Qiellit poetik shqiptar iu bashkua edhe krijuesja e spikatur Miradije Maliqi

Për këtë figurë shumëdimensionale në disa fusha të letrave, edhe për ne ç`e kemi njohur nga afër në Zvicër, është vështirë të përcaktohemi si kujt i përkiste më tepër mërgatës ku kaloi më tepër se gjysmën e jetës epo trojeve shqiptare, sepse Miradija paralelisht ishte sa në Gostivar, Tetovë, Durrës, Prishtinë apo Gjilan, duke lënë pas vete jo vetëm një tufë veprash në vargje e prozë, por edhe duke qenë edhe skenariste e autore e disa filmave dokumentarë, e mbi të gjitha një grua bujare që kudo që arrinte rrezatonte miqësi e fisnikëri dhe atdhetari.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Për të gjithë ne miqtë saj dhe komunitetin krijues në Zvicër dhe kudo  mërgatë, por edhe në trojet shqiptare, lajmi për kalimin në amshim të njërës nga krijueset më të spikatura shqiptare, Miradije Maliqi jehoi dhembshëm, duke pas parasysh opusin e gjerë të krijimtarisë së saj artistike dhe jo vetëm këtë por edhe mungesën që ajoi e ka krijuar jo vetëm në rrethin familjarë e miqësorë por edhe të vet rrethit më të gjer krijues.

Miradia për rreth 4 dekada sa jetoi në Zvicër, krahas se në krijimtari, ishte tejet aktive dhe e pranishme edhe në çdo aktivitet humanitar e kombëtar dhe kudo pritej me respekt edhe për faktin se ajo në moshë shumë të re humbi vajzën e saj, të cilës edhe i kushtoi një nga veprat e saj më të spikatura.

Me këtë rast po jap një nga shkrimet e mija kushtuar promovimit të librit të saj “ËNDËRROJ SE PO ZGJOHEM” me një vështrim të poetit Isuf Sherifi, mbajtur në Qendrën kulturore në Cyrih, më 25 Dhjetor 2016:

MAGJIKJA E NJË REZONANCE

Autorja Dije Maliqi, që nga vjersha e parë e këtij libri; „ UNË JAM ERA“ e deri tek ajo e fundit; „KAPE DITËN TËNDE“, që redaktori i librit Adem Gashi me të drejtë e quan poemë, të mbërthejnë me lehtësinë e vargut dhe mesazhin shumëdimensional të narracionit poetik.

Rrëfimet mbi jetën, mbi dhembjen, mbi dashurinë, mbi pritjen, mbi ikjen; rrëfimet për dhimbjet, për dashuritë, për pritjet, për ikjet, kanë ndjeshmërinë e një rezonance poetike, që të ngujon për vargu dhe të zhytë thellë në botën e sajë, në botën e një femre, të një gruaje, të një nëne, të një mundimtareje dhe krijuese të guximshme, që flet pa dorashka dhe jep mesazhe të paharruara.

Autorja Dije Maliqi, në librin e sajë me poezi, ËNDËRROJ SE PO ZGJOHEM, jep një sintezë poetike jo lehtë të kalueshme për lexuesin; ajo edhe pse që në kryetitull të librit prejudikon gjendjen poetiko – shpirtërore, tregon qartë se është jo vetëm e zgjuar, dhe se, jo vetëm që nuk ëndërron, por sheshon të vërtetën e antitezës, se Dije Maliqi, të gjitha këto i përjeton zgjuar dhe i prek zgjuar, duke tentuar të thotë një të vërtetë tjetër, që bota jonë nuk po e jetonë vetveten, por, sikur po e gjakonë mungesën e vetvetes.

Një libër poetik si ky, me varg dhe strukturë të mirërdenditur poetike, lexuesin e bën për vete dhe nuk e lë deri në fundin e tij të zhgjëndërrt të ëndërrojë një botë tjetër.

Një libër që të kap për dore dhe të shetit nëpër të gjitha honet e jetës, të cilat, edhe pse shumherë kanë ngjizjen buzëmbrëmjeve të thella, apo natën vonë, ato reflektojnë dritën në fund të tunelit, që mezi duket, ngase jashta këtij tuneli poetik, drita ka dhembje, dhe ethet e dhimbjes për të nuk të lënë të bësh as një sy gjumë….

Bota poetike e Dije Maliqit, është botë e një një fryme të butë, që merr ngjyrime të forta feministe, e që e bën të lakohet çdo rrëfim burrëor për të.

Ëndërroj se po lind, ëndërroj se po fluturoj, ëndërroj se po këndoj, ëndërroj se po pres, ëndërroj se po qaj, ëndërroj se po vij, ëndërroj se po rilind,…cilido nga këta tituj, do t`i shkonte përshtati librit, ngase rezonanca poetike e Dije Maliqit është një ëndërr që nuk ka fund, është një fluturim që nuk ndalet, është një këngë që vargu i fundit nuk i duket askund, është një ardhje dhe troktije e një rezonace magjike të pa kryer.

Në fund të librit, kur përmbylla kapakët e tij, kisha hamendjen të isha shëndrruar edhe unë në ERË, dhe po bëja vrap të KAPJA DITËN TIME, për të pushuar në dhimbjen e quajtur DITË, …“ngase,….“Errësira e vërtetë do të fillojë/kur të agojë dita.“

Dhe krejt në fund të rrëfimit për librin, si lexues, ti e sheh që,…“Ti nuk je larg, /veçse në anën tjetër të jetës. …25.12.2016, Cyrih

Me këtë rast ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit artistik.

(Disa nga fotot që kam shkrep gjatë paraqitjes së Miradijes në takimet e krijuesve)