“Qëndrimi im nuk ka ndryshuar. Ne duam që Kosovës t’i jepet statusi i Republikës”

Me rastin e 41-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, të cilat u zhvilluan nga 11 marsi deri në fillim të prillit 1981, e që në këtë kohë morën përmasa edhe të një kryengritjeje popullore, po publikojmë edhe këtë dëshmi autentike të kohës, të botuar në pranverë të vitit 1983 në shtypin botëror rreth ngjarjeve në Kosovë.

«Kosovë – Shqiptarët janë aty»

Me këtë titull gazeta franceze «Liberasion» botoi një shkrim të së dërguarës së saj të posaçme, Veronika Sule, ku ndër të tjera thuhet:

Me 15 shkurt, Rexhep Maqedonci 27 vjeçar, u dënua me 14 vjet burg. Së bashku me te u dënuan edhe 22 të tjerë, me dënime deri 13 vjet burg. Gjyqi ndëshkoi kështu disa nga pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1981 që kërkonin një status republike për krahinën e tyre të Kosovës, të populluar në ¾ nga shqiptarët. Policia e cila qëndron në rrugët e Prishtinës, kryeqytet i Kosovës, shpërndau ditët e fundit një demonstratë me rastin e dyvjetorit të demonstratave, të cilat shkaktuan 11 të vrarë dhe qindra të plagosur.

Fjala i jepet të akuzuarit. I patundur me vështrim të rreptë, Rexhep Maqedonci i shqipton fjalët prerazi. “Qëndrimi im nuk ka ndryshuar. Ne duam që Kosovës t’i jepet statusi i Republikës”.

Ndërhynë kryetari i gjyqit. Duke ngritur dorën, Rexhepi ia ndërpret fjalën . Ai refuzoi ndihmën e avokatit dhe u mbrojte vetë. “Babai im është në sallë. Dua që ta dijë përse jam këtu dhe përse luftoi. Demonstratat që u zhvilluan në pranverën e vitit 1981 në Kosovë nuk janë kundërrevolucionare”.

Ngjeshur në sallën e ngushtë e të vogël të gjyqit të Prishtinës, të dërguarit e posaçëm fërgëllojnë. Ndodh rrallë që një i akuzuar t’i bëjë ballë kështu drejtësisë. Praktikisht i gjithë shtypi përfaqësohej aty për ta mbuluar procesin më të madh kundër nacionalistëve shqiptarë. Këta 23 vetë, që qëndrojnë në bankën e të pandehurve, akuzohen se kanë marrë pjesë në demonstratat e mars-prillit të vitit 1981, që zyrtarisht shkaktuan 11 të vrarë , por sipas zërave 100 deri 200.

Me 15 shkurtin e kaluar, u dha vendimi me 14 vjet burg për Rexhep Maqedoncin. Të 22 të akuzuarit e tjerë, të cilët gjithashtu u akuzuan se kanë dashur të “ndryshojnë rendin kushtetues të Jugosllavisë” u dënuan nga 1 deri 13 vjet burg.

Origjina e militantëve është domethënëse. Të rinj të moshës 20 deri 40 vjeç, ata janë rreth 10 vetë gjimnazistë ose studentë, 3 punëtorë, 3 mësues, 2 gazetarë dhe një polic.

Me gëlqere të bardhë mbulohen parullat e mëdha në rrugët e në muret e Kosovës, ku kërkohet statusi i republikës. “Çdo gjë është normale, të përsëritin shoqëruesit, vazhdon më tej gazeta. Po sa është çmimi? Rrethimi policor kushton çdo ditë 3 milion dinar ose 430 mijë franga. Që prej majit të vitit 1981 më shumë se 800 veta janë deklaruar fajtorë për “akte kriminale”, nga të cilët 400 kanë marrë dënime që arrijnë deri në 15 vjet burg; gjithashtu 1300 të tjerë kanë marrë dënime që janë në kompetencën e policisë, pra më pak se një vit.

Botuar në SHQIPËRIA E RE, Prill 1983, Rreth ngjarjeve në Kosovë