Sharri, përgjithësisht Kosova sikur më rinon e përtërinë, thoshte Anita Take

SONY DSC

Këngëtarja e madhe shqiptare, Anita Take e cila ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare dhe u varros sot në Tiranë, viteve të fundit pushimet zakonisht i kalonte në Prevallë, ku edhe patëm edhe një ndejë familjare me te, meqë rast ajo edhe burimin e vitalitetin e lidhte me dashurinë e madhe që kishte për këngën, njerëzit dhe vendin e saj. 

 Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Sot sapo mora lajmin edhe për një ndarje të dhembshme nga një këngëtare e madhe shqiptare, Anita Take, e cila është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare, por jo edhe nga kujtesa e mijëra adhuruesve të zërit të saj, për më tepër se gjysmë shekulli.

Këtë këngëtare e zonjë të madhe më parë e kam takuar mëngjeseve të hershme përgjatë plazhit të Durrësit. Atëbotë vetëm me një përshëndetje. Ndërkaq nga viti 2010, ajo verës zakonisht i kalonte pushimet në Prevallë, në shoqërim të disa shoqeve nga Prizreni. 

Më kujtohet data 19 korriku i vitit 2010, kur me vajzën time të madhe, Afërditën i ofruam një kafe dhe ndejë në banesën ku ishim të stacionuar familjarisht. Ftesën tonë zonja Anita e priti me shumë përzemërsi, madje me te zhvillova edhe një bisedë të shkurtër, rreth karrierës së saj si këngëtare dhe për mbresat e saj në Kosovë.

Edhe një vit më vonë sërish po në Prevallë takova Anita Taken, sepse siç tha i përshtatej edhe klima e edhe bujaria dhe mikpritja e njerëzve të këtyre anëve. Thoshte se edhe si këngëtare e edhe tash në këtë moshë, sikur e ndien vetën shumë më mirë e të përtërirë, duke shtuar se si : Prevalla apo Sharri e përgjithësisht Kosova sikur e përtërinë dhe rinojnë. Ndërkaq, burimin e vitalitetin e saj që të këndonte edhe në moshë të shtyrë e lidhte me dashurinë e madhe që kishte për këngën, njerëzit dhe vendin e saj.

Gjatë këtij takimi, fati e deshi që ta kem me veti edhe kompletin e CDV- e të Vaçe Zelës, të cilën na e kishin shpërndarë në Bazel të Zvicrës gjatë një ceremonie kushtuar Vaçes dhe të ia dhuroj zonjës Anita, gjë që kjo e gëzoi shumë, pasi siç tha është shoqe dhe adhuruese e madhe e saj, si pjesë e një brezi.  Por si kundër shpërblim, më dhuroi ekzemplarin e vetëm të një CD-je me këngët e saja që më parë ua kishte dhuruar shoqeve nga Prizreni, që e shoqëronin, por atyre u premtoi se do tua sillte një tjetër.

Zonja Anita ( apo Anida, që ishte emri i saj i vërtetë), ashtu siç shquhej me zërin dhe këngët e saj përplot shpirt e melankoli, edhe në jetë ishte e afërt, modeste dhe e këndshme në bisedë. Ndaj edhe si të tillë do ta kujtojmë me të shoqen time Hamiden dhe vajzën Afërditën, duke e mbajtur në kujtesë atë takim të përzemërt thuaja se familjarë në Prevallë.

Pusho në paqe zonjë e madhe Anita Take bashkë me të madhen Vaçe, ndërsa që zëri i juaj do të jehojë në qiellin shqiptar dhe ngrohë përherë zemrat e një kombi, pjesëtarët e të cilit, kudo që të jenë, në cilëndo pikë të globit, do tu kenë në mendje e në zemër.

(Me këtë rast po jap disa nga fotot që i bëra të madhes Anita Take gjatë pushimeve në Prevallë)