“Rapsha në mërgim” tej Atlantiku, bartëse e traditave të Malësisë së Madhe  

 

Kjo shoqëri me seli në Detroid, që udhëhiqet nga Anton Marku Juncaj,  me rreth 40 anëtarë, e themeluar me ish- anëtarët e “Papshës” në vendlindje e që në gjirin e saj ka tubuar edhe të rinj të lindur në Amerikë, që lozin këngën e vallen , sipas shembullit SHKA-së “Rapsha” -Hot, Malësi e Madhe, që është njëra nga shoqëritë më të shquara shqiptare.

 Nga Rexhep Rifati

Shqiptarët kudo që kanë mërguar, kanë bartur një copë vendlindje në kurbet, qoftë doket apo zakonet, këngët, vallet apo veshjet apo edhe relikte të tjera nga fusha e etno-gjenezës, duke jetua në dhe të huaj, por duke bashkëjetuar më atë pjesë të kulturës që e kanë trashëgua nga të parët. Si asnjë pjesë e  popullatës shqiptare, nuk ka qenë më kultivuese apo thënë edhe më fanatike, sesa pjesa e migruar e popullatës nga Malësia e Madhe e cila, ndonëse ka migruar edhe tej Atlantikut, bashkëjeton në masë të madhe me zakonet e vendlindjes.

Më konkretisht është pikërisht SHKA “Rapsha në mërgim” e themeluar qysh në vitin 2012, si degë e ndarë nga trungu i simotrës së saj “Rapsha” – Drume- Hot, që në fakt është një nga shoqëritë më të organizuara e më cilësore shqiptare që ruan në shkallë të lartë këngën e vallen e sidomos veshjen autoktone të femrave, xhubletën mijëvjeçare.

Një nga ish- anëtarët e kësaj shoqërie që vepron prej katër dekadash në malësi të Madhe,  Anton Marku Juncaj, i cili ndonëse migroi në Miçigan (Michigen) të Amerikës, asnjëherë nuk i shkëputi lidhjet me vendlindjen. Madje ai duke mbledhur afër vetës edhe bashkëvendës të tjerë që kishin migruar atje, në rend të parë profesor Anton Lajçaj i cili ka qenë kryetar i Shoqatës Kulturore-Artistike “Rapsha”, që ishte organizatorja e Festivalit të Parë Folklorik Mbarëkombëtar mbajtur në “Vitoje” në gusht 2003.

Pra SHKA “Rapsha në mërgim”, siç thotë kryetari i saj (me të cilin vumë një komunikim përmes postës elektronike), lindi dhe u zhvillua me nismën e disa ish-anëtarëve të SHKA “Rapsha- Hot” Malësi e Madhe që kishin migruar në Amerikë.
Nga biseda me Anton Juncajn, të cilin e kisha takuar edhe në festivalin e fundit në Vitojë, mësojmë se kjo shoqëria që udhëheq ai në mërgatë nga viti në vit është rritë dhe ka zgjeruar aktivitetin sa sot të numërojë rreth 40 anëtarë.

-“Rapsha në mërgim”, ka si cak dhe qëllim ka ruajtjen e vlerave kombëtare, duke ruajte e kultivuar vallet tona burimore të Malësisë së Madhe, – thotë Anton Juncaj, ndërsa që shoqëria është pjesëmarrës

e në shumë manifestime e ngjarje me karakter kulturor e kombëtare në mesin e mërgimtarëve por edhe në mesin e komuniteteve të tjera që jetojnë në mesin ku vepron, duke u ofruar kështu një copë të kulturës shqiptare atje, qoftë përmes këngëve apo veshjes e valleve.     

Përndryshe vetë Anton Juncaj, bashkë me kryesinë e shoqatës dhe anëtarësinë kujdesen edhe për kompletimin e shoqërisë “Rapsha” në mërgim” si me kostume ashtu edhe me instrumente. Madje ai ka arrit të themeloi edhe një muze të vogël etnografik, ku në një odë të veçantë janë grumbulluar mjete dhe vegla të ndryshme muzikore, apo veshje e punime të shumta artizanale të sjella nga Malësia e Madhe.

Kjo trupë artistike në Amerikë, përherë merr pjesë edhe në çdo festival që organizon “Rapsha – Drume” në vendlindje, ndërsa që vet Anton Juncaj thotë se ai ishte prezent edhe për festimin e 40 vjetorit, më 2018 në Tuz,  ku edhe siç thotë Antoni: “Isha aty dhe më atë rast mbajta një fjalë në emër të diasporës.

Ai tregon gjithashtu se në Amerikë, mërgimtarët e Malësisë së Madhe kanë themelua edhe Fondin Humanitar Rapsha, në vitit 2008, me iniciativën e disa aktivistëve nga Rapsha e Hotit, meqë rast në kuvendin e parë u zgjodh kryesia e Fondit si dhe organet drejtuese. Dhe që atëherë përmes këtij fondi ndihmohen jo vetëm organizimet kulturore në mërgatë por edhe mjaftë familje me pozitë të rëndë sociale në vendlindje, por edhe veprimtari të ndryshme kulturore siç është edhe festivali tradicional që organizon “Rapsha” në Vitojë, apo ndahen edhe kontribute për rregullimin e infrastruktës në fshatrat e vendlindjes në Malësi të Madhe.

Me një fjalë malësorët e Hotit ndonëse jetojnë e veprojnë tej Atlantikut, megjithatë janë afër vendlindjes duke e ndarë paranë e fituar me mund e djersë për të mirën e përbashkët.

Krejt në fund shkëputa një fragment nga një shkrim  kushtuar 40 – vjetorit të themelimit të shoqatës “Rapsha” , nga Malësia e Madhe, ku : Ma. sc. Anton Lajçaj erdhi nga Amerika me artikullin “Roli i mërgimtarëve me banim në SHBA, në përkrahje të SHKA-së “Rapsha”. Shumë shqiptarë nga Malësia e Madhe me qendër në Tuz morën rrugën e kurbetit, shkruan ai. Në mesin e tyre ishin edhe bashkëthemeluesit e shoqatës “Rapsha”, që asnjëherë nuk e harruan. Ajo,  për shumë rapshjanë ka qenë një ideal. Mërgata në SHBA ishte mbështetësja e saj kryesore financiare për 40 vjet. Mërgata rregulloi “Skenës verore” në Vitojë, më 2003. Më 2008, vazhdon ai, formuam “Fondin Humanitar Rapsha” në Detroit, kurse më 2010 u formua edhe SHKA “Rapsha” në mërgim, në kuadër të Fondit, me ish – anëtarë të “Rapshës” dhe me pasardhës rapshjanë të lindur dhe rritur në Amerikë.

Krejt në fund më duhet të shtoj se prej vitesh përcjelli me shumë simpati aktivitetin e SHKA-së “Rapsha” -Hot, Malësi e Madhe, meqë rast kam përcjell edhe festivalin e fundit për gjatë tri ditëve nga edhe kam raportua për këtë portal si dhe kam shoqërua këtë ansambëlnë një manifestim të vëllezërve arbëresh në Kazalveqi të Puljes në Italinë e Jugut. Ndaj edhe me këtë rast dy grupeve artistike simotra si në Amerikë ashtu edhe në Malësi të Madhe ju uroj shumë sukses jo vetëm nga pozita e gazetarit, por edhe themeluesit dhe e kryetarit të parë të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kastriotët” nga Ferizaj.

( Me këtë rast pos fotove që më dërgoj kryetari i shoqatës “Rapsha në mërgim” postova edhe dy foto që kam shkrep në Festivalin e “Rapshës” në Vitojë)