SHKA “Rapsha” e themeluar në vitin 1978 në Malësinë e Madhe, do mbajtur mend si ansambël që shquhet jo vetëm për këngë, valle e kostume autoktone, por edhe për organizime festivalesh me dimensione kombëtare, por edhe si grupi i parë nga Mali i Zi që mori pjesë në manifestimin arbëresh “Vëllazëria 2019” në Kazallveqi (Casalvecchio di Puglia)
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Derisa nuk morra pjesë në një ngjarje kulturore me dimensione kombëtare në lokalitetin Vitojë, afër Tuzit, vështirë do të bindesha se një shoqatë nga Malësia e Madhe do të ishte në gjendje të organizoj një festival aso përmasash, po pas as ndihmën minimale financiare të institucioneve përkatëse. Por aty e pash se ç`do të thotë dhe se s’mund të bëjë një shpirt artdashës për kulturën dhe artin e vet, veçmas atë që e kultivon prej shekujsh në një ambient pak sa më të veçantë siç është Malësia e Madhe.
Skena e hapur Vitojë të Tuzit, tuboi 25 grupe nga gjitha trojet shqiptare
Festivali i mbajtur nga data 18- 20 Gusht 2017, që i përkiste edicionit të pestë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Rapsha 2017”- Malësia e Madhe, mbajtur në skenën e hapur në Vitojë afër Tuzit, kishte arrit të tubojë 25 grupe nga trojet shqiptare, si dhe nga Kalabria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte kjo një ngjarje me peshë sa etno-kulturore aq edhe kombëtare, pasi në te defiluan grupe të shumta që përmes këngëve, valleve dhe kostumeve përplot shije e kolorit dëshmuan edhe njëherë se arti popullor në mjaft mese tona dhe mërgatë po ruhet e kultivohet me shumë mund e dashuri. Në zemër e në shpirt të malësorëve- ritet e zakonet e të parëve
Organizatore e pesë festivaleve dhe fituese e shumë mirënjohjeve
Vetë, Shoqëria “Rapsha”, shquhet për një organizim të shkëlqyer, me një kryesi thuaja se përherë shembullore, e që rreth vetes ka një trup artistike, që ku do që është paraqit në festivale, qoftë në rrafshin rajonal, republikan apo edhe ndërkombëtar, ka shndritë dhe fituar jo vetëm mirënjohje por edhe admirim e respekt, falë artit që kultivon tash e dyzet vite. Madje edhe vet “Rapsha” për të 5-tën herë, në lokalitetin e quajtur Vitojë, është organizatore e një festivali madhështor, me pjesëmarrje e një publiku të gjerë prej disa mijëra vetave dhe dhjetëra grupeve artistike nga mbarë trojet etnike.
Mërgimtarët tej Atlantikut, dora djathtë e shoqërisë “Rapsha”
Madhështia e manifestimeve në Vitojë është rezultat i dashurisë së madhe që kanë malësorët për artin, kulturën e traditën e tyre përfshi edhe ata mijëra mërgimtarë nga kjo anë që punojnë dhe jetojnë edhe në Amerikë e vendet tjera tej Atlantikut, por që verës nuk i lëshojnë festivalet pa marrë pjesë në to, sepse edhe ata janë pjesë e kësaj trupe artistike, që e kanë mbështet si moralisht ashtu edhe materialisht. Por zemërgjerësia ka kulmuar në vitin 2002 , me rastin e rregullimit të hapësirës së burimit të Vitojës , ku edhe mbahet festivali, për çka edhe familja e Gjon L. Gjonaj, që shoqatës i dha truallin në përdorim, në afat të pacaktuar.
Në festivalin e fundit, më 2017, pati përherë të parë edhe dy grupe arbëreshe pjesëmarrëse në këtë festival tradicional, falë veprimtarit të palodhshëm, Pirro Qendra, me prejardhje nga Berati, por qe është hallka kryesore për ndërlidhjen dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes arbëreshëve dhe grupeve të tjera artistike, qoftë në trojet etnike apo në mërgatë.
Takimi “Rapshën” në Festivalin mbarëkombëtar në Vuthaj të Gucisë
Vetëm një vit para se të mbahej ky festival gjatë pjesëmarrjes sime në Festivalin mbarëkombëtar në Vuthaj të Gucisë, për herë të dytë ( pas festivalit në Gjonaj) pata rastin të takoj anëtarët e Shoqërisë Kulturore-Artistike “Rapsha”, të Malësisë së Madhe dhe menjëherë sikur u mishërova me këtë grup simpatik artistik që të kënaq syrin e shpirtin edhe me lojë e edhe me veshje dhe me origjinalitetit, duke sjell në skenë përherë valle përplot kolorite e muzikalitet, sidomos me veshjen karakteristike të vashave me xhubletën disa shekullore shqiptare.
Dashuria që ka kjo shoqëria artistike për kulturën e traditën e të parëve, ka bërë që ajo të fitojë simpatinë e publikut por edhe të fitojë vlerësime tejet pozitive nga ana e jurive, aq më parë kur dihet se në ç ‘mes dhe në ç ‘kushte veprojnë anëtarët e saj të mbështetur kryesisht në vullnet e entuziazëm rinor, duke pas mbështetjen e vetme nga mërgata e madhe shqiptare e kësaj ane tej Atlantikut. Atëbotë nga ish kryetari i shoqërisë, Kryetari Luce Junçaj, pata mësuar se ”Rapsha” ishte pjesëmarrëse e disa manifestimeve e festivaleve, si në Kishnicë të Prishtinës, ku u vlerësua me çmim të parë, për vallen më të mirë të Festivalit, të interpretuar nga valltari, njëkohësisht dhe koreografi i shoqatës, Driton Junçaj si dhe Violetë Junçaj.
“Rapsha” kalon suazat e një Malësie të Madhe
Ndërkohë “Rapsha” kaloi suazat edhe jashtë vendit ku jeton , madje edhe tej Adriatikut, ku u ftua në manifestimin “Vëllazëria 2019” në Kazallveqi (Casalvecchio di Puglia. Aktualiteti po tregon se askush nuk mund të lidh popujt e komunitetet më shumë se kultura e sportet, veçmas kur ka të bëjë me një kulturë të përbashkët gjuhësore, si në rastin e pjesëmarrjes së SHKA” Rapsha” nga Drume e Malësisë së Madhe në manifestimin e madh arbëresh në Kazallveqi të rrethit të Foxhës në Itali, manifestim ky tradicional, që organizohet viteve të fundit me emërtimin “VËLLAZËRIA”, e ku së fundmi morën pjesë rreth 10 grupe artistike, kryesisht arbëreshe, si dhe artistë nga trojet tjera shqiptare, përfshi edhe Shqipërinë e Kosovën.
SHKA “Rapsha” edhe në rrethin e Foxhies ku jetojnë disa katunde arbëreshe, tregoi se malësoret si në zemër ashtu edhe në shpirt kanë ruajtur dhe bartur në breza, gjuhë, traditën, veshjen bashkë me këngën e vallen shqiptare. Ndonëse të ndarë nga shteti amë, malësorët e Malësisë së Madhe, me përpjekje mbinjerëzore ruajtën gjuhën dhe traditat e të parëve , madje edhe ritet e zakonet, vlerë kjo jo vetëm për këtë regjion por edhe për kulturën e gjithmbarshme shqiptare.
Artistët e “Rapshës” fituan simpatinë e vëllezërve arbëresh
Derisa shoqëroja nga pozita e gazetarit “Rapshën”, pash sesi ky grup vazhdimisht ishte në qendër të vëmendjes së vëllezërve arbëresh. Pra nga grupet vendase edhe ato mysafire, vëmendjen e qindra artdashësve e tërhoqi gjithsesi “Rapsha” si me këngë e valle e sidomos me xhubletën shekullore që e bartnin krenarisht artistet nga Malësia e Madhe që ishin jo vetë në shënjestër të shumë objektivave e kamerave, por edhe që admiroheshin me të madhe nga motrat dhe vëllezërit arbëresh, që donin të vallëzonin së bashku me artistët nga Malësia e Mbishkodrës, siç e quajnë pjesën e disa vendbanimeve të Hotit, përgjatë liqenit të Shkodrës.
Si defileu përgjatë rrugëve të Kazallveqit ( Casalvecchio di Puglia), bashkë me grupet pjesëmarrëse arbëreshe, ashtu edhe dalja në skenë për vendasit ishte një sihariq i vërtetë, sepse përherë të parë në qytezën e tyre shihnin një grup shumë atraktiv e unik, si në këngë, valle e kostume tradicionale të një treve shumë të veçantë shqiptare, që përherë të parë shkelte në këtë pjesë të Arbërisë.
Arbëreshët e vegjël, në krahët e artisteve veshur me xhubleta !
Një dimension ne veti manifestimit i dha edhe pjesëmarrja e fëmijëve dhe të moshuarve, çka bëri që manifestimi “VËLLAZËRIA 2019” të mbahet mend, gjatë për një organizim shembullor, por edhe për pjesëmarrjen e parë të një ansambli artistik nga Malësia e Madhe në mesin e motrave dhe vëllezërve arbëresh. Sidomos pati interesime nga vetë arbëreshët që fëmijët e tyre të fotografoheshin në krahët e artisteve të bukura të “Rapshes”, të veshur me xhubleta !