takoj edhe një nga artistët e grupit të këtushëm folklorik që e kisha takuar dy vjet më parë në katundin Çifti / Civita gjatë Festës së Valleve.

San Marzano di San Giuseppe, ose siç njihet në arbërisht me emrin    Shën Marcani, është një qytet arbëresh në      provincën e Tarantos në Pulia dhe sot ka mbetur si i vetmi vendbanim në  mesin e 14 vendeve të themeluara, ose të rithemeluara nga shqiptarët.  Në ditët e sotme, San Marzano di San Giuseppe (Shën Marcani), së bashku me Casalvecchio di Puglia (Kazallveqi) dhe Chieuti (Qefti) janë qendrat e vetme  arbëreshe  të  krahinës  së  Puljes.

Mësojmë se Shën Marcani është një qytet i populluar nga shqiptarët në vitin 1530, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në vitin 1468.  Përndryshe në këtë qytet, ka edhe një muze të posaçëm etnografik, i cili ruan edhe sot e kësaj dite sende dhe momente të botës materiale e shpirtërore, të krijuara enkas nga familjet e hershme arbëreshe.

Në fund të këtij shënimi do theksuar edhe bujarinë e shoqëruesit tonë, mikut dhe artistit Leonardo Belvedere, i cili pasi na gostiti me kafen e mëngjesit na njoftoi edhe me dy farmaciste arbëreshe që udhëtonin mjaft gjatë për të punuar në barnatoren e këtij qyteti të madh që e ndanë Adriatiku me tokën e paraardhësve.