Në ketë seminar, ku morën pjesë mbi 20 aktiviste e aktivistë shqiptarë të sindikatës Unia, u trajtuan temat sindikaliste dhe ato që kanë të bëjnë me shoqërinë migrante si dhe komunitetin shqiptar në Zvicër. Krahas udhëheqësit të seminarit, Hilmi Gashi, në ketë seminar kontribuuan edhe dy bashkëdrejtues të Organizatës GERMIN, Sihana Bejtullahu e Lirim Krasniqi si dhe këshilltarja juridike e sindikatës Unia për regjionin e Gjenevës, Linda Redzaj-Maliqi dhe kryetari i platformës prointegra.ch, Osman Osmani.
Me 11 e 12 mars 2023 në Flora Alpina të Viznau / LU u mbajt seminari ne gjuhën shqipe për aktivistet e aktivistët e sindikatës Unia, i organizuar dhe drejtuar nga Hilmi Gashi, drejtues i grupeve të interesit në sindikatën Unia.
Temat kryesore e seminarit dy ditor ishin:
1. Nisma popullore për natyralizim e shoqatës Aktion Vierviertel: Përmbajtja, qëllimet, mundësitë e veprimit. Roli i aktivistëve/aktivisteve gjatë mbledhjes së nënshkrimeve dhe në fushatë. Në grupet punuese un skicuan idetë konkrete për hapat vijues, si informimi dhe mobilizimi në shoqatat e migrantëve, biseda në familje, me kolege dhe kolegë të punës,
2. 14 qershori 2023: Greva e grave nëpër degë të ekonomisë private dhe roli dhe kontributi i aktivistëve / aktivisteve përgjatë mobilizimit për grevën. Edhe në këtë pikë bashkëbisedimi ishte i gjallë. U vendos që përveç pjesëmarrjes aktive të ketë shkëmbime më të shpeshta me grupet e grave në vendet amë, të cilat punojnë në barazinë gjinore. Konkretisht të bëhet një diskutim në takimin e ardhshëm të diasporës në Prishtinë të organizuar nga Germin.
3. Roli i mërgatës në fuqizimin e dialogut mes Zvicrës dhe vendeve amë, sidomos kur ndër të tjera bëhet fjalë edhe për të drejtat e tyre dhe për fuqizimin e sindikatave në Kosovë.
4. “Anëtarët bëjnë anëtarë” – me shembuj konkret dhe argumente të bazuara në sukseset dhe të arriturat sindikale të angazhohemi më shumë në rekrutimin dhe përfitimin e anëtarëve të rinj për lëvizjen sindikale.
Në përgjithësi në këtë Seminar 2 ditorë pas referateve e prezantime hyrëse u zhvilluan diskutime e bashkëbisedime dhe u punua edhe në grupe punuese, ku u shkëmbyen e dhanë ide dhe propozime konkrete e të vlefshme për angazhim në drejtim të realizimit të qëllimeve sindikaliste dhe synimeve për fuqizim e të drejtave edhe politike të migrantëve dhe pjesëtarëve të komunitetit tonë.
Seminari në gjuhën shqipe për aktivist sindikal të Unia
Seminari ne gjuhën shqipe për aktivistet e aktivistët e sindikatës Unia zakonisht mbahet çdo vit. Shkaku i pandemisë, ai nuk është zhvilluar në dy-tri vitet e fundit.
Vlerësim i meritueshëm që nderon edhe angazhimin e sindikalistëve shqiptar ne Zvicër: Në fund të seminarit, kryetar i aktivistëve të regjionit Cyrih-Shafhauzen, Xhafer Sejdiu në emër të aktivistëve sindikalist shqiptare të sindikatës Unia të Zvicrës, i dorëzoi drejtuesit të seminarit Hilmi Gashit portretin e tij, të punuar nga artisti me renome ndërkombëtare Gazmend Freitag, i cili jeton e vepron në Linz të Austrisë, e i cili portretizon personalitete të ndryshme ndër të tjera nga fusha e historisë, kulturës, artit, filantropisë, politikës dhe qytetarisë aktive. Ky vlerësim i artistit për kolegun e bashkatdhetarin tonë nga të pranishmit u prit me mirënjohje dhe u vlerësua si akt që nderon angazhimin e pjesëtarëve të komunitetit tonë në lëvizjen sindikaliste e sociale si dhe aktiv në fuqizimin e komunitetit si në raport me Zvicrën ashtu edhe me vendet amë.