Ramë Oraca : PËR TY

( Çmimi i parë “Martin Camaj” SHKSH në Zvicër)

si në gjysmëndërr më erdhe nga fundjeta
e qullur me llohë shiu të turbullt
lëshove rrënjë si guri në vend të vet
me rapsodi zogjsh i dhe shpirt pranverës

kaherë jam mësuar me mungesën tënde
në sy e merrja kodrën e diellit
derisa zëri yt më kthente në pikëpjekje

vetëm udha e kthimit me jepte shpresë
që të çmallem me gjysmën e shpirtit tënd
të varrosur në këngë

dikur u bëra si statujë e ndryshkur
duke pritur dikë nga të gjallët
e humbur pas shpresës

ti kushedi sa herë më ke thirrur në gjumë
që të dal nga ëndrra kobzezë

vetëm shpirti im e di
si e mbajta ndër dhëmbë kohën e mbrapshtë
si kalova nëpër strofka nate
të rrethuara me ulërimë ujqish

tani me afshin e gëzimit tonë
drita e shpresës po na i zgjat duart
të gdhendura në këngë zgjimi

ti erdhe si një zog i trembur
e buzëpërgjakur nga frutat e jetës së ngutshme
u bëre shkrumb e hi për një fillimjete

tani në këtë kohë etjesh të mëdha
në njërën dorë e mbaj pranverën e hershme
në dorën tjetër të kam ty
që s`dua të bëhesh kënga ime e këputur.

Shndrinte Hefestin njejt si Kartagjenën

Zotimi i vetëm asht veç zgjedhje.

 

( Autori Ramë Oraca, me këtë rast në fb e tij shkruan se: Në konkursin letrar të SHOQATËS SË KRIJUESVE SHQIPTARË NË ZVICËR, poezia ime “Për ty” është vlerësuar me çmimin e parë ” Martin Camaj” .Ju faleminderit jurisë për vlerësim të vargut tim. Gjithashtu uroj punë të mbarë kryesisë së Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër ).