“Rapsha” nga Malësia e Madhe në manifestimin “Vëllazëria” në Casalvecchio di Puglia

Nga data 19 – 21 Korrik 2019 në Kazallveqi ( Casalvecchio di Puglia) të rrethit të Foxhës në Itali mbahet manifestim tashmë tradicional i treti me radhë, me emërtimin “VËLLAZËRIA”, ku do të marrin pjesë 8 grupe arbëreshe, ndërsa për herë të parë është ftuar edhe një grup artistik i Malësisë së Madhe: SHKA “ RAPSHA” nga rrethina e Tuzit të Malit të Zi.- Portali ynë prointegra.ch do të raportojë për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore arbëreshe

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Trupa artistike “Rapsha” nga Drume- Hot, është themeluar në vitin 1978 dhe aktualisht paraqet njërin nga grupet më karakteristike që kultivon një folklor autokton burimor të një zone me një trashëgimi të madhe kulturore prej shekujsh, ndërsa që femrat edhe më tej bartin xhubletën e lashtë qindravjeçare.
“Rapsha” pos që është fituese e shumë çmimeve në festivale të ndryshme , është edhe organizatore e një festivali madhështor tradicional, që zakonisht tubon mijëra pjesëmarrës dhe dhjetëra grupe artistike nga viset e ndryshme shqiptare.

SHKA “Rapsha” në manifestimin kulturor “Vëllazëria” merr me ftesën e kryetarit të bashkisë së këtushme, zotëri· Noè Andreano, një intelektuali shumë energjik dhe dashamiri të madh të kulturës që shoqëron grupet arbëreshe edhe në Shqipëri, Kosovë e gjetiu. Për pjesëmarrjen kësaj grupe e artistike të Malësisë së madhe, merita i përket mërgimtarit dhe veprimtarit të palodhshëm Pirro Qendro, i cili prej vitesh bënë një punë të jashtëzakonshme për ndërlidhjen e grupeve artistike arbëreshe me grupe nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi e Mërgata, ku edhe i ka sjellë ato viteve të fundit, duke u bërë kështu një urë komunikimi ndërkulturor.

Kësaj radhe, ndihem më se i privilegjuar që do të jem pjesëmarrës në këtë ngjarje kulturore, i ftuar nga veprimtari i palodhshëm Luca Juncaj, kryetar i SHKA “Rapsha”, të cilin edhe e falënderoj për ftesën që të jem në shoqërim të kësaj trupe artistike në manifestimin V Ë L L A Z Ë R I A në Casalvecchio di Puglia, që mbahet për të tretin vit radhazi, e ku marrin pjesë edhe 7-8 grupe artistike arbëreshe.

SHKA “Rapsha” sipas programit do të ketë dy para qitje më 19 dhe 20 Korrik në sheshin e katundit Kazallveqi ( Casalvecchio di Puglia) edhe atë nga ora 16, ndërsa që do të ketë edhe defile me kostume arbëreshe të grupeve artistike nga Kalabria dhe rrethet tjera ku jetojnë arbëreshët. Nga ky manifestim por edhe vizita në fshatrat arbëreshe, do të raportoj këtu në portalin tonë prointegra.ch por edhe fb të tij.
(Pos fotove që i kam shkrep SHKA “Rapsha” në festivalin e parvjetmë afër Tuzit, po postoj edhe disa foto të postuara në fb e organizatorit kryetarit Noè Andreano, bashkë me një foto të tij në uniformën e bashkiakut)