Muharrem BLAKAJ: «ZANA E SHËN MARTINIT»
Roman filozofiko – psikologjik me elemente autobiografike
Vlerësim nga Ibish NEZIRI
E nderuara zonja Valdete, Dr Xhevat, Fatmir dhe të gjithë ju të pranishëm,
Fatmirit i detyrohem një falënderim që na ka mbledhur sot këtu për ta shpalosur një libër i cili para dy vjetësh doli nga shtypi dhe është botuar nga shtëpia e njohur botuese “Rozafa” në Prishtinë, të romansierit tashmë të njohur Muharrem Blakaj.
Fjala është për romanin “Zana e Shën Martinit”.
Rendi e do që para se të flas për librin, t’i them të paktën dy – tri fjalë për autorin Muharrem Blakaj. Autori është i lindur në një familje atdhetare në fshatin Tedel të Burimit. I takon, dikush po i thotë lëvizjes ilegale e dikush lëvizjes klandestine apo shqip të fshehtë, por kjo është fare pak e rëndësishme. E rëndësishme është se Muharrem Blakaj është angazhuar qysh në vitet 70-të në veprimtarinë atdhetare dhe në vitin 1979 kur Jusuf Gërvalla arratiset jashtë vendit dhe i vëllai i Jusufit, Hyseni arrestohet, arrestohet edhe Muharremi. Ndjekjet, persekutimet e arrestimet për Muharremin dhe familjen nuk prajnë. Më 3 nëntor të vitit 1996 arrestohet i vëllai Xhemajli, arrestim ky fatal për të, ngase vetëm tri ditë më vonë, më 6 nëntor, në duart e UDB-së gjakpirëse jep shpirt për të mos vdekur kurrë.
Muharremi në letërsinë shqipe ka hyrë jo pa bujë. Është autor i romaneve, “Misioni sekret”, “Thesaret e humbura”, “Atentat brenda germës L”, “Paraardhësit”, monografisë “Rrugëtim fatal”, përmbledhjes me tregime “Mëndsha”, dhe “Vitet e brishta”, si dhe i romanit që sot po e promovojmë “Zana e Shën Martinit”, titull ky mjaft intrigues i përberë nga dy emra, njëri prej të cilëve shoqërohet me epitetin Shën, pra i shenjtë – Shën Martini që vije nga lashtësia dhe tjetri emër, Zana që vije nga mitologjia jonë shumë e pasur.
Për librin nuk është bash e lehtë të flitet ngase libri i përket zhanrit të romanit, filozofiko-psikologjik, por që me të vërtetë në vetvete del të jetë, jo vetëm dy dimensional, por nganjëherë edhe me më shumë dimensione. Në këtë roman lexuesi gjen filozofi e psikologji bashkë, por gjen edhe arkeologji. Aty janë përballë njëri tjetrit antikiteti e aktualiteti, e kaluara dhe e tanishmja. Aty gjen edhe religjionin, kishën dhe xhaminë, priftin dhe hoxhën, vrasës e kriminelë të konvertuar në popa. E gjen modernen dhe klasiken dhe të gjitha këto e bëjnë bashkë romanin që i ka gjithsejtë 238 faqe, të ndara në 12 kapituj që shënohen jo me tituj, por më numra.
I intriguar nga vetë titulli i romanit, lexuesi pret qysh në fillim të takohet me zanat e shtojzovallet e mitologjisë shqiptare të vjetra sa vetë shqiptarët dhe paraardhësit e tyre, por edhe me shenjtorë, por i del pak më ndryshe. Lexuesi do të takohet me filmin, kinemanë, filozofinë, psikologjinë, parapsikologjinë, autoblinda e gjak…
Unë e kam ndjekur një rrugë ndoshta pak më ndryshe për ta shfaqur para jush këtë libër. Kam cituar shumë, po edhe i kam zgjedhur ato pjesë të librit që më shumë kanë të bëjnë me realen se sa me imagjinatën e autorit.
“… Tani edhe ky film i mallkuar që e ndiente se e kishte çorientuar fare me ato skena të frikshme dhe të çmendura njëherësh që nuk po i ndante dot nga skenat e përgjakshme e të përjetuara prej tij.
Si ngaherë, Martini ndaloi para pasqyrës së madhe të shteçores. Pamja e fytyrës filloi t`i deformohej derisa mendja iu kthye në tmerrin e ngjarjes së frikshme, kur paramilitarët e kishin rrethuar shkollën.
„Ah“, psherëtiu dhembshëm, ajo ngjarje, nuk ishte film. U drodh.
Martini psherëtiu përsëri, pasi në dorë, pa e pasur mendjen aty, e kishte marrë sapunin. Me dorën tjetër e lëshoi ujin. Gurgullima e lehtë sikur e ktheu te gërhitja e rendë̈ e autoblindave që silleshin vërdallë̈ rreth shkollës. Me shpresën se nuk do ta gjenin, kishte hyrë në klasë. Aty kishte takuar nxënës të tjerë. Bashkë me ta ishte profesori i historisë̈, kur dera ishte hapur me rrëmbim. Me të shara e fyerje i kishin nxjerrë jashtë̈. As tani nuk e kuptonte pse në ato çaste tmerri kishte qenë aq i qetë. I bëhej se koha kishte ndaluar, apo rridhte ngadalë̈, shumë ngadalë̈, si t’ishte reprizë e ngadalësuar filmi. Zërat kërcënues, britmat e ushtarëve dhe klithmat tmerruese të nxënëseve, i vinin si jehonë ortakesh, që zbrisnin rrëmbyeshëm nga faqe shkrepash duke shkatërruar çdo gjë që gjenin përpara”.
Është krejtësisht njerëzore që çdo zhurmë, çdo gjest a çdo lëvizje të zgjoj kujtime qoftë të mira, qoftë të hidhura, apo te të vej në pozita të ndryshme si puna e shkumës së sapunit: “Martini filloi t`i shkumonte faqet me sapun. Shkuma e bardhë ia kujtoi gëlqeren në muret e shkollës dhe duart e nxënësve të ngritura lart. Prapa shpinës e kishte ndier komandantin e njësitit serb që i urdhëronte nxënësit të afroheshin në radhë, të lëviznin ngadalë e kokulur e duart t’i mbështesnin në mur. Nuk e dinte pse dhe nga i kishte ardhur gjithë ajo trimëri, sa mos t`i zbatonte urdhrat e komandantit serb i cili çirrej e bërtiste si i ndërkryer… «ubijte sve, bez izuzetka»! (Vrisni të gjithë pa përjashtim)!” – ngjarje e përshkruar aq mirë nga autori sa që duket sikur edhe vetë kishte marr pjesë në një realitet rrëqethës jo fort të largët, dhe i cili në mënyra të ndryshme po vazhdon të na shoqëroj dhe 25 vjet pas përfundimit të luftës, por që duhet me të vërtetë të na përcjell, jo në jetën e përditshme, por në art dhe në letërsi, film, teatër e arte figurative gjë që do të bënte që historia jonë të mos tregohet si mit e legjendë, por ashtu siç ishte.
Sa më thellë që lexuesi futet në libër, aq më shumë krijohet përshtypja se Martini është duke jetuar mes imagjinatës e reales, mes antikës e aktualitetit, mes vdekjes e jetës, dhe kjo përshtypje thellohet akoma më shumë pas takimit me Zanën, e cila po ashtu sikurse edhe Martini është një shpirt i inkarnuar dhe që të dy vijnë nga një kohë e largët si shpirtra të ringjallur e rimishëruar.
Shkrimtarit për të shkruar roman i duhet imagjinata dhe kjo në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se i mungon autorit Blakaj. Gjatë leximit shihet se këtë mekanizëm më shumë se të nevojshëm për letërsi e ka, madje me bollëk.
Gërshetimi i ireales me realen, i legjendës e mitit me realitetin sikur i japin më shumë forcë dhe i ndërlidhin më mirë mozaikët e ngjarjeve me njëra tjetrën duke lëvizur herë para e herë prapa dhe herë poshtë e herë lartë siç i trajton autori me mjeshtri. Mjeshtëria e autorit për t’i gërshetuar dhe rrëfyer në roman edhe legjendat që tregohen gjithandej trojeve shqiptare, vije në pah mjaft mirë edhe në këtë libër: – “Thuhet se dikur motit, – vazhdoi plaku me zë të njëtrajtshëm: – një natë, kur hëna ishte pesëmbëdhjetëshe, krushqit e vonuar me këngë e valle kishin kaluar pranë Kroit të Zanave – dhe plaku drejtoi dorën andej nga pellgu me ujë që shkëlqente si liqe i vogël bjeshke nën rrezet e diellit që po perëndonte dhe vazhdoi: – Kënga, vallja dhe hareja e krushqve, jo vetëm se ua prishin qetësinë e natës, por, nga pakujdesia ata e kishin shkelë trevezën e tyre. Të hidhëruara, ndërpresin vallen e luleve, i fryjnë krushqit me hukamë të përflakur duke i shndërruar në gur”
“Nusen e vashat shoqëruese i marrin robëresha. Pasi e mallkojnë shtegun, kuajt pa kalorës i kthejnë prapa dhe vetë zhduken në pyjet larushe. Thuhet se pas dhjetë ditësh, gjegjësi i zanave e kishte sjell lejen për varrimin e gurëve krushq”.
Edhe shkrimtarë tjerë kanë trajtuar ngjarje nga mitologjia, – temën e krushqve të ngrirë apo te vorreve te krushqve apo edhe te vorrit të nuses e te nuseve, ku secila krahinë e ka një tregim të tillë dhe një palë varre të tilla, të paktën. Edhe Kadareja e ka trajtuar këtë temë, ashtu sikurse edhe ringjalljen, por në një format tjetër apo Fahri Balliu te drama “Gjaku i Arbrit”, i cili nuk e ringjallë Palin, por e zbërthen rikthimin e tij ndërkaq gati – gati si të Urtësia (Plaku i urtë) edhe autori Blakaj përmes gojës së Atëgjyshit të Madh, me disa fjalë i vë në spikamë besimin, besën, ashtu sikurse edhe trashëgiminë shpirtërore të paraardhësve paganë: “Nëse i gërmoni varret, aty nuk do të gjendet asnjë skelet njeriu, veçse trupa krushqish të gurëzuar – tha plaku duke drejtuar dorën nga një stepë e shkretë ku dalloheshin disa stela të çuditshme varresh me simbole pagane”.
Për lexuesin si unë mbeten edhe gjëra të pasqaruara deri në fund, por edhe këtë e ka letërsia moderne. Autori mund ta trajtoj ashtu si dëshiron vetë po edhe lexuesi ta kuptoj po ashtu si ia merr mendja e tij. Shqiptarët i kanë tri fe, të cilat autori i shpërfaq brenda të njëjtit personazh – Isakut, por kjo çështja e të qenit të tij edhe hebre, sikur tund nga ky mendim: “Thotë se kishë e xhami, shtëpi të Zotit janë. Të dyja i dua dhe me vullnet iu shërbej. Para Zotit përulem hebre, kryqëzohem i krishterë e bije në sexhde mysliman, kurse me Zotin flas shqip, Ai me kupton”. Çështja e hebreut, ashtu sikurse e Shën Martinit për mua mund të jenë vetëm hamendsim, por edhe më ketë vihet në dukje mjeshtëria e autorit, ndërkaq krahas kësaj vije në shprehje edhe e drejta e lexuesit për interpretim nga këndvështrimi i tij.
Në roman gjenden edhe disa rite të vjetra ndoshta sa vetë shqiptarët dhe është mirë që gjenden aty, ngase që të gjitha pothuajse kanë kaluar në harresë dhe e pakta familje sot mund t’i bëjë në një mënyrë apo në një tjetër, si p.sh. ritet e Ditës së Shëngjergjit.
Pjesëmarrës të nderuar, që në fillim thash se në këtë roman, lexuesi gjen edhe psikologji, edhe parapsikologji, edhe arkeologji, mitologji, filozofi dhe pikërisht këtu po ndalem të një pyetje dhe një përgjigje, për mua filozofike, mjaft intriguese: “Po sikur njeriu ta kishte shpirtin e vet, a do të gjendeshin budallenj që do ta braktisnin aq kollaj? Sigurisht se jo, ndaj, nuk do të kishte vdekje… ndoshta do të kishte, por pak, shumë pak. Mungesa e shpirtrave, dalëngadalë, do ta shuante jetën. Njerëzit do të ngjizeshin pa shpirt, do të lindnin, do të rriteshin dhe do të plakeshin të vdekur.” Për mua këtu përjashtohet teoria e inkarnimit – ringjalljes pavarësisht se nga vije. Mua autori gati – gati ma pat mbushur mendjen (larg qoftë!) se shpirti ringjallet, por, pse shpirti duhet të ik nga trupi i vet dhe të futet në trup të huaj dhe a ndodhë që ndonjë shpirt njeriu, shenjti a shejtani të ik e të futet në trupin e ndonjë gomari, mace a qeni, apo vetëm te njeriu?
Krimi dhe vandalizmi serb ushtruar mbi neve dhe tokat tona, ashtu sikurse edhe në fillim, paraqitet edhe përgjatë romanit dhe ai vandalizëm për fatin e keq vije që nga ardhja e tyre në trojet tona dhe vazhdoi për 1300 vjet radhazi: – “Vonë u mor vesh se serbët e kishin mbushur me dhe portën hyrëse këtu, dhe daljen e saj sekrete jashtë mureve. Ndoshta, edhe brenda galerive e korridoreve nëntokësore kanë bërë̈ shkatërrime. As gurët e mëdhenj me reliev emblemash që ndodheshin pranë portave nuk ishin parë më.” ose:
“- Këtu, në tokën tonë, në mesin e tempujve e kështjellave tona jeni të padëshiruar hirësi! – ungji Kurt ia kthej letrën atij që ia dha, duke e shikuar me ngulm popin sy çakërdisur”, – na vije përmes një pelegrinazhi që e paraqet autori nga pelegrinazhet që asgjë më fenë e besimin nuk kanë të bëjnë.
Ata, pelegrinët pra, vazhdojnë t’i fanitën Martinit si vegim. Martini në turmën e pelegrinëve e pikas një diçka të veçantë me një veladon të zi mu si punët e tij dhe të pelegrinëve tjerë. Vërtetë realitet i trisht:
“O Zot, thirri për të dytën herë me zërin e brendshëm duke e pyetur veten: A mund të ndodhë që komandanti gjakësor të shndërrohet në pop paqësor?”
Vetë kjo pyetje e nxjerr nga zëri i brendshëm i Martinit, të lexuesi plasohet informatë për të kuptuar se çfarë janë në gjendje të bëjnë ata që edhe udhëheqës shpirtëror i bëjnë kriminelët me duar të përgjakura deri në bërryla e më lartë:
“Dushan?!
Me të dëgjuar këtë emër, popi, vrullshëm kthej kokën nga Martini. Pas një vështrimi pyetës, hutaq e të frikshëm njëherësh, ia kthej kurrizin për të dytën herë dhe i shpejtoi hapat, kur nga turma erdhi një zë i çjerrë femre:
– Kapeni! Ky është Dushani, vrasësi i gjimnazistëve.”
Nganjëherë nuk duhen shumë fjalë për të thënë shumë, sikurse edhe në këtë rast. Mua më duket se me vetëm pak fjalë autori e pasqyron një të vërtetë të madhe.
Popi, Dushani… vrasësi i gjimnazistëve dhe secili nga pelegrinët mund të jetë një Dushan në vete, një vrasës, një kriminel e krimineli gjithmonë kthehet te vendi i krimit. Për çka tjetër kthehen ata nën veladonët e zonjë nën maskën e pelegrinëve.
Në libër, për çudi, edhe pse trajtohen periudha të ndryshme, personazhe ka pak. Martini , Zana, Uli, Liria, Genti, Teuta, Bardhi, Manushaqja, Atëgjyshi i madh. Atëgjyshi, Ungji i madh figurë krejt episodike, Kurti, Haxhi Çetina e Mirushi, Pali e Rroki po edhe ndonjë tjetër që nuk po e përmendi, janë personazhe qe secili e luan rolin e vet si në një teatër dhe për mungesën e secilit prej tyre do të mbetej një ngjarje e pathënë, do të mbetej një ballafaqim mes realitetesh i pabërë.
Kur është fjala te personazhet, është në natyrën e lexuesit që të përpiqet ta identifikoj ndonjërin syresh. Mua ma ka tërhequr vëmendjen Martini dhe jam në të drejtën time si lexues i një romani modern, natyrisht nga këndvështrimi im mund të them se te Martini e kam gjetur njeriun real me që gjithçka ka përjetuar madje edhe ringjalljen.
Kafeneja “Veterani” dhe dy nga mysafirët janë faktorët kryesor që mua më kanë çuar të them se e kam identifikuar kryepersonazhin dhe personazhin tjetër – agjentin e sigurimit të shtetit.
“Në derë u panë të hynin disa nëpunës. E përshëndetën kafetarin dhe zunë vend në tryezën e madhe, të rezervuar për të zgjedhurit. Martini u meh kur e pa agjentin e Sigurimit të Shtetit, i cili, pas një̈ vështrimi përbuzës e plot urrejtje zuri vend në karrige duke ia kthyer shpinën…
…Pritet të ketë lëvizje të mëdha shpirtrash engjëllorë, por, ua kam frikën shumë shpirtrave djallëzorë, turq, arabë, serbë, të rimishëruar në arnautë qyqarë dhe vështrimin e kthej andej nga kryeprokurori, duke thënë: kurse ai, në trupin e tij të rimishëruar, ka shpirt çetnik… e shoh unë…”
Për të mos u zgjatur shumë, tani duhet të ndalem pak edhe te gjuha e romanit. Autori e ka përdorur një gjuhë të pastër, fjali të qarta e të strukturuara mirë, gjatë leximit te të cilave duket sikur dëgjon një melodi të lehtë baritore edhe përkundër uturimave të blindave e rafalëve të armëve vrastare të serbëve pushtues. Leximi nuk bëhet i mërzitshëm por të mbanë pezull dhe të shtynë të ecësh para duke i shfletuar fletët njërën pas tjetrës, mirëpo, ka një gjë që mua nuk më ka pëlqyer dhe duhet të ia them autorit. Në libër gjenden disa fjalë, që nuk besoj t’i kuptojnë shumë lexues, mes të cilëve edhe unë. Mbase janë nga leksiku nga vjen autori, pra lokalizma dhe kjo nuk është ajo që mua nuk më ka pëlqyer, por është se e vetmja fjalë që e ka shpjegimin në fund të faqes është shteçorja. Fjalët tjera si: treme, lahore, krahtsa (ve), bruça, kojkë, zmojle, vikamë, grizhtë, kshetëz, bohorrit, absida, nefe, narteksi, nuk i kanë dhe do të ishte shumë më mirë t’i kishin sqarimet në fund të faqes. Shpresoj që të kuptohem drejtë prej mikut tim Muharrem Blakaj dhe në të ardhmen, ngase Muharremi nuk ndalet së shkruari, këtë ta merr në konsideratë.
E dij se edhe të tjerë para meje kanë thënë se ky roman është një roman psikologjiko-filozofik, por nuk e dij a e ka thënë ndonjëri se ky roman ka edhe elemente të një romani autobiografik, siç mendoj unë.
Aty nga kapitujt e fundit të librit sikur duket se Martini është vetë autori. Këtë mendim tek unë më së shumti e përforcon përshkrimi i takimit të rastësishëm të Martinit në Kafenenë “Vetrani” me agjentin e sigurimit të shtetit dhe me prokurorin… Ashtu sikur Martini, kryepersonazhi i librit, edhe autori i librit i ka kaluar të gjithë rrathët e ferrit dhe përsëri është ringjallur dhe këta rrathë mund ti kuptojnë vetëm ata që i kanë kaluar. Dhe sigurisht lexuesit e as juve që me siguri do të jeni lexues të ardhshëm të këtij libri nuk e dini dhe nuk do ta kishit ditur që Martini i librit është vetë autori ose autori është Martini i librit, kuptohet sipas mendimit tim. Aty diku nga fundi i librit, fillimisht në kafenenë “Veterani” paraqitet një personazh fare epizodik në libër, por që në vitet 70, 80, 90 kishte rol bukur të madh duke lënë gjurmë në jetën e shumë njerëzve, gjurmë që kurrë nuk fshihen, vrragë. Sikur të mos i dija disa të veçanta nga biografia e autorit kurrë nuk do të më shkonte mendja se në përsonazhin “agjenti i sigurimit të shtetit”, fshihet një agjent real që për faqen e zezë e turpin e atyre që ia kanë dhënë, sot e bart statusin e veteranit dhe natyrisht shkon edhe në Kafenenë “Veterani” ku mund ta takoj edhe në të ardhmn edhe Martini, edhe autori, edhe unë por edhe lexuesit e këtij libri.
Tani fare në fund të nderuar, ndoshta edhe nuk ia qëllova, por këtë të drejt ma jep arti modern ngase secili lexues i letërsisë moderne, ashtu siç e thash edhe më lartë mund ta interpretoj nga këndvështrimi i tij, ashtu si e interpretova edhe unë, sot para jush.
Juve ju faleminderit për vëmendjen, autorit edhe më tutje suksese e librit rrugë të mbarë për të lexuesi!
Buchs, 20. 1. 2024