Qëndresë!

390

Palët e hapura të robdëshambrit sjellin fllad në sallonin e madh. Para se t’i dorëzohet një gjumi të ëmbël, presidenti i spërkat edhe një herë duart me dezinfektant. Mengadal e shpërndan atë sa në njërën dorë në tjetrën. Kur lëngu fillon e thahet në poret duarve, i fërkon ato me shpejtësi nja pesë-gjashtë herë poshtë-lartë. Pastaj ajrin e hollë me hovin e grushtit të ngadhënjimit e çan një „Yes!“: Kuvendi i Kosovës e rrëzoi qeverinë!

Papritur e pakujtuar, para ca muajve, Presidenti i Kosovësnë në një konferencë për medie dha kumtin: Në një marrëveshje me Serbinë do ta marrim Luginën dhe, më interesantja, nuk do të japim asnjë pëllëmbë territor të Kosovës! Më pas qarkulloi një dokument pazari të paparë tokash e pasurish me Serbinë. Jep e merr, jep e merr. Jep… Me një fjalë, doli nga sirtarët plani për shkëmbim të territoreve. Plani për ndarjen e Kosovës. Plani i akademisë dhe politikës serbe.

Pra ishin zhvilluar negociata sekrete me serbët. Edhe një herë, sepse kjo tani tingëllon si gjëja më normale në botë: Negociata sekrete! Me serbët! Doli se aty ishte investuar edhe Rama i marrosur pas lavdisë… Dëshmia më serioze për këtë është ajo e Karl Bildit, ish kryeministrit suedez dhe një ndër politikanët më të angazhuar perëndimor në ish Jugosllavi. Sepse aktorët janë përpjekur të mos lënë gjurmë… Për këtë është rekrutuar dhe mbase vetëofruar Presidenti gjithnjë e më i llastuar i Kosovës.

Nuk dihej kush krejt ishte i përfshirë në këtë marifet. Komisarët Mogherini dhe Hahn i kanë dhënë një dorë të mirë në fillim. Së fundmi me këtë projekt identifikohet ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Madje as ai nuk e thotë në mënyrë eksplicite se e përkrah një marrëveshje për ndryshimin e kufijve. Për ndarjen e Kosovës. Por është e qartë se atij i ngutet jashtëzakonisht për një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe takimet e fundit në Kosovë, Mynih e në Uashington janë krejtësisht jotransparente dhe arbitrare.

Dhe, sekrete është e fshehtë. Dhe, e fshehtë është diçka jopopullore. E dyshimtë. E dhimbshme. E dëmshme. E keqe. Përndryshe ajo do të promovohej me lodra e me topa. Me të drejtë pandehet se edhe në revanin e Ambasadorit amerikan është rimarrë plani për ndryshimin e kufijve. I ndarjes së Kosovës. Plan që për një kohë u zhduk nga tavolinat falë refuzimit të kancelares gjermane, Merkel dhe rezistencës së ish kryeministrit Haradinaj. I kënduar dhe i vetëdijshëm, një plan me origjinë serbe nuk mund ta përqafonte kryeministri i radhës, Albin Kurti.

Frika është se nxitimi i Ambasadorit amerikan lidhet me një interes të momentit për t’i krijuar presidentit Trump një avantazh për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. E thonë jashtë e brenda. Dhe për këtë atij i mjafton një marrëveshje me konsensus minimal ndërmjet palëve. Edhe ndryshimi i kufijve. Narja e Kosovës. Jo rastësisht ai është autorizuar si i dërguar special i Presidentit amerikan. Pavarësisht një të emëruari amerikan për rajonin nga Departamenti i Shtetit.

Për këtë shërbim ai s’e ka për qeder ta frymëzojë rrëzimin e një qeverie në Kosovë. Edhe një qeveri me rekorde të papara pozitive në administrimin e vendit për 50 ditë. Rrëzimin e një qeverie në vlugun e kërcënimit më të madh global dhe lokal, përhapjes së virusit Korona, nga e cila është prekur edhe Kosova. Me asistencën e një presidenti aventurier, të një partie këmbëdridhur dhe një sërë të korruptuarish e smirëzinjsh. 82 votat e mocionit janë vetëm kujdesi i veçantë për relativimin e një skandali.

Dhe kur nuk ngjit arsyetimi – e si të ngjesë! – se po e rrëzojmë qeverinë e shumëpritur dhe meziformuar për mustaqet e Veliut, thonë: E kërkon Amerika! Ky është argumenti i tyre i artë. Amerika! Asgjë më shumë! Po ky nuk është argument. Një formulim i përfunduar i këtij pohimi do të ishte: Duhet t’i japim tokë të Kosovës Serbisë për hir të Amerikës, sepse ajo na ka ndihmuar ta çlirojmë Kosovën nga Serbia. Ka koherencë… këtu? Nëse s’është kështu, përse nuk procedohet si e thotë kushtetuta, duke e marrë Kryeministrin në negociata?

Po vihet kaq lehtësisht një ekuivalencë midis Grenellit dhe Amerikës. Amerikës që e njohim ne. Ndonëse Shtetet e Bashkuara kanë gjithashtu lajthitjet e tyre. Vetëm në raport me shqiptarët, kujto përkrahjen e pakursyer për Berishën në fillimet e tranzicionit, kur ai priste në të djathtë dhe në të majtë, duke e hidhëruar shijen e kaqlakmuar të demokracisë. Shih përkrahjen ashiqare për qeverisjen e degjeneruar të Ramës. Dhe kujto që pa rezistencën e njëmendtë qytetare, sot Shqipëria do t’i kishte në derë helmet kimike siriane. A nuk e kishin shpëtuar Shtetet e Bashkuara Shqipërinë nga shpërbërja…?

Ku fut hundët Serbia, aq më tepër kur ajo favorizohet, te shqiptarët ndizen të gjitha dritat! Urdhëresa që shqiptarët të shpëlajnë të bindur gurmazin e Serbisë me mjaltin e tregut kosovar, nuk është nisje me këmbë të mbarë e një dialogu. Aq më pak premisë për marrëveshje. Por, sikurse në të gjitha momentet e duhura, janë përsëri Shtetet e Bashkuara që e fillojnë ndryshimin… Një qasje tjetër amerikane do të nisë mbase menjëherë pas caktimit të kandidatit demokrat për president në Amerikë.

Gjithsesi: Qëndresë!