Pas sportistëve shqiptarë, në Zvicër vëmendje e dukshme po i kushtohet edhe kulturës shqiptare. Në këtë vazhdë do shikuar manifestimin e mbrëmshëm në lokalitetin Spreitenbach afër Cyrihut, ku “Shpërblimi kulturor 2018” iu nda Grupit të Vallëzimit “Rinia”, në vlerë prej 10 mijë frangash, për angazhim të veçantë në fushën e kulturës. Shpërblimin e ndau komuna e këtushme, ndërsa e mjetet në shumë prej 10 mijë frangash i dha Shoppi Tivoli.
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Spreitenbach 19 Tetor 2018: Ky shpërblim nga përfaqësuesit e kësaj komune që i jep një rëndësi të veçantë kulturave të komuniteteve, përfshi edhe atë shqiptare, që sivjet e radhiti si të parën, iu dorëzua kryetarit tejet dinamik e entuziast të Grupit “Rinia”, Sherif Dakaj, i cili edhe mbajti një fjalë falënderimi, e ku foli edhe për punën shtatëvjeçare të grupit që ka fitua një reputacion jo vetëm tek shqiptarët por edhe tek vendasit në këtë regjion me paraqitjet e tij me valle e këngë shqiptare.
Grupi i Vallëzimit “Rinia” në Spreitenbach, i cili si mision ka ruajtjen e traditës dhe kulturës sonë në Zvicër, ka fituar një shpërblim prej 10 mijë frangave nga komuna zvicerane e Spreitenbach-ut. Në shtatë vjet ekzistencë, grupi “Rinia” ka performuar me veshjet kombëtare rreth njëqind herë në Zvicër. Ndërsa që pjesë e këtij grupi janë 40 fëmijë dhe të rritur të moshave nga 5 deri 30 vjeç.
Mbrëmë ky çmim iu dorëzua grupit “Rinia” në prani të përfaqësuesve të kësaj komune, si dhe anëtarëve të grupit që dhanë një program solid artistik. Përfaqësuesja e komunës vlerësoi lartë punën e Grupit “Rinia” si në rrafshin kulturor ashtu edhe në atë integrues. Pasi iu dorëzua ky shpërblim, kryetari i grupit, Sherif Dakaj i dhuroi përfaqësuesit të komunës librin tim “Shtegtimet e një gazetari”, pasi libri pos në shqip e anglisht i tëri është i përkthyer edhe në gjermanisht.
Në këtë manifestim shqiptaro-zviceran, këtë gëzim të përbashkët e ndanë edhe prindërit e anëtarëve bashkë me konsullin e Cyrihut zonjën, Shukrije Ramadani, e cila si veprimtari kryesore të saj pranë konsullatës ka fushën e arteve dhe kulturës.