Me iniciativën e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, u shfaq dokumentari “Return to Kosovo” i gazetarit britanik Julius Strauss, një rrëfim i fuqishëm mbi tragjedinë e luftës në Kosovë. Filmi sjell historinë prekëse të familjes Deliu, ku Besnik Deliu – atëbotë vetëm pesëvjeçar – mbijetoi masakrën e Abrisë së Epërme, në të cilën humbën jetën 23 anëtarë të familjes së tij.
Konsulli i Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, e cilësoi këtë ngjarje si një ndër momentet më të veçanta të detyrës së tij diplomatike, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe të qëndresës së popullit shqiptar.
Në mbrëmje morën pjesë përfaqësues të shumë shteteve mike, ndër to nga Shqipëria, Turqia, Kroacia, Portugalia, Seychelles, Italia, Japonia, Belgjika, Republika Çeke, Estonia, Sllovakia, Gambia, Bahamas, Malta dhe Monako. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues politikë nga Zvicra, mes tyre deputetët kantonalë Drin Alaj dhe Daniel Wäfler, deputeti i qytetit të Cyrihut Dafi Muharemi, si dhe Labinot Demaj, Sekretar i Përgjithshëm i Departamentit të Shëndetësisë në Kantonin e Cyrihut.
Në mesin e të pranishmëve ishin edhe komuniteti mysliman shqiptar në Zvicër, misionet katolike shqiptare, shoqata kulturore, sportive e studentore, mjekë, biznese dhe artdashës të shumtë, të cilët me praninë e tyre dëshmuan unitetin dhe fuqinë e diasporës sonë.
Atmosferën artistike e pasuroi pianistja Flutura Bytyqi, ndërsa momentet e mbrëmjes u dokumentuan nga fotografët Daut Luboja dhe Xhelal Simixhiu.
Ky aktivitet u përkrah nga disa biznese shqiptare në Zvicër: R.B Import Export – Basel, Spitex Melina’s Medical Care, Anadrini, Supreme Security, Da Paulo.
Pjesëmarrjen dhe mbulimin mediatik e ofruan: Helveticalforum, albinfo.ch, Albradio, Alb’swiss TV, SYRI TV, prointegra.ch, SAM24, Epiqendra.com, Plus Televizion, Demos, Radio Klina.
Konsullata e Kosovës në Cyrih njoftoi se detaje të tjera mbi këtë aktivitet do të publikohen së shpejti në faqen e saj zyrtare.




















