Rrëfime nga lufta – pjesa e dytë

1
634

Nga Blerim Metaj, Burim

Blerim Metaj
Blerim Metaj

Një ditë, derisa isha duke kërkuar në tavanin e shtëpisë nëpër rreckat e vjetëruara, gjeta edhe shumë fletore të mia të shkollës, të cilat u kishin bërë ballë kohës dhe minjve të tavanit, në mesin e të cilave gjeta dhe fletë të grisura nga fletorja e shënimeve të viteve të fëmijërisë … Aq shumë më mbërthyen kujtimet dhe më kthyen mbrapa në ato vite të mbrapshta e ogurzeza, sa nganjëherë më duket sikur po i jetoj tani … Tanimë nuk po mund t’i bart me vete këto ngarkesa të një kohe pa kohë dhe vendosa t’i hedh në letër. Dua që t’ua rrëfej edhe të tjerëve ato që përjetova për ta lehtësuar edhe veten por edhe për të mos lënë që ato të harrohen fare …

Pranverë 1999… kur për herë të parë pashë me sytë e mi ushtarë të UÇK-së

… Në pranverën e ekzodit biblik nga Kosova të vitit 1999 isha 9 vjeçar! Moshë kur nuk merr shumë vesh nga ato që bëhen dhe pse bëhen rreth teje, por që ndjeheshin në tërë qenien time. Mbit ë gjitha ato që ndjeja ishte frika, një frikë e pakuptimtë dhe shumë njerëzore e atyre ditëve …

Ishte mbrëmje dhe familja ime ishte duke i shikuar lajmet në televizion, ndërsa unë bëja sikur po luaja, sikur nuk më interesonte se çfarë shikonin të tjerët në televizor, edhe pse isha bërë i tëri veshëngritur për të mësuar për ato që jetonim ne ditëve e netëve të gjata tmerri e pagjumësie…

Telefoni i shtëpisë kishte kohë që ishte shkyçur, ndërsa gjendja po keqësohej dita ditës edhe më shumë. E gjithë kjo vështirësonte komunikimin me me të afërmit tanë jashtë Kosovës, sidomos me axhallarët, prandaj edhe nuk kishim mundësi t’ju tregonim për zhvillimet që po ndodheshin në Kosovë dhe për kushtet në të cilat ishim të detyruar të jetonim.

Atë natë të zymtë e të errët trokiti dera e oborrit. Sikur në komandë shumë veta u ngritën njëherësh në këmbë, sikur të trembur vrapuan te dera të shohin kush trokiste në dyett e oborrit. Dyert e mëdha të oborrit sikur u hapën vetë, sepse daja im Zymer Zeqiraj pasi kishte trokitur kishte hyrë në oborr dhe kishte filluar t’i hapte dyert e oborrit. Me të ishte gruaja e dajës Ahmet, gruaja e dajës Demë dhe fëmijët e dajës Musë! Dikush u kishte thënë se atë natë do të shpartalloheshin pikat e UÇK-së në Banjë dhe Vrellë dhe menjëherë pastaj mund të hynin paramilitarët serbë nëpër fshatra për të terrorizuar popullatën. Prandaj të frikësuar ata kishin ardhur nga Studenica për t’u strehuar te ne. E gjithë pjesa tjetër e familjeve të dajallarëve të mi ishin bërë bashkë dhe kishin shkuar të strehoheshin te Rexhbekët.

Daja Zymer na tregoi që gjëndja po keqesohet çdo ditë e me shumë dhe se rreth Istogut po bëhëshin luftime të ashpëra. Ai thoshte se lufta mund të vie çdo moment edhe në fshatrat tona. Me këtë ai u tregonte të rriturve se edhe këtu nuk ishim të sigurt as ne e as ata.

Unë isha bërë i tëri sy e vesh, si edhe të tjerët. Por nuk arrija të kuptoja saktësisht se pse duhej të vinin edhe në fshatrat tona dhe pse nuk qenkemi të sigurt te ne, përderisa baba dhe gjyshi na thoshin çdo ditë të mos kemi frikë se deri tek ne nuk do vinin paramilitarët e as ushtria…

… për herë të parë pashë me sytë e mi ushtarë të UÇK-së!

E mbaj mend si sot se si këto mendimet e mia i ndërpreu trishtueshëm trokitja në xhamin e sallonit ku ishim duke ndejtur të gjithë kokë më kokë. Trokitja na trembi të gjithë dhe ashtu të frikësuar dolëm të gjithë në dritare! Ishin momente që nuk di t’i shpjegoj dot ndenjat jo vetëm të miat, por edhe të të tjerëve. Nga një frikë e trishtueshme, përnjëherë të gjithë u qelën në fytyrë dhe një lehtësim, kur panë dy veta të veshur në Uniformen e UÇK-së! Ishte djali i axhës së nënës time, Shefqeti, si dhe kusheriri i nënës Halil Nura. Ky ishte momenti kur unë shihja për herë të parë ushtarë të UÇK-së të veshur me uniforma ushtarake!

Edhe pse i vogël, po ndjeja krenari shumë të madhe, sa më dukej se rrënqethjet më shkonin në tërë trupin deri mbi kokë nga emocionet e mira kur e shihja dajën tim e kusheririn e nënës me ato uniforma aq të bukura e që po u rrinin aq mirë. Me fëmijët çdo ditë flisnim për ushtarët e UÇK-së, edhe pse nuk i kishim parë asnjëherë. Flitej se ata ishin trima të mëdhenj, nuk kishin frikë nga askush, as nga ushtria serbe e as nga paramilitarët që vrisnin njerëz e kallnin shtëpitë e shqiptarëve. Flitej se ata ishin të armatosur me armë automatike, etj. etj. Prandaj në ato çaste, që ata i kisha aq afër, nuk dëshiroja asgjë tjetër, pos të bëhesha edhe unë si ata dhe të shkoja bashkë me ata. Në kokë më shkonin si nëpër filma parakalimet ushtarake e në mesin e paradës edhe unë i armatosur me pushkë automatike.

Në ato momente me kujtohet që e kam pyetur dajën Shefqet:

“A keni edhe më shumë ushtarë, kështu si ju?”

“Po, – me tha daja Shefqet – të gjithë dajtë e tu kanë veshur uniformën e UÇK-së dhe janë armatosur. Prandaj mos keni frikë, se na keni neve!”

M’u hjek frika si me dorë, dhe isha shumë i lumtur në ato momente që shihja dy ushtarë të vërtetë dhe sidomos se ata ishin dajtë i mi. Ata kishin ardhur për t’i marrë dajën Zymer me gruan e dajës Ahmet, gruan e dajës Demë dhe fëmijët e dajës Musë, që ishin larguar nga shtëpitë e tyre nga frika!

Sapo ata shkuan, atë natë, kur u dëgjua një e bërtitur e Zojës (gruas së axhës së babës tim):

“Kukuuu, janë duke ardhur shkijet në Kaliçan!!! Hypni në katin e dytë! – tha ajo, – dhe shikoni tanket që po vijnë!!”

Me të shpejt u ngjitëm të gjithë në katin e dytë. I fikëm tëgjitha dritat e shtëpisë dhe shkuam nga ana ku shihej rruga kryesore afër shkollës. Çfarë të shihnim?! Rruga ishte nxirë nga tanket dhe “pragat”, siç u thoshin autoblindave, duke mbushur hapësirën me zhurmë shurdhuese, zhurmë e cila të fuste frikën në palcë! Kjo zhurmë e asaj nate të zezë skëterrë në katin e dytë të shtëpisë më përcjell edhe sot e kësaj dite, thuase po ndodhë tani.

Deria ishim strukur pranë njëri tjetrit, dhe ashtu të ngjeshur me njëri tjetrin nga frika, Zoja e ndezi një qiri, por gjyshi im i bërtiti:

“Fike atë qiri, se kur të shohin dritën këtu mund të na gjuajnë!”

Pastaj gjyshi vrapoi dhe e mbylli derën e oborrit. Paramilitarët serbë sapo ishin futur në fshat me tanket dhe autoblindat e tyre! Nga zhurma e madhe e zinxhirëve dhe motorëve të tankeve nuk dëgjoheshin as qentë duke lehur, e as ndonjë zhurmë tjetër, pos asaj zhurme dhe dridhje të madhe të tokës që e bënin tanket e ushtrisë serbe!

Isha i frikësuar tejmase nga e tërë ajo që bëhej rreth nesh dhe me ne, por më kujtohet si sot që e kam pyet babën:

“Çka do bëjmë nëse ata vijnë këtu?”

“Asgjë, – me tha baba, – ata fëmijët nuk i prekin!”

E kuptoja se ai ma thoshte këtë vetëm për të ma hequr frikën, sepse i shihja të gjithë të frikësuar. Dikur serbët u larguan nga fshati. Ndoshta kanë pritur që të del ndokush e të gjuajnë mbi të, e pastaj të na rrafshonin, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Ata u larguan, e ne sikur u qetësuam, edhe pse frikën e ndjeja në tërë trupin tim …

Më kujtohet se atë natë thuase kishim harruar fare për të ngrënë darkë. Diku pas mesnate, dikush u kujtua se duhej të hanim, e sidomos ne fëmijët….

… Derisa po shkruaj, po më duket sikur jam kthyer në atë kohë … dhe vërtetë, ne, brezi që e ka përjetuar atë kohë, jemi rritur me trauma! Edhe sot kam trauma … edhe pse askush i familjes sime të ngushtë nuk është vrarë gjatë luftës…, megjithate traumat i kam marrë me vete …

https://prointegra.ch/rrfime-nga-lufta/

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here