RRETH DISA PËRKTHIMESH TË GABUESHME NË GJUHËN E SHTYPIT DHE TË RADIOTELEVIZIONIT

Në gjuhën e sotme letrare, përveç gabimeve të shumta në sferën e morfologjisë, ka edhe aso gabimesh, kalkesh të huaja, të cilat e zvetënojnë bukurinë shprehëse të gjuhës sonë. Janë këto gabime që mund t’i bien në sy çdo shqipfolësi (jo vetëm çdo gjuhëtari), që direkt apo indirekt merret me gjuhën shqipe.

 Shkruan: Sami Islami, Londër

Që ta shohim këtë dukuri nga afër le t’i përmendim disa shembuj të marrë nga revistat, gazetat ose nga mjetet audio vizuale (nga radioja apo televizioni). P.sh.: “Lart u dëgjua një zë i qetë, i cili dallohej se është zë zotërie, aq i ëmbël dhe i lëmuet” (Ivan Cankar, “Sherbëtori Jernej dhe e drejta e tij”, Prishtinë, 1980, f. 54). “Shkurtimet e shpenzimeve në armatim janë të nevojshme” (RTV21, 21.02.2013, ora 18.00). “Aktori, i cili është akuzuar për afera… në jetë është qesharak!” etj.

Duket fare qartë se këto fjali nuk frymojnë shqip. Nuk di se çfarë figure stilistike i shkon thënies ”… dallohej se është zë zotërie, aq i ëmbël dhe i lëmuet”, ose “ shkurtimet e shpenzimeve” ? Përkthyesi i papërgjegjshëm, bën kësi “përkthimesh” si këto që i theksuam.

Fjala “qesharak” tek fjalia tjetër nuk përkon me kuptimin për çfarë realisht është përdor. Këtu është ngatërrua fjala “qesharak” me fjalën “humorist”, si në rastin konkret, kur një aktor ishte akuzuar për afera , por në jetë ishte humorist, ishte shakaxhi, ishte mahitar etj.. Pra aktori që ishte akuzuar për afera , në jetë është humorist, shakaxhi, mahitar etj. por jo “…ishte qesharak”. Sepse fjala “qesharak” përdoret për dikë që me sjelljet e tij i bën njerëzit të qeshin. Kjo fjalë ka të bëjë edhe me sjellje naive të njerëzve, budallallëqe, sikur edhe klouni ne cirk.

Zëri mund të jetë i qetë, i ëmbël, i lartë , i ultë , melodik, të shterur, i çjerrë etj. por zëri të jetë i “lëmuet” (i lëmuar) nuk ka kuptim! Po ashtu edhe togfjalëshi “shkurtimet e shpenzimeve” nuk është i natyrës së shqipes. Ky mund të jetë model i gjuhës angleze, sepse në këtë gjuhë përdoret modeli i “shkurtimit” apo i “prerjes” së shpenzimeve “spendings cut” (ulje e shpenzimeve) ose “price cut” (ulje e çmimeve), etj.

Edhe në fjalinë “Në Lipjan shtrihen hapat e zhvillimit” (“Rilindja”, 17.11.1983) kemi të bëjmë me një kalk të huaj në gjuhën shqipe. Në shqip hapi nuk “shtrihet”, hapi hidhet, shpejtohet, ngadalësohet, zvogëlohet, zmadhohet . Pa e zgjatur shumë, fjalia më e përshtatshme për ta shprehur këtë mendim do të kishte qenë kjo: “Në Lipjan hidhen hapat e zhvillimit”, por jo “…shtrihen hapat e zhvillimit”!

Kemi edhe gabime të tjera! Si “Heshtja s’duhet të lulëzojë në ne” (“Zëri”, 10.7.1982, f. 16) , në vend se të themi thjesht: “S’duhet të heshtim”. “Kohë e vështirë rridhte”(!), në vend “Kohë e vështirë ishte”. “Shoh rrugën me kalldrëm që ikë ndërmjet ndërtesave të vogla”! Në vend të : “Shoh rrugën me kalldrëm që humbiste ( ose zhdukej) ndërmjet ndërtesave të vogla”. Rruga nuk ”ikë”. Rruga mund të humb, zhduket (nga shikimi) etj.

Një fjali tjetër! Jo: “Me duar në faqe po endte fijet e largëta ( duhet “të hershme”) që i lanë shumë vragë në zemër”, Por “ Me duar në faqe po kërkonte fillin e ngjarjeve të hershme, që i kishin lënë shumë vragë në zemër”.

Jo: “ E thirra një ditë tek unë Donën, që t’ia rrëzoj gurin nga zemra” , por “E thirra një ditë tek unë Donën, që ta ngushëlloj (ose ndonjë formulim tjetër), por jo “…t’i rrëzoj gurin nga zemra!

Nuk më ka rënë të lexoj apo të dëgjoj diku tjetër togfjalëshin “bishti i gjarprit”. Për gjarprin po. Ai simbolizon spiunin, tradhtinë, tinëzllëkun, pabesinë, befasinë, intrigën etj. Këtë përkthim e gjemë këtë fjali: “Kujdesi ishte i domosdoshëm , nga se bishti i gjarprit lëvizte kudo në mes nesh”. Në shqip mjafton të thuhet vetëm gjarpri , pa bishtin fare! Sepse ku ka bisht gjarpri, ka gjarpër. Bishti i gjarprit pa gjarprin nuk të bën gjë! Pra: “ Duhej të ishim të kujdesshëm, nga se gjarpri ndodhej ( gjendej) kudo në mes nesh”.

Shembull tjetër paradoksal kemi edhe tek fjalia e marrë nga fjalimi i Papës në Vatikan, në të cilin fjalim, në mes tjerash, Papa theksoi: “Një ditë lutje që të shpërthejë paqja në Siri dhe në botën mbarë”! Si ka mundësi që paqja të “shpërthejë”? Shpërthen lufta, shpërthen revolta, shpërthen konflikti, shpërthen revolucioni, shpërthen vullkani, shpërthen diga etj. etj. po paqja, jo! Paqja mundet të arrihet, të vendoset, të ngulitet, të përqafohet, të mbretërojë, të aplikohet etj. etj.