Lidhur me aksionin e ndërmarrë në komunat veriore të Kosovës, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili nëpërmjet rrjetit social ka thënë se Serbia nuk duhet të provojë të minimizojë krimin e shtetasve të vet në Veri të Kosovës.
Ai ka thënë se sundimi i ligjit është interes jo vetëm i Kosovës por edhe gjithë rajonit, prandaj ka theksuar se Kosova do të jetë gjithmonë e gatshme të veprojë në këtë drejtim. Krimi i organizuar dhe kontrabanda e kërcënojnë stabilitetin e vendit tonë ka thënë kryeministri, prandaj ka shtuar se jemi të vendosur që ta luftojmë atë deri në c’rrënjosje.
Ndërkohë, operacioni policor i cili po shtrihet në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas, deri më tani ka rezultuar me arrestimin e disa qytetarëve dhe disa zyrtarëve policorë të nacionaliteteve të ndryshme si shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, të cilët kanë qenë të dyshuar.