Raporti i Hashorvës: Kosova në shkollat e mesme me vetëm 276 nxënës shqiptarë ! (3)

( Në foto: mësuesit e parë nga Shqipëria në Kosovë, babë e bir: Ali e Ilir Hashorva me botimit e këtij të fundit )

Më 9 Shtator 1941, Ali Hashorva dërgon raportin mbi Gjendjen Arsimore të Kosovës, sipas të cilit në atë kohë kishte 202 shkolla fillore me 30000 nxënës dhe 491 mësues. Tre gjimnaze: i Prizrenit me 579 nxënës, prej të cilëve 82 shqiptarë; i Pejës më 998 nxënës, prej të cilëve 71 shqiptarë; i Prishtinës me 871 nxënës, prej të cilëve 25 shqiptarë. Në të gjitha shkollat e mesme të Kosovës mësonin vetëm 276 nxënës shqiptarë.

Nga Rexhep Rifati 

Ca rreshta për rrugëtimin profesional të kryetarit të Misionit të parë Shkollor në Kosovë, Ali Hashorva: Pasi kishte mbaruar studimet në Firence për filozofi-pedagogji, në vitin 1933 u caktua të jepte mësim në shkollën normale të Gjirokastrës. Më pas – inspektor arsimi në atë prefekturë dhe, pas saj, inspektor arsimi në prefekturën e Korçës. Pas tre vjetësh në Korçë dhe me largimin e Aleksandër Xhuvanit prej shkollës normale të Elbasanit,  në vitin 1938, Aliun e caktuan drejtor të asaj shkolle. Me ardhjen e italianëve, Ali Hashorva së bashku me familjen e tij dhe me anëtarët e misionit u nisën menjëherë për në Kosovë.

Në hyrje të Raportit të parë që ai dërgon nga Kosova, shkruan:

“Sapo arritëm këtu, bëmë një udhëtim nëpër të gjithë Kosovën, si në pjesën e pushtuar prej trupave italo-shqiptare, ashtu dhe në atë të pushtuar prej gjermanëve, për t’ardhur në përpjekje të drejt për drejt me autoritetet lokale e me popullin…

“Fushën e veprimit të Misionit e kemi ndarë në dy sektorë me qendra në Prizren e në Prishtinë. Në të parën qendër punën e drejtojmë ne vetë; në të dytën kemi ngarkuar Z. Shaban Arra. Ne të Prizrenit jemi ndarë në dy pjesë: njëra pjesë studion gjendjen e Prizrenit, të Suharekës e të Dragaçit e pjesa tjetër atë të Gjakovës e të Rahovecit. Si të kryejmë këtë rajon, do të hidhemi nga ana e Pejës.

Plavë e Guci e rrezikuar nga çetat e Mihailoviçit

“Në Plavë e Guci nuk u shkua dot. Ato zona ishin të rrezikuara nga çetat e Mihailoviçit. U shkua gjer në fshatin Kuçishtë në Rugovë, por u kthyen mbrapsht. As në Tetovë, Gostivar e Shkup nuk u shkua dot, se do të duhej të kalohej nga Kaçaniku të cilin e kishin bllokuar bullgarët.

Po në atë raport, pasi flitet për ndarjen e mësuesve në shkolla të ndryshme dhe jepet gjendja e ndërtesave shkollore, thuhet:

“Numri i nxënësve, sidomos i shqiptarëve është shumë i madh, pra, për vitin e ardhshëm për Kosovën e çliruar do të nevojitën shumë mësues, sa vetëm me ata që kemi tani nuk është e mundur kurrsesi të plotësohen nevojat, pra Ministria duhet ta studiojë që tani këtë çështje që është nga më jetësoret për kombin tonë”.

Më 9 Shtator 1941, Ali Hashorva dërgon raportin tjetër mbi Gjendjen Arsimore të Kosovës. Sipas tij në atë kohë kishte 202 shkolla fillore me 30000 nxënës dhe 491 mësues. Kishte tre gjimnaze: i Prizrenit me 579 nxënës, prej të cilëve 82 shqiptarë; i Pejës në 998 nxënës, prej të cilëve 71 shqiptarë; i Prishtinës me 871 nxënës, prej të cilëve 25 shqiptarë. Në të gjitha shkollat e mesme të Kosovës mësonin vetëm 276 nxënës shqiptarë.

Rekomandim që të çelen shkolla fillore foshnjore

Më pas jepen mendime për rregullimin e shkollave për vitin 1941-1942. Këtu thuhet: “Të çelen shkolla fillore e foshnjore në 39 qendra. Shkollat të jenë krejt e vetëm në gjuhën shqipe…Të mos lejohet kurrsesi hapja e shkollave minoritare për arsye se serbët e vendit nuk janë veçse shqiptarë e vllehë të semisllavizuar nga shkaku i fesë së përbashkët me serbët; shumë syresh, sidomos në katundet e përzier, e pikërisht në rrethin e Rohovecit, bash ata që e quajnë vetën serbë, flasin shqipen fare mirë, si dhe ne”.

Hollësi për caktimin e Prishtinës si qendër arsimore e Kosovës

Si qendër arsimore, ndërmjet Gjakovës, që ishte më e pastër si shqiptare, dhe Prishtinës, Ali Hashorva dhe Misioni i tij caktoi Prishtinën. Qëllimi: t’u bëhej ballë rrymave sllave nga veri-lindja. Caktimi i Prishtinës si qendër arsimore në atë kohë, me siguri bëri që, më pas, ajo të bëhej edhe qendër kulturore, politike e administrative, pra kryeqendër e Kosovës.

“Në Kosovë është e domosdoshme çelja e një shkolle normale me internat…. Vendi më i përshtatshëm për të na duket Prishtina, mbasi gjendet në qendër të Kosovës e mund të arrihet me lehtësi si nga Veriu (Mitrovica, Jeni-Pazari, Vuçiterna, Podujeva), si nga Lindja (Gilani, Medvegja, Presheva, Kumanova), si nga Jugu (Ferizoku, Kaçaniku e Shkupi), ashtu dhe nga Perëndimi (Peja Gjakova e Prizreni). Prishtina në të ardhmen duhet të bëhet qendër drite e bashkimi shpirtëror si për Kosovën e çliruar, ashtu dhe për pjesën e mbetur jashtë kufijve, që neve, me sa patëm rasë ta shihnim e ta dëgjonim, na u paraqit plot jetë e gjallëri dhe e vendosur të mbetët shqiptare e të çlirohet me çdo mënyrë sapo t ‘i paraqitët rasa e volitshme… Normalja ka për të rrënjosur mirë në qytet edhe gjuhën shqipe që ka pësuar mjaft nga robëria sheku1lore”.

Sundimi i rëndë serb kishte tronditur shpirtin e kosovarit

“Çelja e kurseve verore në Kosovë ka qenë një nga veprat e pakta e më të bukura që ka kryer Shteti Shqiptar në atë vend që nga data e çlirimit të tij e gjer tani. Mundimet e shpenzimet jo vetëm nuk shkuan kot, por u kurorëzuan me fitime shumë të shkëlqyera”.

“Fryma shqiptare në Kosovë kishte mbetur e paprekur dhe e fortë; por, me gjithë këtë, sundimi i rëndë serb dhe ngjarjet e papritshme e të rrufeshme kishin tronditur shpirtin e kosovarit sa që ai s’dinte nga t’ia mbante e si ta fillonte punën për të realizuar ëndrrën e tij të pareshtur: bashkimin e tij të njëmendtë me shqiptarët e tjerë të Shqipërisë së Lirë; në shpirtin e tij mbretëronte shqetësim e nervozizëm. Kishte nevojë për dikë që t’i fliste zëmrës së tij, që ta udhëzonte në rrugën e mbarë të lirisë së vërtetë e të përparimit. Këtë “dikë” kosovari e gjeti te mësuesi shqiptar që i vajti pikërisht në kohën kur ai ndodhesh në gjendjen shpirtërore që treguam. Mësuesi u bashkua shpirtërisht ngushtë me të, duke i ndarë me të të mirat e të ligat, duke i qetësuar shpirtin e duke e drejtuar nga rruga e drejtë e mbarësisë.

Mësuesit, përfaqësuesit e parë të Shtetit Shqiptar

“Arsimtarët, si të dehur nga gëzimi, … që posa arritnë në tokën e bekuar të Kosovës, për një herë, sapo që muarrën urdhrin, u shpërndanë gjer në çipat më të largëta e të vetmuar të Kosovës, të parët përfaqësues të Shtetit Shqiptar.

“Kosovarët në këtë mënyrë erdhën në përpjekje të drejt për drejtë me frymën e shqiptarisë së vërtetë, me atë diçka që dëshironin e që s’dinin si t’ia arrinin, për të cilën e kishin intuitën, por nuk e kishin të kthjellët idenë. Te mësuesi kosovarët gjetën vet-vetën”…

Niveli profesional i misionarëve

“Të gjithë këtë punë arsimtarët e bënë jo vetëm me zellin që treguan, por dhe me zotësinë e tyre. Ne mund të dëshirojmë që shkollat tona të mesme të jenë edhe më të përsosura, dhe është e arsyeshme. Por, e vërteta është se nuk jemi dhe aq shumë prapa. Nga puna që pamë në Kosovë, mësuesit shqiptarë na u duknë në një shkallë më të lartë se mësuesit e ish-Jugosllavisë. Arsimtarët shqiptarë në Kosovë u treguan përgjithësisht në lartësinë e misionit që shteti u ka besuar”.

Më poshtë tregohet për një ngjarje interesante:

“Arsimtari ka të mburret dhe për një punë tjetër që, posa të mos e përmendim ne këtu, mund të mbetët në harresë, ndonëse është me rëndësi shumë të madhe.

“Ja se si:

“Jeni-Pazari, krahina që e ruan me fanatizmë kujtimin e origjinës së saj shqiptare e karakteristikat shpirtërore e fizike, por që, fatkeqësisht ka humbur gjuhën amtare, kishte mbetur pezull, nuk dihesh kujt do t ‘i takonte. Ishte frikë se mos i ngjitësh Malit të Zi. Populli, duke mos dashur në asnjë mënyrë të bashkohesh me Malin e Zi, ishte ndarë në dy pjesë. Njëra pjesë, me nacionalistin e shquar shqiptar në krye, Zotin Aqif Bluta, donte ta lidhtë fatin e krahinës me atë të Mitrovicës, e cila shpresohesh se do t ‘i lihesh Shqipërisë; kurse pjesa tjetër, për të shpëtuar nga Mali i Zi, kishte vendosur të përpiqesh për t’u bashkuar me Kroacinë.

Jeni – Pazari i veshur me flamuj shqiptarë

Në kohën kur vajtëm ne në Jeni-Pazar për të shikuar në kishte mundësi për të çelur ndonjë kurs, qytetin e gjetëm të stolisur me flamurë kombëtarë, kafenë e madhe të qytetit të emëruar “Kafe Skënderbeg”, gjindarmerinë me shkabë dykrenore, me kurorën e Skënderbeut mbi festën e kuqe, gjithë shenja që na mbushnë zemrat me gëzim; por, me gjithë këto, një komision 5-6 veta ishte nisur për Kroaci, për tu marrë vesh që Jeni-Pazari të bashkohej më të. Mirëpo vajtja e jonë atje, dërgimi i shpejtë i mësuesve dhe entuziazmi që ngjalli çelja e kursit në atë vend, e lartësoi shpirtërisht dhe e forcoi aq tepër pjesën që donte të mbetesh e lidhur me Mitrovicën, sa që kjo pjesë mori krejt fuqinë në dorë duke e mposhtur përfundimisht pjesën tjetër.

Dhe kështu Jeni-Pazari, ky qytet i djegur për Shqipërinë, mbeti i lidhur me Mitrovicën dhe po gëzon të drejtat minoritare që i janë dhënë Mitrovicës, Vuçitërnës e Podujevës… Kështu, mund të themi se këtë qytet shqiptar e shpëtoi vepra e mësuesve”.

Shumë shpejt puna filloi të jepte frute

Më 8 Prill 1942, në një raport mbi inspektimin e arsimit në Kosovë, ndërmjet të tjerave, Ali Hashorva, thotë:

“Në Prishtinë si Normalja, ashtu dhe Internati janë rregulluar për bukuri, ndonëse mungesat i kanë pasur të shumta e, ndonëse, të themi të drejtën, nuk e kanë pasur përkrahjen e duhur nga ana e kësaj Ministrie… Edhe për sa i përket përfitimit të nxënësve në mësime ne, duke marrë parasysh rrethanat e vështira nën të cilat u krijua ky Institut, mbetëm mjaft të kënaqur. Shkolla nuk duket sikur është krijuar sot e me elementë shumë heterogjenë, por sikur të ketë qenë prej shumë kohësh. Vumë re me kënaqësi se nxënësit mësimet përgjithësisht i kuptonin mirë dhe kishin fituar aftësi të shpreheshin në shqipe pa vështirësi. Z. Rexhep Krasniqi e Vasil Andoni së pari, e pastaj të gjithë profesorët që vajtën që në fillim, meritojnë çdo lëvdatë për punën që kanë kryer. Puna e tyre është një përmendore që na jep nder ,,,”.

Brenda tri vjetësh – rreth 300 mësues nga Shqipëria

Një vit Ali Hashorva punoi dhe jetoi familjarisht në Kosovë. Ajo punë njëvjeçare hodhi themele të shëndosha për një veprimtari gjithnjë e më premtuese për ata që do të shkonin më pas. Pas grupeve të para të mësuesve, shkuan në Kosovë dhe grupe të tjera. Deri në fund të vitit shkollor 1943-1944, atje kishin shkuar rreth 300 mësues. Nuk ishte pak për kohën.

Pas një viti pune në Kosovë, Ali Hashorva u thirr në Tiranë dhe u emërua Inspektor Epror në Ministrinë e Arsimit. Më pas, u vendos në postin e rëndësishëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit. Nga ai post, ai u largua më 8.2.1944, ditë në të cilën u arrestua në zyrë dhe u burgos në burgun e Tiranës së bashku me funksionarin tjetër të lartë të asaj ministrie, Ahmet Duhanxhiun, të akuzuar si përkrahës dhe ndihmues të luftës kundër pushtuesit. Mbasi doli nga burgu, Ali Hashorva u caktua në Inspektorinë Eprore ku qëndroi deri sa mbaroi lufta, në 28 nëntor, 1944., thuhet në shkrimet e arkivuara nga i biri, Ilir Hashërova që në pranverën e këtij viti ndërroi jetë nga kovidi 19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy foto të të cilit do ti japim edhe në këtë vazhdim për të parë se ai ishte një përkthyes i shkëlqyeshëm duke lënë pas vetes shumë libra me vlerë.

 Nesër: Normalja e Elbasanit, rekrutuesja kryesore e Kosovës me kuadër arsimor