Rexhep Kryeziu, korife vreshtarie, pensionohet me vlerësime të larta të firmës zvicerane

Wehrli Weinbau AG, me rastin e pensionimit, ku punoi për 23 vjet, ky ekspert me prejardhje nga Rahoveci, përmes një certifikate, potencon se ky kolektiv është zhvilluar shumë në mënyrë cilësore dhe sasiore në dekadat e fundit dhe se ky zhvillim pozitiv i fermës është falë njohurive të thella të profesionit dhe përkushtimit me pasion të Rexhep Kryeziut

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Sapo është pensionuar njëri nga ekspertët më të shquar të vreshtarisë dhe vertarisë nga radhët e shqiptarëve në Zvicër: Rexhep Kryeziu, me prejardhje nga Denja e Rahovecit, një ekspert i vërtetë vreshtarie, që menaxhoi një sipërfaqe të madhe rrushi në Kantonin e Aargaut.

Me rastin e pensionimit firma e tij e punës, Wehrli Weinbau AG, i lëshoi një certifikatë mirënjohjeje ku jepet një vlerësim i lartë për punën e tij si njeri dhe ekspertë. Po e japim tekstualisht këtë certifikatë të përkthyer shqip:

Certifikata e punës për Rexhep Kryeziun

Rexhep Kryeziu punoi 23 vjet në kompaninë tonë Vreshtari-Verëtari. Ai ishte kryesisht udhëheqës me përgjegjësi për punët në vreshtat e fermës tonë. Kjo përfshinte punët si krasitja e hardhisë, puna me gjethet, vjelja e vjeshtës, mbjellja e hardhisë, por edhe aktivitetet mekanike si spërkatjet bëheshin nën drejtimin e Rexhepit.

Në bodrum, ai ndihmoi në punët e filtrimeve të verës, pranimin dhe përpunimin e rrushit. Gjithashtu, shpërndarja e verës ishte një nga detyrat e tij. Në vreshta Rexhep Kryeziu ishte përgjegjës për të drejtuar punën me të punësuarit dhe atë me ekspertizë dhe përkushtim të madh. Wehrli Weinbau AG është zhvilluar shumë në mënyrë cilësore dhe sasiore në dekadat e fundit. Ky zhvillim pozitiv i fermës është falë njohurive të thella të profesionit dhe përkushtimit me pasion të Rexhep Kryeziut. Përmes punës së tij të kujdesshme në vreshta, gjithmonë mund të vilej rrushi me cilësi të lartë.

Përparim masiv në cilësinë e rrushit

Më tej në Certifikatë thuhet se: Veçanërisht, përmes intervenimit të tij operativ në krasitjen e hardhisë, ka bërë përparim masiv në cilësinë e rrushit. Planifikimi i punëve në vreshta u ndikua në mënyrë të vendosur nga ai. Verërat e sotme të lidhura me terroirin e familjes Wehrli mbajnë nënshkrimin e Rexhep Kryeziut. Nëpërmjet njohurive të tij të thella dhe njohurive mbi rëndësinë e efekteve të tokës, ai kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin e mëtejshëm të terroirit.

Kështu që në të ardhmen filozofia e tij do të vazhdojë në vreshtat tona. Në fund të shkurtit 2019 Rexhep Kryeziu del në pension. Ne e falënderojmë atë për shumë vite bashkëpunimi të vlefshëm, të gjitha kontributet e çmuara dhe njohuritë e mëdha që i ka kaluar në familjen e verës Wehrli gjatë këtyre viteve. Për të ardhmen, ne dëshirojmë Rexhepit vetëm më të mirat dhe shëndetin më të mirë, shumë gëzim në rrethin e familjes dhe miqtë dhe natyrisht në aktivitetet e tjera në vreshtari. Küttigen, 28. Shkurt. 2019 Peter Wehrli „Wehrli“ Weinbau

Po cili është ky korife vreshtarie që në Zvicër bëri emër?!

Rexhep Kryeziu, me prejardhje nga Denja e Rahovecit, që njihet si një ekspert i vërtetë vreshtarie, e që menaxhoi një sipërfaqe të madhe rrushi në Kantonin e Aargaut, nuk është një vreshtar dosido, por një specialist i shquar, që me afinitetin dhe punën e tij ka fituar respekt, si në vendlindje, ashtu edhe në vendin ku jeton.

Do theksuar se Rexhepi nuk erdhi i papërgatitur në Zvicër, por se këtu e përsosi edhe më shumë artin që ia përcaktoi vetes. Sipas tij edhe vreshtaria është jo vetëm një pasion, por edhe një lloj arti në vete. Ndaj edhe ai pasionin e ktheu në art!

«Buka e fituar prej rrushi ka shtatë kore !

Rexhep Kryeziu ka shijuar varietete të shumta rrushi që i ka kultivuar, apo edhe lloje të verërave që i ka prodhuar vet në Zvicër, por nuk ia heqin mallin e atyre të Rahovecit. «Buka e fituar prej rrushi ka shtatë kore, porse dobinë e saj vështirë e zëvendëson ndonjë bukë tjetër!», pohon ai.

Gjatë një bisede me te ai përkujton se: «Pasi e kreva shkollën e mesme bujqësore në Pejë, u regjistrova në Fakultetin Agroekonomik në Beograd, dega për hortikulturë dhe pemëtari-vreshtari. Me të përfunduar vitin e tretë të studimeve, për shkak të rrethanave politike të vitit 1981, u detyrova t’i ndërpres studimet dhe të emigroj në Zvicër. Në saje të njohurive nga vendlindja, shpejt u inkuadrova në profesion. M’u desh punë, angazhim e ngritje e mëtejme që ta fitoj besimin e vreshtarëve dhe të prodhuesve vendës të verës», tregon Kryeziu.

Reputacion në radhët e ekspertëve zviceranë

Ky rahovecian që monitoroi më tepër se 30 hektarë vreshta në firmën «Reb und Veinbau Wehrli», ku dallonte me punë që nga kitja, stërpikja, grumbullimi, klasifikimi dhe prodhimi i verës së një cilësie të lartë. Për njohuritë e thella në këtë lëmë, ai gëzoi reputacion edhe në radhët e ekspertëve të këtushëm. Puna dhe dituria në këtë fushë e kanë bërë emrin e tij tejet të njohur. Në disa tiketa shishesh vere figuron si ‹Baca Merlot›, ngjashëm me një emërtim të tij në Facebook, ku zakonisht u jep këshilla profesionale vreshtarëve këtu e në Kosovë. Në saje të eksperimenteve të tij tash varieteti i rrushit merlot po mbillet edhe në disa sipërfaqe të Aargaut. Përndryshe, Kryeziu është autor i librave «Kitja e vreshtës» dhe «Nga hardhia deri në gotë» dhe bashkautor me ekspertë zviceranë i librit «Stein und Wein»; në shqip: «Gur dhe verë».Ndërsa tash ka përgatit edhe një libër të ri për shtyp.

Pikërisht për këtë shkak, ai edhe publikon fotografi e shkrime për vreshtat dhe verërat. Ai thekson se rrushi vepron si tonik natyral i organizmit, që ngadalëson plakjen, bën pastrimin e gjakut, eliminon dukshëm shtresat e yndyrës dhe e forcon zemrën.

Pos si ekspert i vreshtarisë, Rexhep Kryeziu dallon edhe si një njeri shumë i afërt dhe i dashur, si në vendlindje, ashtu edhe në mërgatë. Vetia për të komunikuar me sa më shumë njerëz, sidomos nga lëmi i profesionit, i ka krijuar vend meritor brenda firmës Wehrli-3 në Küttigen.

E kaluara – e ardhme

Krahas punës dhe profesionit, Kryeziu i ka kushtuar rëndësi shkollimit dhe edukimit të katër fëmijëve: tre djemve dhe një vajze. Në saje të kujdesit të tij dhe të së shoqes, Xhemiles, i biri i madh Genci tash është inxhinieri elektroekonomisë në një gjigant industrial; i dytë, Besniku, punon si automontues në Aarau; i treti Kreshniku me profesion është magazinier, por dhe reper i popullarizuar ne Zvicër. Ai në opinionin zviceran është i njohur me emrin «Kresh». E bija Qëndresa e ka kryer shkollën e lartë të higjienës dentale.

Gatishmëri për të ndihmuar vreshtarët e Kosovës

Në një bisedë të më hershme derisa e vizitoja në vreshta, më patë deklaruar se: «Do të doja t’i ndihmoj vreshtarët e Kosovës me përvojën e fituar në Zvicër, qoftë në vreshta, apo në podrume vere. Ta ndihmoj qytetin tim Rahovecin, meqë e ka një traditë në kultivimin e rrushit dhe në prodhimin e verës. Hapi im më i madh që dua të bëj është kthimi në Kosovë, që kontributin ta vazhdoj atje».

Një kalavesh rrushi me gjysmë buke furre!

Tash kur po shkeli në të 77-tata, dua të kthehem me kujtime: Në fëmijëri, sa herë përmendej Rahoveci, e parafytyronim një kalavesh rrushi me bukë furre në një qoshe pazari, pa e ditur se ai rrush i ëmbël ishte burim jete për shumë familje të rajonit të Podrimës. Tash, pas sa dekadash, edhe në Zvicër takova disa herë këtë rahovecian, si në vreshta si në shtëpinë tij ku sa e sa herë ngrehëm dolli, madje edhe me poetin e mirënjohur mikun tonë të përbashkët, Mentor Thaqi.

Dhe krejt në fund edhe në emër të portalit tonë prointegra.ch i uroj një pension me shumë shëndet e vullnet, si deri më tash, duke prit që këshillat e tij prej një eksperti të shquar vreshtarie e vertarie të zënë vend edhe në portalin tonë.

 

(Këtu po sjelli në origjinal edhe faksimilen e certifikatës së firmës Wehrli Weinbau AG në gjermanisht)