Qindra sportistë shqiptarë pjesëmarrës në turneun e Bazelit

Në manifestimin me moton: “Edhe sporti flet një gjuhë”, ekipet nga Zvicra, Franca e Gjermania i përshëndetën Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, ndërsa që e pranishmëve ishte edhe drejtuesja e Qendrës kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramdani

Rexhep Rifati, Cyrih

Nga viti në vit, në kantone të ndryshme zvicerane po shtohen aktivitetet e mërgimtarëve tanë. Për organizime të mira kulturore e sportive në masë të madhe prinë kantoni i Bazelit, në rend të parë duke iu falënderuar Qendrës për Arsimim  dhe Këshillim të Emigrantëve (ABSM), që drejtohet nga Skender Nikoliqi, një organizator i shkëlqyeshëm që u prinë shumë aktiviteteve, por që veten nuk e nxjerr në pah, por punën dhe aktivitetin e të rinjve, me qëllim shkollimi e integrimi. Një aktivitet i ngjashëm në organizim të kësaj këshillimore, në bashkëpunim me Klubin futbollistik „DARDANIA” të Bazelit u mbajt të dielën më 22 qershor në Allschwil, në periferi të Bazelit.

Në organizimin sportiv me moton: “Edhe sporti flet një gjuhë”,morën pjesë mbi 35 ekipe sportive të përbëra, kryesisht me lojtarë shqiptarë nga Zvicra, por edhe Franca e Gjermania. Në cilësinë e mysafirëve pos sportistëve nga ky kanton pati edhe sportist eminent, siç janë Milaim Rama, futbollist, që ka luajtur për kombëtaren e Zvicrës, Arnold Gjergjaj, boksier profesionalist e të tjerë. Qindra bashkatdhetarëve të pranishëm me përshëndetje iu drejtua, Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, i cili sportin e karakterizoi si një elementshumë të rëndësishëm të shoqërisë edhe për afirmimin e kombit por edhe të vendit që prezanton, duke e ilustruar këtë dhe me vet pjesëmarrjen e lojtarëve shqiptarë nga Zvicra që e përfaqësojnë këtë vend në kampionatin botëror në Bazel.

Ndërsa kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila: përgëzoi sportistët dhe përgjithësisht bashkatdhetarët për këso aktivitete sportive e kulturore, të cilat i kontribuojnë edhe lidhjes së urave të miqësisë me vendasit e sidomos vendin mik, Zvicrën e cila siç tha është një prej shteteve e cila ka ofruar më së shumti kushte për shqiptarët, çka dëshmohet edhe me praninë e madhe të shqiptarëve sot këtu. Ajo me këtë rast përmend edhe qëllimin e ardhjes së saj, me ftesë të disa bashkëqytetarëve të saj, për të shikuar edhe mundësitë e bashkëpunimit me institucionet e këtij kantoni, veçmas sa i përket tërheqjes së investimeve, për çka një kontribut më i madh pritet edhe nga vet bashkatdhetarët. Me këtë rast kryetares së Gjakovës iu dhurua libri : “Shqiptarët në Zvicër-1001 pamje”.

Në hapje të këtij manifestimi merrte pjesë edhe drejtuesja e Qendrës kulturore të Kosovës Shukrije Ramdani, Skender Nikoliqi drejtori i ABSM-së , Hasan Kanber, kryetar i Lidhjes futbollistike të Zvicrës, Skender Nikoliqi drejtori i ABSM-së , Hevzi Badalli, kryetar i KF “Dardania” e drejtues të tjerë sportiv. Ndërsa nga radhët e palës zvicerane merrnin pjesë Nicole von Jacobs, udhëheqëse e Qendrës Profesionale për Diversitet dhe Integrim “Integration Basel” (e cila edhe përshëndeti të pranishmit) si dhe Herbert Knutti dhe e Monique Locarnini nga Departamenti i Edukimit në Bazel, pastaj qifti zviceran Georg dhe Dorothea Fankhauser nga shoqata e sapothemeluar “Gjakova- Basel” e tjerë. Pos disa ndeshjeve futbolli, pati edhe aktivitete te tjera sportive, siç ishte vrapimi e të tjera. Më pastaj u ndanë edhe shpërblime përkatëse kryesisht kupa për vendet e para me që rast në ndeshjen finale u zhvillua loja midis ekipit Los Blancos dhe Likis 2:1, ndaj edhe në tri vendet e para pati këtë radhitje: Los Blancos, Likis dhe FC Blasi, ndërsa që shpërblimet i dorëzuan Georg Fankhauser, Meriton Ferizi dhe Fadil Vokrri. Me këtë rast ekipit të parë Los Blancos, shpërblimin prej njëmijë frangash ia dhuroi KF “Dardania” nga Bazeli, e që udhëhiqet që udhëhiqet nga Enver Hajdari. Atmosferën festive këtij manifestimi të madh sportiv ia dha sidomos Shkolla e Vallëzimit “Shota”, që udhëhiqet nga koreografi i pasionuar Agron Bajrami, me disa valle të bukura e kreative.