Egoja dhe budallepsja si vlerë

Nga Shemsije Elshani

Njëri prej instinkteve më të fuqishme të njeriut, është ai i vetëmbrojtjes. Vetëm një i çmendur mund të qëndroj pasiv para rrezikut që kërcënon ekzistencën e tij. Pushtetarët, u murr vesh, nuk janë kaq të aftë të parashohin rreziqet, andaj nuk ndërmarrin asgjë, por habit fakti që as ata që i kanë besuar fatin këtyre pushtetarëve nuk ndërmarrin asgjë; përkundrazi, i përkëdhelin, i servilosen këtij pushteti deri në përulje. Andaj me të drejtë dyshoj që pos me vetëdijen, edhe me instinktet tona, ka ndodhur diç serioze.

Njëri prej shpjegimeve më banale sipas Erich From-it, është ai se udhëheqësit politik, bëjnë sikur ndërmarrin masa efektive, të cilat u japin mundësi atyre të parandalojnë rreziqet: konferenca pa fund, takime etj. Krijojnë përshtypjen sikur ata i kuptojnë problemet dhe përpiqen ti zgjedhin në një farë mënyre. Kurse në të vërtetë nuk ndodhin fare ndryshime serioze. Kështu udhëheqësit, vënë në gjumë vetëdijen dhe dëshirën për një jetë më të mirë, të qytetarëve, duke iu krijuar përshtypjen atyre se ata i njohin të gjitha problemet dhe se janë në rrugë të drejtë për zgjidhjen e tyre.

Një tjetër shpjegim, sipas këtij autori është se ndryshimet e domosdoshme në mënyrën e të jetuarit duhet të jenë aq radikale, sa që njerëzit më parë parapëlqejnë të jetojnë nën kërcënimin e një rreziku të ardhshëm sesa të sakrifikohen sot për një ndryshim shpëtimtar.

Ndërsa një shpjegim tjetër për ndrydhjen e këtij instinkti vetëmbrojtës, sipas Erich Fromm është se egoizmi i cili lind si rezultat i sistemit, i detyron këta udhëheqës ta vënë interesin personal mbi detyrimin shoqëror.

Si ka ardhur deri te zbutja e këtij instinkti vetëmbrojtës në Kosovë?

Dhe shih ti, në Kosovë, ky interes ka arritur deri në atë shkallë sa askush më nuk habitet kur udhëheqësit politik marrin vendime që iu shërbejnë interesave të tyre personale, por që janë të dëmshme për shoqërinë dhe për qytetarët.

Një gjë është e sigurt, ata që sillen kështu, nuk arrijnë të kuptojnë kurrë që lakmia e poashtu dhe nënshtrimi i bënë njerëzit më budallenj, madje edhe atëherë kur sillen sipas interesit personal, duke u kujdesur për mirëqenien e tyre personale, të familjes së tyre dhe të të afërmve të tyre.

Kjo mënyrë sjelljeje në Kosovë gradualisht ka marr formë edhe te anëtarët e thjeshtë të shoqërisë, të cilët janë zhytur në mënyrë egoiste në problemet e tyre personale, aq sa nuk i kushtojnë fare vëmendje asgjëje që del jashtë botës së tyre të ngushtë. Kështu edhe në rrethet e caktuara shoqërore, egoizmi ka filluar të konsiderohet vlerë, ndërsa budallepsja normale.

Atëherë, nëse interesi dhe budallepsja përbëjnë bazën e moralit ekzistues, në shoqërinë aktuale, përse të presim që udhëheqësit e ardhshëm politik do të jene ndryshe (?!) thotë Erich From. Edhe ata do të jenë po kaq egoist dhe po kaq budallenj si këta të mëparshmit!

[divider]

Shemsije Elshani

Shemsie Elshani, ka lindur dhe është rritur në Therandë, ku ka mbaruar shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa Fakultetin e Stomatologjisë në Prishtinë. Viti 1981 solli ndryshime të mëdha, si në rrafshin shoqëror, ashtu edhe në atë politik të Kosovës. Ky vit me gjithë ngjarjet e mëdha që ndodhën, ndryshoi edhe jetën e Shemsies dhe të shumë shoqeve e shokëve të saj. Shemsia mbajti 1 vjet e gjysmë burg për shkak të veprimtarisë politike e patriotike. Ka bashkëvepruar me vite edhe me filozofin dhe aktivistin e mirënjohur shoqëror e kombëtar, Ukshin Hotin. Ne vitin 1996 ajo migroi në Zvicër dhe nga ajo kohe jeton në Bernë me dy fëmijët Jonin 25 dhe Dean 21, të dy studentë. Në Zvicër ajo profesionalisht u angazhua kryesisht në punë sociale të të gjitha kategorive, si dhe me përkthime gjermanisht shqip dhe serbokroatisht. Shkrimet e saja të shumta, të cilat janë vlerësuar shumë nga lexuesit, ajo i ka publikuar në portale e gazeta të ndryshme shqiptare.

Mesazhi i Shemsies është: “Profesioni sjell punë, puna sjell pavarësi, pavarësia sjell liri. Kjo vlen jo veç për gratë, por për të gjithë”.