Qerim Kryeziu (Suedi): SKËNDERBEU – MBROJTËS I CIVILIZIMIT EUROPIAN SIPAS KUJTESËS HISTORIKE NORDIKE

Më 25 Maj 2024 në Bylah të kantonit të Cyrihut u organizua një simpozium shkencor në kujtim të 619 vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit. Me këtë shkëputëm kumtesën e ligjëruar nga Qerim Kryeziu nga Suedia me temë: Skënderbeu – mbrojtës i civilizimit europian sipas kujtesës historike nordike”:

Në qoftë se në Mesjetën e hershme ishin Sicilia, Durrësi e më vonë edhe Venediku vende ku takoheshin shqiptarët me nordikët, në shekullin e XV ishte qëndresa e Gjergj Kastrioti që ushqente jo vetëm simpatitë e perëndimorëve por, edhe frymëzonte artistët e historianët e saj. Kështu, epoka e Skënderbeut, u bë shumë shpejt subjekt letërsie e historie; karma e tij lajtmotiv i veprave muzikore e arteve figurative. Onomimi Skënderbe, si i askujt tjetër në Ilirikum, u konsiderua edhe në trashëgiminë kulturore nordike mbrojtës i civilizimit europian; ndërsa toponimi Krujë u piketua si transversale qendrore e lidhjeve të Arbërisë me shtetet e ishujt e kontinentit. Dyzet vjet pas vdekjes së Skënderbeut, Barleti e botoi në Romë Historinë për të- vepër kjo që ndikoi fuqishëm edhe letërsinë e librat e historianëve skandinavë.

Kur mësuan dhe sa e admiruan Skënderbeun në vendet nordike

Në Islandë

Në Islandë, Skënderbeu është bërë i njohur përmes veprës së Ludvig Holberg-ut. Holberg-u është lexuar, pëlqyer dhe komentuar shumë në Skandinavi. Në veprat që shkroi, shfaq simpati e konsideratë të madhe për qëndresën e Skënderbeut. Përmes veprës, ai përcolli edhe tek populli islandezë admirimin që kishte për këtë strateg shqiptar. Islandezët krijuan më pastaj një epos autonom, në të cilin Skënderbeun e trajtojnë ashtu siç e admironte Holberg-u në historinë e vet.

Sipas Matthew James Driscoll,  specialist për filologji e dorëshkrime të vjetra nordike, ka shumë dorëshkrime në islandishten e vjetër (flitet për13 syresh) me titull “Sagan af Skanderbeg”[1]).

Autorët islandezë, si:

Gudhmundur Illugason (1788),

Jòn Oddsson Hjaltalin (1749-1835),

Einar Bjarnason Melifelli (1782-1856),

Gisli Konràdhsson (1787-1877),

Thorsteinn Gislasson (1776-1883),

Einar Gudhansson (1853-1901),

Jöhannes Jönsson (1798-1877),

Magnùs Jönsson (1835-1922) etj.,

trajtojnë pa përjashtim, në veprat e veta luftërat e Skënderbeut. Po sipas këtij studiuesi, historia e Skënderbeut u bë përmbajtje kryesore e shumë sagave e rimureve popullore islandeze që qarkulluan në ishull përgjatë gjithë shekullit XlX.  RIMURET ishin këngë epike-epos që i kushtoheshin Skënderbeut.

Në Islandë, informacionet për Skënderbeun vinin kryesisht përmes publikimeve në gjuhën daneze. Ato, pa përjashtim e konsideronin Skënderbeun mbrojtës të civilizimit europian.

Në Danimarkë

Në gadishullin skandinav, Danimarka është e para që shkroi dhe e admiroi Gjergj Kastriotin.

Sipas mendimit të Ulrik Kristoffer Shmidt,[2] shkrimi i parë në vendet nordike që i kushtohet Skënderbeut, është një botim anonim i publikuar në danisht në vitin 1709, me titull “Përshkrim i saktë për tre mbretër turq, të famshëm dhe tiranë të pamëshirshëm”. Botimi anonim, i shkruar bukur, pasqyron shkallën e mizorisë se tre sulltanët osmanë: Sulltan Muratin II (Amurath), Mehmetin II (Mahomet) dhe Sulejmanin (pasha Soliman), dhe përballë tyre, lavdëron trimëritë e tre gjeneralëve perëndimorë të krishterimit: Corvinus Mattias-it – hungarez (1443 – 1490), Gjergj Kastriotit – shqiptar (1405 – 1468) dhe Nikola Zrinskit  – austro-hungarez me prejardhje kroate (1508 – 1566). Ky botim anonim ruhet në arkivin e Universitetit të Kopenhagës.

Nëse botimi i parë për Skënderbeun në Danimarkë ishte anonim, botimi i dytë për të, në këtë shtet është autorial, me emër e mbiemër, madje me emër e mbiemër të njohur në gjithë botën. Ky autor është Ludvig Holberg-u.

Holberg-u u lind më 1684 në Bergen të Norvegjisë. Shkollimin fillor e mori në një shkollë latine të vendlindjes, atë universitar në Danimarkë e pasuniversitar në Amsterdam të Holandës e Oksford të Anglisë. Në veprën “Shumë heronj dhe burra të shquar – tregime krahasuese” thotë se: “Skënderbeu ishte një nga gjeneralët më të mëdhenj në histori.”  Asnjë autor tjetër nordik nuk i afrohet autoritetit poliedrik të Ludvig Holberg-ut në planin historik, letrar, filozofik, teologjik, pedagogjik e politik të kohës. Madje, është nga të rrallët personalitete që gëzon tri ekuivalenca kombëtare: i madh në Norvegji, më i madh në Suedi e madhështor në Danimarkë.

Ka botuar shumë vepra por, ajo e vitit1739 me titull “Historia e krahasuar dhe bëmat e heronjve të mëdhenj ” është më shumë rëndësi për shqiptarët. 31 faqe të kësaj vepre ia kushton Skënderbeut. Holberg-u, kur shkruan për Skënderbeun i referohet shumë Marin Barletit dhe veprës anonime (që e përmenden më lartë) të botuar në vitin 1709. Ky filozof, historian e iluminist i pashoq në Skandinavi hetoi qysh moti tek Gjergj Kastrioti ynë tiparet e strategut botëror; gjeti tek populli i arbrit (që kishte Skënderbeun prijës), fibrat e hershme bashkuese, ato fibra gjenetike që na lidhen atëherë, e na lidhin edhe sot, shpirtin tonë me shpirtin e kulturës europiane.

Interesimet e intelektualëve danezë për kulturën e historinë shqiptare nuk kanë pushuar asnjëherë. Sot, ato konsistojnë në studimet albanologjike të zonjave Anna Lorsdotter e Minna Skafte Jensen. Në vitin 2018 (me rastin e Vitit të Skënderbeut) ato erdhën buzagaz në ambasadën e Shqipërisë në Kopenhagë, të shoqëruara nga zonja angleze Patricia Nugge- koleksionistë e librave të vjetër për Skënderbeun, dhe lanë pa tekst gjithë publikun me njohuritë që kishin për Skënderbeun, Marin Barletin e Arbërinë.

Unë kur emigrova në Suedi në vitin e përflakur të Kosovës 1998, ngushëllohesha (sadopak) me shqiptimet sipas fonetikës shqipe të emërvendeve tona vetëm në mediat e Kopenhagës. Atje shkruhej e thuhej Kosovë (jo Kosovo) dhe Prishtinë (jo Pristina), siç i hasja në vendet tjera përreth.

Në Suedi

Në burimet suedeze, shqiptarët, qoftë si emër i vetëm a si histori e tërë, shfaqen më vonë. Kjo vonesë ka shpjegimet e veta. Historikisht Suedia gjithmonë është imponuar në gadishull si fuqi regjionale. Si e tillë, arriti të fus nën aureolën e vet mbretërore Danimarkën, Norvegjinë e Finlandën. Më 1709 në luftën e Poltavës, Suedia thyhet keq dhe nga një fuqi e madhe europiane përfundoi në një ngrehinë të dobët skandinave. Humbi se pari Finlandën më 1809, e pastaj edhe Norvegjinë, më 1905. Duke synuar të zgjerohej sa më shumë e të dukej sa më heroike, asaj as që i shkonte mendja t’i kujtonte heronjtë e huaj. Edhe nëse i  kujtonte, e bënte vetëm sa për të matur hijen e vet nën rrezet e diejve të huaj. Prandaj, në Suedi, Skënderbeu ynë, që nga Papati në Romë, prej kohësh, ishte shpallur atlet i Krishtit dhe mbrojtës i kontinentit europian, nuk u njoh aq sa u njoh në Danimarkë, Islandë apo Finlandë. Suedezët, edhe kur mësuan për Skënderbeun, mësuan përmes një të huaji që botoi më 1788 në Stockholm “Historinë e Kastriotit të madh të Shqipërisë”.

Vepra e parë origjinale suedeze për Skënderbeun është ajo e Thure Gustav Rydbeckut, me titull “SkanderBeg”, botuar më 1835 në Stockholm. Vepra e Rydbeckut u botua gati njëqind vjet më vonë nga vepra e Holbergut në Danimarkë. Rydbeck e thotë vetë se është inspiruar për të shkruar dramën për Skënderbeun nga novela e Th. Barros e vitit 1825, për të cilin nuk kam gjetur kurrfarë shënimesh në Leksikonin e shkrimtarëve suedezë.

Në vitin 1877 gjejmë një vepër interesante të përkthyer në suedisht me titull “Pamje dhe portrete të Turqisë së sotme nga të gjitha pjesët e Perandorisë Osmane në Europë e Azi”. Kjo vepër ishte botuar në Lajpcig të Gjermanisë nga autorët: Von Hellwald dhe L. C. Beck.

Hellwald ishte përkthyer dhe botuar shumë në Suedi. Në esetë e tij: “Etnologjia e vendeve ballkanike” dhe “Ngjarjet në Gadishullin Ballkanik”, vend meritor zënë shqiptarët dhe Skënderbeu.

Një burim tjetër suedez ku flitet për Skënderbeun, është “Libri i familjeve nordike.”  “Nordic Family Book” është një lloj enciklopedie klasike suedeze, botimi i secilës ka filluar në vitin 1876. Botimi i dytë në 38 vëllime, i ashtuquajtur Botimi Owl, doli përgjatë viteve 1904-1926. Në edicionin e vitit 1910 gjejmë biografinë e Gjergj Kastriotit të mbështetur në burime serioze të kohës.

Sot, suedezët edhe kur flasin e shkruajnë për çështjet aktuale shqiptare, ri dimensionojnë famën e Kastriotit, madje shqiptarët pagëzohen pasardhës të Gjergj Kastriotit, siç ishte rasti me veprën e shkrimtarit të sotëm Thomas Nydahl.

Albanologu i sotëm Ullmar Qvick ka shkruar e ka botuar vështrime për Skënderbeun. Epokën e Skënderbeut, madje e quan më të lavdishmen në gjithë historinë e ekzistencës shqiptare.

Do ta them edhe këtë të vërtetë që e mësova në Suedi.

Topçinjtë e parë që rrihnin me gjyle topi muret e kështjellës së Kastriotit në Krujë ishin suedezë. Atëbotë, suedezët erdhën pranë mureve të Krujës si instruktorë të topave të parë që përdorte sulltani në luftë. Ishte instinkti i lindur projektues armëprovues i suedezëve që i solli aty. Ky instinkt armë zbulues ka shoqëruar suedezët deri në kohën tonë. Të portat tona nuk i solli armiqësia por, autorësia e patentimit të armeve. Takimi i hershëm sy me sy suedezo -shqiptar, ndonëse nuk duket të jetë miqësor, nuk i ka keq determinuar asnjëherë marrëdhëniet tona më vonë.

Në Finlandë

Gjithçka që shkruhej a botohej për Skënderbeun në Islandë, Suedi, Danimarkë apo Norvegji, bëhej e njohur edhe në Finlandë. Raportet e ngushta ndërshtetërore, lidhjet familjare e përkatësitë etnike që jetuan e jetojnë edhe sot në territoret e njëra-tjetrës mundësuan informimin e ndërsjellë. Në këtë mënyrë edhe Finlanda regjistroi në kujtesën e vet të dhënat e para për Skënderbeun.

Një kolonel finlandez me emrin Valdemar Evert Gustav Becker, i njohur edhe si Becker-Bei, pasi shëtiti Ballkanin, përfundoi në Francë në vitin 1880. Në Paris botoi një libër interesant, me titull “Shqipëria dhe shqiptarët”. Koloneli finlandez shkroi edhe shumë artikuj në të cilët vlerëson lart personalitetin e Skënderbeut, qëndresën e tij e konsideron mburojë të Europës.

Në vitin 1922, historiani dhe enciklopedisti finlandez Yrjö Karilas boton veprën “Triumfues mbi vështirësitë”. Në vepër shkruan: shqiptarët janë populli më i vjetër i Europës. Në një vepër tjetër të Karilas-it (që cilësohet enciklopedike në Finlandë) përshkruhet jeta dhe qëndresa e Gjergj Kastriotit në mbrojtje të Europës. Në veprën tjetër të botuar në vitin 1944 me titull “Unaza e Skënderbeut” temë kryesore është jeta e Kryeheroit tonë. Si askund tjetër në Skandinavi, në Finlandë figura e Skënderbeut është shndërruar në figurë letrare që simbolizon atdhedashurinë, trimërinë e lirinë. Në letërsinë e Finlandës, qëndresa e Skënderbeut konsiderohet model për edukimin e brezave që nga fëmijëria. Dhe jo vetëm në letërsi por, edhe në mendimin popullor, Skënderbeu simpatizohet dhe vlerësohet mbrojtës i civilizimit europian.

 

  Ps. Në fund autori i këtij shkrimi, Qerim Kryezi, deklaroi se me kënaqësi kishte pranuar ftesën e Lidhjes së Historianëve Shqiptarë në Botë me seli në Zvicër dhe të shoqatës “Gjergj Kastrioti- SKËNDERBEU” për të ardhur me këtë kumtesë në këtë simpozium. Temë kjo që vërtetë tërhoqi interesimin e të pranishmëve.