Sali Bashota ndanë me lexuesit poezitë të shkruara 23 vite më parë

Profesori Universitar ka ndarë me lexuesit poezitë e tij të botuara njëzet e tri vite më parë.

Këto poezi janë shkruar para njëzet e tre viteve në Kampin e Bllacës dhe janë botuar në librin e tij “Dalje nga trishtimi” (1999).

“Borhesi ka thënë: “Kujtesa është një palimpsest”- ka cituar Bashota.

TOKË E ASKUJT
Në baltën e zezë të Bllacës
Mishin tim do ta rreshk do ta ha
Si bukën e gurtë të ndëshkimit
Në tokën e askujt
Bëhem kafshë e tmerrshme
Duke mbllaçitur lirinë
Si një kufomë të çmendur
(1 prill 1999)

LOJA E TMERRIT
Grua mbuloma kokën me batanije
Fëmijët janë zverdhur nuk do t’i çelë mëngjesi
Bllaca gjëmon kur na i zhveshin edhe ndjenjat
Ç’trishtim i tmerrshëm këput litarët e lotëve
Populli im midis dy grumbuj gjarpërinjsh këlthet
Po vdes në shkretëtirën e atdheut të vet
O Zot jam njeri i shndërruar në numër
Kur loja e tmerrit vazhdon pa pikë pa presë
(2 prill 1999)

ESHKA
Bënim shtëpiza
Si thnegla përgjakeshim
Duke i zbardhur drunjtë
Nuk kishim thikë Kosove
Për t’i prerë kujtimet
Për të bërë pak jetë në halucinacione
As eshkë për ta ndezur shpirtin
Po ajo ish vetë Lugina e Vdekjes
Gjaku dhe mishi i trupit kundërmonin
Në skenën e vuajtjes
Kur nuk udhëhiqeshim më nga instinktet
Ëndërronim tokën e varrit
A do të na mbulonte bari
Për ta ndriçuar të vërtetën
Kobin se thika shkëlqente në fyt
Lamtumira e atdheut
Zhveshte rrobën e zezë të pikëllimit
Dhe kur vinte çastndarja
Fushë e shkretë ulërinte
Po ajo ish vetë Lugina e Vdekjes
Nuk kishim thikë Kosove
Për t’i prerë kujtimet
As eshkë për ta ndezur shpirtin
As kohë për të vdekur
(4 prill 1999)

FERRI SIPAS MEJE PËR SHTATË DITË
Shpirt i tretur
Në ditën e parë
Rrapëllima e gjysmëvdekur trurin ma shpon
Ky është vetëm një akt i tragjedisë
Në ditën e dytë
Mendimet si merimangë thurin rrjetën e vet të kobit
Në tokën e gjakderdhjes grumbullohen njerëzit e gjallë
Në ditën e tretë
Bëhet karbonizimi i kufomave në errësirën e trishtueshme
Aty ndodh krimi masakra djegia e historisë kombëtare
Në ditën e katërt
Fëmija i Drenicës vdes duke thithur gjirin e përgjakur
Shpirti ndahet përgjysmë kipci ngjyroset
Me trishtimin e melankolisë
Në ditën e pestë
Emrat e fëmijëve harrohen pëlcet ndjenja e lirisë
Dënimi përbuzja varrosen në qiellin e pafund
Në ditën e gjashtë
Duar të zbrazëta shtrihen në hapësirën bosh
O Zot për një kothere bukë
Duke kërkuar lutjen e vdekjes apo ngadhënjyer mbi urinë
Në ditën e shtatë
Më nuk jam qenie njerëzore shpirt i tretur
Vetëm numër numër numër numër
(5 prill 1999)