“Miri bijë, bia e Lalës
Moj e bukura e trishtuar
Ç’ më ktheve në mot’n e shkuar” do të përkujtonte Gavril Dara i Riu.
Shkruan: Ragip Kçiku
Atributi i titullit “Fotosintezë e shpirtit tim”, na ndezë dritën e rrugëtimit nëpër veprën fotoalbum prej 400 faqesh e përpiluar në shqip dhe italisht.
Me gazetarin Rexhep Rifati, njihemi që nga mosha rinore kur unë isha njëri nga anëtarët e AVI “KASTRIOTOT”, ansambël të cilin kurrë nuk e la vetëm duke bërë mijëra kilometra së bashku; Paris, Mynih, Bruksel, Lil, Dizeldorf, Beograd, gjithë Kosova, deri në Dibrën e Madhe; Katërkolë, Ulqin dhe, më 1979, e gjithë Shqipëria Perëndimore; që nga Hani i Hotit, deri në Butrint, udhëtim i cili zgjati dy javë të plota.
Aparati i tij nuk na u është ndarë kurrë. Të gjitha fotografitë që kam nga ky aktivitet, i kam nga maestro Rexhep Rifati, dhe jo vetëm unë por, edhe mbi 200 anëtarë të ansamblit atëherë.
Përveç aparatit, lexuesi kosovar ka kuptuar për çdo koncert dhe sukseset që kemi patur. Gjithëmonë na ka dhënë gëzime kur lexonim emrat tanë në gazetën “Universitet popullor”, RILINDJA e famshme.
Pas disa veprash me fotografi dhe fjalë, autori Rexhep Rifati vitin që lamë pas (2022) ka botuar veprën monumentale ARBËRESHËT, kushtuar vëllezërve tanë nga Kalabria dhe Siçilia e Italisë të shpërgulur me rënien e “Motit të madh” arbëror.
Me vargjet e Gavril Darës që shkrova më lart si epigraf, letërsia shqipe fillon rrëfimin e ngjarjeve në rotrespektivë (prapashikim). Me një shikim nga Italia drejt bregdetit të Arbërisë, fillon i gjithë rrëfimi i Balës për luftat atdhetare të “Motit të madh” me personazh Nik Peta dhe Pal Golemi.
Edhe autori R. Rifati ka bërë këtë mënyrë rrëfimi, apo vetë mënyra e punës së tij nuk të lë t’i shmangesh një rrëfimi në dy kohë; pamjet momentale në momentin e shkrepjes së fotoaparatit dhe rrëfimi për historikun e qindra vendbanimeve të “gjakut tonë të shprishur”, përkatësisht arbëreshët e Italisë të koncentruar pesë shekuj më parë në Kalabri dhe Siçili.
Libri apo albumi “Arbëreshët“, fillon me fjalët e misionarit atdhetar atë Antonua Bellusci me epigramin që rishkrova më lart:
“Rexhep Rifati në këto udhëtime-studime në arkipelagun arbëresh, kreu një mision fisnik e historik të grupit tonë etnik” Kjo është moto me të cilën vazhdon parathënia e veprës së Rexhep Rifatit.
“Miku dhe vëllai shqiptar i Kosovës, Rexhep Rifati, sa herë që vjen në Bibliotekën tonë Arbëreshe-Pan Shqiptare në Frascineto (Kozenca), sjell me vete një botë përvojash, kujtimesh dhe vlerash shpirtërore e kulturore”. (…).
Vazhdon Atë Antonio.
Rexhep Rifati, në këto udhëtime-studime në arkipelagun arbëresh të Jugut të Italisë, kreu një mision të jashtëzakonshëm historik në favor të grupit tonë mikpritja arbëreshe, një dhuratë hyjnore nga trojet stërgjyshore konsideroj si Arbërinë time edhe atë hapësirë gjeografike në territorin Italian, ku shtrihen më tepër se 50 ngulime arbëreshe, të cilat i vizitova cep më cep dhe, me shkrepjet e mia, krijova një fotosintezë, e cila ma ushqeu shpirtin.
Autori na lë të kupojmë se në ç’mënyrë dhe gjendje shpirtërore iu është përveshur këti misioni siç konstaton A. Belusci, flet vet autori:
“Kur shkela për herë të parë këto katunde, u ndjeva bir dhe vëlla me gjakun tim të shprishur. M’u ngulitën në mendje dhe në zemër ato panorama natyrore dhe njerëzore, me shpresën se një ditë do të rikthehesha t’i fiksoja me aparatin tim, e t’i shndërroja si një almanak, ku ruhen kujtimet më të shenjta. (…)
Thuhet se gjërat e bukura kanë vlerë kur shpërndahen, dhe unë vendosa, që «sinteza» e këtyre fotografive të mbetet shije e ëmbël, ku syri dhe zemra janë në të njëjtën linjë.Në këtë
Për ata që nuk i kanë vizituar ndonjëherë këto fshatra, duhet të them se shumica e tyre, janë të përqendruara në male. Të tilla janë ngulimet arbëreshe në zonën e Kalabrisë. Nga larg, duken si shqiponja, që bëjnë roje në foletë e tyre. Nga ajo lartësi ku çdo gjë dukej pingul, vështroja këtë pejzash: jeshil e blu. Një reliev të thyer, të rrahur nga erërat, nga migrimi, nga vuajtja, por edhe të ekzaltuar nga puna dhe mendja e ndritur e arbëreshëve, njerëz të penës dhe pushkës, të iluminizmit e humanizmit të cilët me ndërgjegjen e tyre ndritën më tej kurorën e krenarisë së shpirtit arbëror”.
Kjo është panorama e përgjithshme në këtë vepër për të cilën autori nuk pretendon të jetë një hulumtim shkencor.
Por, konstatimet janë të sakta, qofshin të këndëshme a jo.
Libri me fotografi dhe fjalë është i ndarë në dhjetë pjesë; tetë të parat kanë të bëjnë me likalitetet ku jetojnë arbëreshët si: Kalabria, Katanxaro, Krotone, Basilikatë e deri në Siçili dhe dy të fundit autori i ka rezervuar për kulturën e tyre në fakte materiale dhe kapituli i fundit që ka të bëjë me grupet artistike arbëreshe, grupe këto që aq sa e kanë mbajtur gjallë frymën e shpirtit arbëresh kisha si vendi i përbashkët shpirtëror, aq kanë bërë edhe këto grupe artistike duke dhënë gjithmonë “frymën e identitetit” arbëresh.
Kemi dëgjuar pak gjëra për arbëreshët, sidomos ato që kanë të bëjnë me shkrimtarët shqiptarë që nga Lekë Matrënga e deri tek Antonio Belusci i cili është i njohur jo vetëm për të mirat që ka bërë jo vetëm për arbëreshët e Apenineve por edhe Arbëreshët e Mesdheut me Egjeun.
Por, arbëreshët kanë një qendër lidhëse, sado që ata janë shumë të shpërndarë, të shpërndarë edhe nga dy rite të krishtere, ortodoks dhe katolik, ata i lidh shpirtërisht fryma e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Në çdo qytet dhe fshat ku shumicë njerëzore janë arbëreshët, gjendet një bust, shtatore a përkujtimore me figurën e tij. Kjo jep të kuptojmë se heroi ynë gjithëkombëtar Skënderbeut tek arbëreshët është shndërruar në kult. Një frymë e tillë ka pushuar të jetë në vendin amë apo, nuk ka qenë kurrë përveç atyre festave kombëtare dhe ndonjë shtatore a bust në pak qytete në trojet shqiptare të Ballkanit.
Në zonat e banuara me arbëreshë atje, Gjergj Kastrioti me këto buste sikur iu rri përballë perandorëve romakë. Duhet pranuar se priftërinjtë që nga Lekë Matrënga e këndej, kanë qenë intelektualë patriotë të cilët kanë mbajtur frymën kombëtare tek arbëreshët, gjë që duket edhe përmes fakteve që na sjell autori.
Udhëtimet e autorit janë të gjata në këto vise i cili na njeh me vendbanimet, vendet e punës, si dhe me tempujt fetarë ku patriotët si De Rada, Dh. Kamarda, G. Dara, Z. Serembe, Z. Skiroi, A Beluchi, A. Gramshi etj., emra të cilët janë pjesë e historisë shqiptare si në historinë tonë, ashtu edhe në letërsi dhe gjuhësi.
Për të mos e zgjatur unë me veprat e tyre, flasin lehtë dhe bukur fotografitë e shoqëruara me fjalët e duhura të autorit Rexhep Rifati.
Si një paralele, plotësim i misionit të autorit, na dalin edhe njoftimet “kuriozitete”, ku lexuesin e nxjerr nga rutina e fotografive duke i dhënë ndonjë gjë të veçantë nga pasuria materiale dhe historike që është ndërtuar në një epokë prej 500 vitesh.
Ai me kujdesin më të madh, si në anën përmbajtësore, ashtu edhe në anën teknike, ka arritur të bëjë një nga veprat më të bukura dhe me shumë vlerë, jo vetëm për arbëreshët si degë e shkëputur nga trungu, por edhe për shqiptarët ngado që janë do ta përdorin si manual për vizita miqësore dhe turistike në këto vende të bukura.
Derisa arbëreshët u lidhën përmes gjuhës, kishës dhe Gergj Kastriotit, uroj që edhe kjo vepër e Rexhep Rifatit të jetë po një hallkë e tillë që edhe vetë arbëreshët të dinë se ku e kishin dhe ku e kanë gjakun e tyre të shprishur.
Autorit i uroj shëndet dhe suksese të tjera.