Rrëfime nga lufta…. – pjesa e katërt

 

Blerim Metaj

… Një ditë, derisa isha duke kërkuar në tavanin e shtëpisë nëpër rreckat e vjetëruara, gjeta edhe shumë fletore të mia të shkollës, të cilat u kishin bërë ballë kohës dhe minjve të tavanit, në mesin e të cilave gjeta dhe fletë të grisura nga fletorja e shënimeve të viteve të fëmijërisë … Aq shumë më mbërthyen kujtimet dhe më kthyen mbrapa në ato vite të mbrapshta e ogurzeza, sa nganjëherë më duket sikur po i jetoj tani … Tanimë nuk po mund t’i bart me vete këto ngarkesa të një kohe pa kohë dhe vendosa t’i hedh në letër. Dua që t’ua rrëfej edhe të tjerëve ato që përjetova për ta lehtësuar edhe veten por edhe për të mos lënë që ato të harrohen fare …

#4

Mëngjesi i 14 prillit 1999 na gjeti në Malin e Arave të Bushës, sipër fshatit Kaliçan, buzëbjeshkës, ku e kishim kaluar atë natë të ftohtë. Isha 9 vjeç. Atë mëngjes prilli u zgjuam herët, para se me lind dielli. Derisa ne bëheshim gati për t’u nisur drejt bjeshkës, kur baba im i hipi veturës, me të cilën kishim ardhur në mal, për ta dërguar në shtepi, ndërsa Bekriu (djali i mixhës së babës) i hipi traktorit të tij me të njëjtin qëllim, për ta dërguar po ashtu në shtëpi. E tërë kjo me shpresë që do të qëndrojmë disa ditë në bjeshkë e pastaj të kthehemi në shtepi! Ata shkuan shpejt dhe shpejt u kthyen tek vendi ku ne, Sherifajt, Halilajt, Selimajt, Xhemajlajt, Lipajt, Tahirajt, Lubovët sapo ishim bërë gati për t’u nisur. Kur papritmas gjyshi im, Sherif Baku, i thotë babës tim:

– Rizë, ku po doni të shkoni? Ejani të kthehemi në shtepi!

– Babë eja të ikim, se atje ska më asgjë! – i tha baba im.

Gjyshi i nervozuar tejmase ia ktheu:

– Shkoni thene qafën, por fëmijët mos m’i merrni, m’i leni këtu!

– Babë eja ti me gjithë femijë e me gjithë neve e të ikim! – i tha baba sërish gjyshit:

Gjyshi nuk bindej fare, por ktheu shpinën e i nervozuar dhe duke sharë sikur vetëm për vete bashkë me Sylë Lipen u nisën teposhtë. Ndësa ne u ngjitëm malit përpjetë, me shpresë se gjyshi dhe Syla do të kthehen përsëri dhe të vinin me neve. Por jo, ata nuk erdhën!

Derisa ngjiteshim malit përpjetë ishim lodhur e rraskapitur tejmase. Besforti e Besfinda 4 vjeçarë mezi ecnin, por herë pas here i merrte dikush në krah dhe vazhduam disi. E mbaj mend që tezaku im Skenderi e kishte një shishe raki me veti dhe herë pas here e pinin për të nxehur trupin. Bile njëherë e kam provuar edhe unë atë raki. Se si më eshtë dukur …, gati ma ka nxënë frymën.

Mua, meqë isha akoma i vogël, më kishin ngarkuar me një çantë të lehtë krahu, në të cilën ishin rrobat për vëllaun dhe motrën time të vegjël akoma. Meqë ujë nuk kishim mjaft me veti, atë ujë që kishim e kishim sikur me racion, prandaj edhe na merrte etja më shpejt, por nuk kishim ç’të bënim, duronim ashtu deri sa arrinim te ndonjë krua ose pus uji.

Kur iu afruam Shkallës së Kaliçanit, kërrshat kërsitnin nga plumbat e armëve të ndryshme me të cilat na gjuanin shkijet prej poshtë, buzëbjeshkës. Prandaj herë pas here detyroheshim të strukeshim e fshiheshim prapa gurëve, lisave e çubave. Në këtë rrugëtim, sa të vështirë aq edhe të frikshëm, duke parë vdekjen me sy, me frikë në fyt më në fund arritëm në bjeshkë, ku kishte rënë borë ose ajo nuk ishte shkrirë akoma. Bora ishte deri në gjunj! Mezi lëviznim. Burrat ecnin të parët duke çarë borën dhe duke krijuar një si lloj «rrugice» për këmbësorët. Të gjithë, pa përjashtim, ishin bërë qull nga djersitja dhe nga lagështia e borës, e sidomos burrat dhe të rriturit që ishin edhe të ngarkuar me plaçka të ndryshme e me ushqime. Vetëm foshnjet, të cilat ishin të mbështjella mirë me rroba dhe batanije, nuk ishin të djerësitura. Për to problemi i vetëm ishte të ushqyerit e vështirësuar. E mbaj mend si sot, kur një grua e re në atë kolonë, ashtu duke ecur me mundime e me foshnjën në krah, zbërtheu pallton dhe këmishën dhe e nxori gjirin për ta ushqyer foshnjën, që nuk ishte as dy muajshe. Gruaja e bacit Xhemajl i mbante me dorë cepin e batanisë së foshnjës mbi gjirin e zbuluar të saj dhe kokës së fëmijës, por pa u ndaluar fare. Njëherë asaj i rrëshqiti këmba dhe gati e mori me gjithë batanije edhe foshnjën, po të mos ishte gruaja e axhës Sylë, e cila arriti ta mbante batanijen, ndërsa gruaja e bacit Xhemajl rrëshqiti dy-tre metra teposhtë. Për fatin e saj, pikërisht aty ndodhej një pemë e cila u bë shpëtimtarja e saj atë ditë.

E mbaj mend se kur arritëm në bjeshkë kemi hyrë në stanin e bacit Halil (tani i ndjerë) dhe pasi kemi zënë vend në stan, baba im u nis të kthehet në fshat për ta marrë gjyshin. Kjo jo vetëm na bëri të mërziteshim, por na kaploi edhe frika se mos po u ndodhë gjë e keqe dhe nuk po arrinin të ktheheshin më asnjëri.

Për fatin tonë, me gjithë ato gjuajtje të shkijeve, nuk u lëndua askush, edhe pse plumbat na fërshëllenin përmbi kokë, e ndonjëherë edhe na frikësonin kur godisnin ndonjë kërrsh guri pranë me zhurmë të frikshme.

Në stanin e bacit Halil u vedosëm të gjithë, mbi 40 veta, derisa në mes ishte i ndezur një zjarr, i cili megjithate nuk arrinte dot të na ngrohte sadopak, sepse stani ishte i ftohtë dhe tavani ishte i hapur për të dalur tymi i zjarrit. Jo vetëm të rraskapitur nga ky rrugëtim i vështirë dhe me shumë rreziqe, por ishim edhe të uritur tejmase. Gruja e bacit Xhemajl na i ndau nga një mollë, për të mos e ngrën bukën thatë.

Në këtë kohë, derisa neve fëmijëve na ishte ndarë buka dhe mollat, burrat kishin dalur përjashta për të biseduar larg grave dhe fëmijëve. Prandaj sapo kam ngrënë bukë, nga kurreshtja për këtë dola si tinëz grave dhe të tjerëve jashtë stanit, për t’i dëgjuar burrat se ç’flisnin.

Aty pashë se kishin ardhur edhe disa ushtarë të UÇK-së, disa prej të cilëve ishin të plagosur dhe po kërkonin prej burrave tanë që ta lirojmë stanin për ta! (Ata ishin 3-4 ushtarë, sa më kapën mua sytë, ndërsa ne ishim mbi 40 burra, gra, fëmijë pleq e plaka). Më kujtohet që ata i kërcënuan edhe me tyta të armëve për të liruar stanin. Zenuni (djali i axhës së babës) iu bërtiti hakërrueshëm:

– Si nuk ju vjen turp të kërkoni një gjë të tillë, derisa mbrenda janë mbi 40 gra, fëmijë e pleq, bile edhe foshnje në lulak kemi aty brenda. Çfarë të keni nevojë ju ndihmojmë edhe na, por mos kërkoni t’i nxjerrim në këtë të ftohtë gratë me fëmijët dhe pleqtë.

– Ke shumë të drejtë, – i tha Zenunit një ushtar i plagosur me trup të gjatë dhe i hollë, aq sa mua më shkoi mendja se edhe një erë pak e fortë mund ta rrëzonte për tokë. – Unë jam më lehtë i plagosur, por dy i kemi më rëndë, prandaj …, besoj se po na kuptoni, – vazhdoi ushtari i plagosur sikur i zënë në faj. – A ka këtu afër ndonjë stan tjetër, se vetë as që e njohim mirë këtë teren dhe jemi fare të rraskapitur? – pyeti ushtari i plagosur.

– Po, ka – i tha Zenuni i lehtësuar. – Ejani pas meje. Ndërsa ju atje na sillni ca bukë dhe ndonjë batanije. Shih edhe ndonjë fasho për të plagosurit. – iu drejtua Skenderit, tezakut tim dhe vetë iu prini ushtarëve më tutje, bile ushtarit të gjatë e të hollë e pashë se si ia mori edhe çantën për t’ia bartur.

Zenuni i dërgoi te stani i bacit Selim (tani i ndjerë), edhe pse ai stan ishte më i dëmtuar se ky ku ishim strehuar ne. Sapo deshëm të hynim brenda në stan i kam parë që larg gjyshin, babën dhe Sylën duke u ngjitur përpjetë. Gëzimin që kam ndjerë në atë çast nuk e përshkruaj dot. Më kujtohet se kam bërtitur si i çartur dhe jam lëshuar vrap teposhtë nëpër borë dhe iu jam hedhur në qafë, së pari gjyshit e pastaj edhe babës. Syla më përgëdheli flokët dhe më buzëqeshi ëmbël, buzëqeshje e cila edhe sot më duket se po e shoh. Nga gëzimi dhe vrapimi teposhtë si i çartur mezi merrja frymë dhe qaja pa pushim nga gëzimi. Gjoksi sa nuk më pëlciste. Baba më hodhi në shpinë dhe ashtu më barti deri te stani.

Pasi u ulën rreth zjarrit në mes të stanit, pa kaluar shumë gjyshi filloi të rrëfente:

– Kur kemi mbërri në fshat, e kemi gjetur fare të zbrazët dhe shkuam t’i lëshojmë lopët nga shtalla, e pastaj u ulëm me Sylën për të ngrën pak bukë. Duke ngrënë bukë dëgjuam zhurmë nga larg dhe Syla doli në oborr, prej nga i kishte dëgjuar shkijet që sapo ishin futur në lagjen Osmanaj (diku një kilometër larg fshatit tonë) dhe kur u kthye më tha «Çohu Sherif se erdhen shkijet!» Pasi morëm ca bukë me veti, u nisëm dhe në qendër të fshatit e takuam një ushtar të UÇK-së, i cili nuk na tregoi që ishin thyer pikat, por kërkonte nga ne t’ia tregojmë rrugën për në Rozhajë! Kur kemi arritur me Sylën në fushë të madhe, u degjua zëri i ezanit nga xhamia, të cilin e kishte lëshuar dikush, ndërsa pas zërit të ezanit filloi një këngë në gjuhën shkenishte. Atëherë e kuptuam se shkijet tanimë ishin futur në fshat. – rrëfente gjyshi sikur për vete, derisa shikimin e mbante përtokë. Këtu lëshoi një ofshamë të thellë, sa mua m’u duk se po jepte shpirt.

Në stan kishte rënë një heshtje morti. Askush nuk thoshte asnjë fjalë. Nuk e di sa ka zgjatur ajo heshtje, por një ofshamë e sërishme e thellë e gjyshit, një si lloj gjëme që i dilte nga thellësitë e shpirtit, sikur thyen atë heshtje sërish:

– Kur arritëm te Rrasat e Kërrshit të Shkallës së Kaliçanit, – vazhdoi gjyshi me shumë mundime, sa nuk qante, derisa buza e poshtme i ishte varur dhe i dridhej si purtekë nga ngashërimi i brendshëm shpirtëror, – e takuam Haxhi Islamin, i cili ishte duke u kthy në shtepi për t’i lëshuar poashtu lopët nga shtalla. (Haxhi Islam Osmanaj, u masakrua nga çetnikët serbë në lagjën Osmanaj, koka e të cilit është gjetur në bunar të shtëpisë se tij e trupi një kilometër më larg, në malin e Rasadnikut – shënim plotësues i autorit të shkrimit). I thash, «Haxhi, mos shko se shkijet kanë hyrë në Kaliçan, por edhe të Halil Osmantë!» Por Haxhiu ma ktheu: «Jo, do të shkoj, e nëse më kapin do të luftoj me ta tek e fundit me sakicën time!» – tha gjyshi dhe ofshani edhe njëherë thellë, sikur ta dinte se çfarë do të ndodhte me Haxhi Islam Osmanajn.

Natën e kaluam në stanin e bacit Halil. Meqë disa batanije ua kishin dhënë ushtarëve të plagosur, shumë nga ne jemi «mbuluar» edhe me çanta e valixhe, meqë nuk mjaftonin batanijet për të gjithë dhe ishim strukur e ngjeshur me njëri tjetrin sikur sardinet në konzerva. Jashtë stanit mbretëronte një qetësi e tmerrshme dhe një i ftohtë i acartë. Vdekja thuase qëndronte mbi çatinë e hapur të stanit dhe askush nuk e dinte çfarë do të na sjell e nesërmja. Të reshurat e borës nuk kishin pushuar gjatë tërë natës…

Rrëfime nga lufra  – pjesa e parë
Rrëfime nga lufra  – pjesa e dytë
Rrëfime nga lufra  – pjesa e tretë