Zymer Mehani: ROMANI “DEGDISJA” I SHKRIMTARIT BEDRI TAHIRI – HIMN PËR RIPËRTËRITJEN DHE QËNDRESËN SHQIPTARE
“Cerberët e Përtej Tunës na kishin tëhuajsuar në vatrat tona. Paskëtaj, ore lum vëllai, morëm botën në sy: kah sytë, këmbët!”.
(Bedri Tahiri, romani “Degdisja”)
Duhet të jemi të vetëdijshëm se besueshmëria e të dhënave të paraqitura në romanin “Degdisja” të shkrimtarit Bedri Tahiri është e saktë. Pra, gjithashtu duhet të jemi të vetëdijshëm se realiteti i vetëm është ai që është treguar nga një këndvështrim i autorit, prandaj edhe e vërteta është e sigurt.
Në romanin “Degdisja”, këndvështrimi nuk kufizohet vetëm në një person. Protagonistët janë gjithashtu pjesëmarrës aktivë në të gjitha ngjarjet dhe asnjëherë vetëm vëzhgues pasivë. Realiteti në vepër pasqyrohet përmes protagonistëve, prandaj ata mund t’i quajmë një tip reflektorësh.
Edhe pse po flasim për rendin kronologjik të ngjarjeve në roman, rrëfimtari është ai që garanton siguri te lexuesi dhe kështu e mban në pritje për të ditur për ngjarje nga e kaluara, duke e drejtuar atë drejt situatave të reja.
Romani përbëhet nga prologu, 14 kapituj me tituj interesantë dhe nga epilogu. Nëpërmjet titujve, shkrimtari shpalos temën e kapitullit, dhe kësofare ata shëmbëllejnë në episodet e ndonjë seriali. Domethënë, ai me një kapitull tregon një histori dhe kapitulli i radhës e vazhdon atë me një titull të ri.
Në romanin “Degdisja”, pothuajse çdo kapitull mund të lexohet veçmas pa të tjerët, sepse secili është një histori më vete. Historitë janë montuar njëra pranë tjetrës, ku secila ka kohën dhe vendin e vet. Prandaj secili kapitull po t’ishte e mundur të fliste, do të shprehej: “unë mundem për t’u lidhur, por edhe për të qëndruar veçmas”. Ata që i lidhin kapitujt e këtij romani janë personazhet me fat të njëjtë.
Gjuha dhe stili
Në romanin “Degdisja” del në pah stili karakteristik i Bedri Tahirit. Në faqet e këtij romani mund të gjejmë edhe gjurmë të traditave popullore, të trashëgimisë gojore, si dhe të tregimit me dromca nga historia. Aty gjejmë gjurmë legjendash, sepse autori në mbarështrimin e tematikës dhe në përshkrimin e heronjve të tij përdor faktet historike në kombinim me folklorin, legjendën, mitin dhe fiksionin.
Frazat e Bedri Tahirit s’janë aq të gjata, por janë medituese dhe mendimi i tij është i pastër e i saktë. Fjalitë dhe periudhat janë të ndërtuara me pak digresione, pa ndrydhje emocionesh, me delikatesë në paraqitjen e skenave artistike dhe të theksuara. Disa fraza thurin fije historish të ndryshme për njerëz nga ky truall, gjatë epokave të ndryshme. Autori me penën e tij di të sjellë ngjyrosje të atmosferës, me nuanca të ndryshme, me ritëm normal të të folurit që alternohet me prirjen e tij për përshkrime të hollësishme, veti këto që përfaqësojnë stilin e tij unikat.
Modelet e interpretimit të romanit “Degdisja”
Potenciali dhe stilizimi narrativ i romanit hap vazhdimisht mundësi të reja interpretimi, kështu që “Degdisja” mund të interpretohet edhe si një imazh i vrazhdë i një shteti shovinist, i qeverisur nga sundimtarë autokratikë përgjatë historisë.
Po të duash për të ditur se si është një vend dhe administrata e tij dhe si është e ardhmja e banorëve që jetojnë aty, thjesht përpiqu për ta zbuluar faktin se sa njerëz të pafajshëm janë degdisur nga represioni i vazhdueshëm nga ai vend dhe sa kriminelë ka në krye ai shtet, të kamufluar me petkun e qeveritarit të drejtë.
“Degdisja” në fakt është edhe derivat i aparatit shtetëror, i ndërtuar mbi bazamentin e ideve çetnike, shfarosës për pjesëtarët e kombit shqiptar. Për më tepër, është metafora e të munduarve. Ndoshta niveli më i lartë i simbolizimit narrativ do të ishte në leximin e romanit në fjalë në drejtim ekzistencialist, sipas filozofisë të së cilit e gjithë bota është një birucë e madhe, prandaj njerëzit janë të burgosur, ngase jeta është absurde, përplot vuajtje, andralla e zhgënjime.
E përjetuar si një shëmbëlltyrë për ndasi mes kombesh, një nga vlerat e rëndësishme të kësaj vepre artistike është fakti se ajo paraqet njohuri për diversitetin e thellë kulturor, fetar dhe ndikimin e tij fatal në vetë njerëzit e përkatësive të ndryshme etnike. Romani ka edhe një kuptim më të thellë, në të cilin degdisja paraqitet si një paraqitje simbolike e gjenodidales, ngase bëhet fjalë për vetë fatet njerëzore të shqiptarëve në hapësirat e veta autoktone, të gllabëruara padrejtësisht nga Serbia. Personazhet në roman, ashtu si në jetë, janë fare të vetëdijshëm se çfarë i pret, nëse nuk do të degdisen. Pra, degdisja është një pasojë e pasigurisë që i ndjek shqiptarët gjatë historisë, të cilët përjetuan shumë më tepër të këqija se sa të mira.
Degdisja në kuptimin më të ngushtë të fjalës mund të jetë simbol i ngushtësisë antinjerëzore dhe verbërisë shoviniste, prandaj mund të jetë edhe një paradigmë për të gjitha shoqëritë dhe shtetet totalitare të së tashmes dhe të së shkuarës.
Degdisja është pra rezultat i dhunës politike dhe ekonomike, e zbatuar në hapësirën e shtetit të Serbisë, që për shqiptarët ishte burg dhe shumë e ngushtë për të jetuar të qetë dhe të lirë në trojet e veta shekullore.
Fati tragjik i njeriut është i ndërthurur në rrëfimet e romanit “Dedgdisja”, të cilat nuk janë thjesht ndodhi, por janë vetë kuptimi i ndodhive, duke u gjendur në rrethin fatal të jetës dhe të vdekjes një popull i tërë, për faktin se i takon një etnie tjetër.
Vetë tema e degdisjes është e lidhur ngushtë me një hapësirë të errët, të ngushtë, të shqetësuar të një shteti despotik, siç ishte Serbia për pjesëtarët e etnisë shqiptare. Prandaj kjo degdisje vërtet mund të shëmbëllejë në një vorbull uji, që e tërheq njeriun në fund të errët gjer në fatalitet. E shpëtimi i vetëm është ikja nga ai vend, mu si nga një sëmundje infektive, me mendimin se aty mund të pësojë edhe njeriu më i shëndetshëm, e që me kalimin e kohës, ajo vorbull uji fillon të turbullohet dhe të shkaktojë andralla të papara.
Prandaj vetëm ikja mund të jetë mbrojtja dhe shpëtimi nga shfarosja e pjesëtarëve të etnisë sonë, ngase ardhacakët karpatjanë në hapësirat tona i pengon fakti se ne jemi autoktonë këtu, prandaj shqetësohen prore kur kujtojnë se kush dhe çfarë jemi, nga jemi dhe si kemi qëndruar gjatë historisë të papërkulur në këto troje.
Lidhur me këto çështje, njëra nga personazhet e romanit do të shprehet:
…Farë e jonë ishte e ngulitur këtu denbabaden. Trung i stërlashtë e rrënjëthellë ishim ne. Ata erdhën vonë, shumë vonë këndejpari, zbritën si lukuni ujqish grabitqarë. Erdhën andej diku nga Karpatet e ku ta di unë, duke u zvarritur si hienat tinëzare, pasi që kishin zbritur nga degë lisash. Sa e sa popuj u shuan dhe u tretën si flluskë sapuni. Shumë e shumë. Ne qemë dhe mbetëm këtu, zot të këtyre trojeve. Qëndruam e mbijetuam.
Iliria jonë qe e madhe, shtrihej gjithandej ku thirrej ILIRIKIUM dhe gëlonte për lakmi. Por, ç’e do, kur e shkreta, u copëtua dhe u nduk dhunshëm e pamëshirshëm nga grabitqarët përreth!
Megjithatë, rrënjët e saj të thella nuk u shkulën dot nga dheu i vet. Gjithë botës i dhamë jetë, i dhamë gjallëri, i dhamë përparim, i dhamë dije e shkencë, veçan i dhamë besë e trimëri…
Degdisja është një rrugëdalje, ku shfaqet e ushqehet shpresa për të ardhmen, edhe pse për shqiptarët u ndërpre rrjedha e mëparshme e rregullt e jetës dhe gjithçka u kthye në një tragjedi me ngjarje të dhimbshme maltretimesh e persekutimesh në masë. Prandaj, çdo shpresë njerëzore dhe mendim për shpëtim bëhet realitet vetëm me degdisje. Kësofare ajo do të shfaqet në mënyrë simbolike si shpresë apo dëshirë për një të nesërme më të mirë, duke dalë nga errësira në dritë, ashtu si ndodhi me vetë shqiptarët më shumë se një shekull.
Titullit i romanit të Bedri Tahirit
Degdisja si titull ka konotacion negativ, por pakëz edhe pozitiv; negativ sepse shkaktohet nga përndjekja me dhunë e masakrime të një popullate duarthatë e paqësore; e pozitiv, se pikërisht përfaqësuesit e etnisë shqiptare degdisjen e patën të vetmen rrugë shpëtimi nga shfarosja e gjenocidi, në radhë të parë dhe së dyti, nga skamja dhe mjerimi i skajshëm.
Pra, në vetë titullin e romanit, ndeshim një nga seritë e kundërvënieve, mbi të cilat është ndërtuar romani. Pra këtë fjalë mund ta përkufizojmë si një ikje në vende të largëta a të panjohura, që me semantikën e saj, mund t’i referohet ikjes nga një shtet shovinist, siç ishte dhe është edhe sot Serbia, që shëmbëllen në një oborr të rrethuar nga një mur, ku mbretëron një regjim represiv dhe që thërret për shfarosje të popujve të tjerë, në rastin e romanit, edhe të shqiptarëve.
Vetë titulli është jashtëzakonisht i rëndësishëm për strukturën semantike të tij, duke qenë se ngjarjet janë të vendosura në truallin shqiptar të Kosovës, ku u ushtrua në kontinuitet represion i jashtëzakonshëm ndaj etnisë shqiptare. Prandaj vetë ky titull në vetvete fsheh topofobinë e mallkuar, por edhe topofilinë.
Prandaj, siç thamë edhe një herë tjetër, vetë titulli romanin në fjalë do ta karakterizojë si dikotomi pozitive dhe negative. Duke qenë i tillë, ai doemos është një emër apo fjalë emocionuese, ngase na rikthen në retrospektivë, duke na e rikujtuar zhvendosjen, dëbimin dhe lëvizjen e popullatës shqiptare nga trojet e saj autoktone, gjithnjë si pasojë e represionit.
Nëse e analizojmë më tej romanin, aty do të gjejmë një komponent tjetër të rëndësishëm të tij, që është kundërshtimi i ardhacakëve ndaj vendësve. Ky kundërshtim që evoluon gjer në mospranim të ekzistimit të etnisë tjetër, shtrihet në hapësirën shtetërore serbo-sllave me mjete represive të despotizmit karpatjan, ku pjesëtarët e etnisë tjetër (shqiptarët) duhet ose të rrojnë në një burg pa liri, siç ishte Serbia, ose duhet të fshihen gjer në dëbim nga trojet e veta stërgjyshore dhe të mohojnë vetveten në zemër të Europës, ku trajtohen dhunshëm, me agresivitet të paligjshëm dhe të palogjikshëm, vetëm nga urrejtja…
Përkundrazi, shqiptarët duan ta ruajnë identitetin dhe dinjitetin e tyre dhe ata paraqiten ashtu siç janë, të qetë, modestë dhe humanë; arkitektë të një qytetërimi paqeje, dashurie dhe tolerance në hapësirën e identiteteve konfliktuale, siç ishte Serbia, ku njerëzit ndaheshin sipas besimeve dhe origjinës së ndryshme.
Përfundim
Romani “Degdisja” i shkrimtarit Bedri Tahiri është një njësi kompozicionale jashtëzakonisht komplekse, nga e cila ndërtohet përbërja unazore (ciklike), e cila krijohet nga ca histori brenda një historie, pra është një situatë narrative e integruar përmes disa shtresave narrative. Dhe kësofare, romani është tip i njëfarë kronologjie romanore, pasi ngjarjet trajtohen sipas kronologjisë.
Në roman, pra, hasim motive të forta të shpëtimit, të cilat alternohen me motive ikjeje. Motivi i shpëtimit është si drita, prandaj drita (shpëtimi) dhe errësira (dëbimi) do të ndërthuren si kundërvënie e së mirës me të keqen, të bukurës dhe të shëmtuarës, pozitives me negativen.
Krahas dritës dhe errësirës, si dy kundërvënie, romani përbëhet nga njëfarë dikotomie pozitive dhe negative, që ngjall sërish simbolika arketipale[1] e dritës (pohuese, e shenjtë, shpëtimtare, e dëshirueshme, e ngrohtë, e vlefshme) dhe errësirës (negative, djallëzore, e padëshirueshme, e errët, e dhunshme). Të kundërtat i gjejmë në pamjen e jashtme, e brendshmja (organizimi) dhe personazhet janë formuar gjithashtu në mënyrë dikotomike, ku çdo gjë duhet t’i përkasë njërës pjesë ose tjetrës, dhe reciprokisht ekskluzive: asgjë nuk mund t’u përkasë njëkohësisht të dyja pjesëve.
Të gjitha këto tablo, me të cilat autori ndërton romanin, japin një kuptim më të lartë në nivel metaforik/alegorik dhe artistik.
Prandaj, forca e prozës së shkrimtarit Bedri Tahiri qëndron në përplasjen e aspekteve të lehta dhe të errëta të realitetit jetësor.
Besianë, më 14 shtator 2023
[1] D.m.th. trajta e parë, lloji, origjinali apo ekzemplari i diçkaje.