Qefti arbëresh, ku gjurmët e Skënderbeut arrin në ditët tona   

 

Gjatë vizitës në këtë katund përplot histori e lavdi në provincën e  Foxhies (Foggia), sikur u kthyem në shekullin e XV, kur jo vetëm që hasëm në sheshin dhe bustin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, por në një pritje familjare në ish- pallatin e pasardhësve të kryetrimit tonë e më vonë edhe në një ndejë vëllazërore te studiuesi, Profesor Mario Massaro, i cili pos botimit të librit monografik “Qefti dhe e folmja e tij”, në bashkëpunim me Ariana Ballukun kishte nxjerr në dritë edhe një Abetare në gjuhën arbëreshe

 Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Nga katundet arbëreshe që kam vizituar në provincën e Foxhias, një përshtypje sa më të veçantë e pata në qytezën Qefti( it. Chieuti, me mbi 1600 banorë, por që ka një histori të lashtë përplot lavdi. Për dallim nga vendbanimet arbëreshe Qefti është thuaja se buzë Adriatikut dhe prania shqiptare, për shkak të afërsisë gjeografike me tokat shqiptare, daton që nga viti 1468, e që ndërlidhet me fushatën ushtarake të Skënderbeut në Itali, kur trupat e kryetrimit tonë midis viteve 1460 dhe 1468, kishin luftuar në mbështetje të mbretit Ferdinand I të Aragonit kundër disa baronëve vendas që mbështetën Renato D′Angiò-Valios, pretendentin për fronin e Napolit.

Derisa kjo ka të bëjë me periudhën tonë më të lavdishme të shekullit të XV, nga ajo që has në rrugë, sheshe por edhe familje arbëreshe, krijon bindjen se paralelisht je duke i përjetuar dy periudhat: të kaluarën dhe të sotmen, falë gjurmëve që has të gdhendura edhe në monumente.

Pasi me bashkudhëtarët e mi kishim bërë një xhiro nëpër Qefti, veçmas duke u ndalë te busti i Skënderbeut i ngritur në një shesh të rrethuar me godina shekullore e në anën tjetër një pamje e Adriatikut, arritëm në sheshin qendror të këtij vendbanimi ku po ashtu edhe ky shesh e edhe një rrugë mbanin emrin e heroit tonë kombëtar.

 

Mikpritja shembullore në pallatin e Kastriotëve në Qefti të Foxhies

Rasti e deshi që pikërisht në sheshin Skanderbeg, të takojmë çiftin bashkëshortor, Ariana Balluku me prejardhje nga Tirana dhe Donato D`Ascrnzo, arbëresh i këtushëm, që jetojnë në pallatin që dikur ishte pronë e derës së Kastriotëve, e ku edhe më tej janë ruajtur disa freskat shekullore

Me të drejtë thonë, se fati është mbret i botës dhe po të mos ishte kështu nuk do të ndodhte, që gjatë vizitës  në Qefti, më 21 Korrik 2019, që çiftin e parë që do të takonim, të na dalë i njohshëm. Të na përshëndesin me një mirëseardhje mu në qendër të qytezës, të rrethuar në katër anët me godina qindravjeçare.

Më konkretisht fjala është për çiftin shumë mikpritës, Ariana Balluku e Donato D`Ascrnzo. Arjana e lindur dhe e rritur në Tiranë dhe e martuar për Donaton arbëresh, me të cilin edhe e kanë një vajzë që studion mjekësinë! Madje çka është karakteristike se ata jetojnë pikërisht në pallatin që dikur ishte pronë e trashëgimtarëve të Derës së Kastriotëve, e që nga ta e kanë blerë paraardhësit e Donatos, por u desh të bëhen mjaft restaurime, në mënyrë që të ruhen disa freska në tavanet e pallatit, ndërsa që muret janë vesh me tapete. Pallati gjendet  në afërsi të sheshit  Skanderbeg, e deri te ai të çon rruga Via CASTRIOTA; ku edhe ky çift mikpritës banon.

Babai arbëresh e rriti Donaton e vogël me dashurinë për Shqipëri!

Dhe derisa Arjana përgatit dreken, mësojmë edhe një histori interesante rreth asaj se si ka lind kjo bashkëshortësi. Donato, me përkatësi arbëreshe që e flet një shqipe të pastër, tregon sesi gjatë luftës së dytë botërore babën e tij e çuan ushtar në Shqipëri dhe kur kapitulloi Italia, atë e strehon një familje shqiptare. Kështu që babai Donatos, ruajti kujtimin dhe dashurinë për Shqipërinë, por asnjëherë gjatë regjimit komunist nuk iu mundësua shkuarja atje, ku donte të falënderonte familjen që e kishte strehua e mbajte derisa rrezikohej me jetë.

Edhe pse nuk iu dha kjo mundësi, ai e ushqeu Donaton, derisa ishte fëmijë e edhe në rini me dashurinë e madhe për Shqipëri, duke i sjellë libra e revista për vendin e origjinës, sa ky u frymëzua dhe u lidhë shumë me Shqipërinë. Ndërkohë, do të ketë fatin që edhe të martohet me Arianën, pas një ndërmjetësimi te familjes ku dikur ishte strehuar babai i tij në Shqipëri.

Ishte aq e fortë e ajo ndjenë për Shqipërinë sa ti bashkojë dy të rinjtë që i ndante Adriatiku, por që i lidhte dashuria për vendin, gjuhën dhe traditën e të parëve. Sa sot të kenë një jetë shumë të lumtur: Ariana duke bërë punën e përkthyeses dhe Donato,  punën e bujkut .

Puna në ullishte të sjell leverdi por edhe duhet punuar shumë

Biseda me Donaton u përqendrua te ekzistenca e arbëreshëve, se me çka merren ata aktualisht. Ai na flet për punën  tij që bën në bujqësi:

-Pos tjerash, posedoj një sipërfaqe prej 10 hektarësh ullinjsh me 2.600 rrënjë, që na siguron ekzistencën, por që kërkon shumë punë derisa të arrihet te pjekja dhe vjelja e ullinjve, na tregon Donato me një gjuhë shqipe të rrjedhshme. Përndryshe po nuk e punove vet me kujdes, vreshta kthehen në druaj të zakonshëm jo pjellor. Vetëm kur bëhet vjelja marr edhe punëtorë sezone. Të tillë si unë ka edhe arbëresh të tjerë në këtë anë që merren me bujqësi e vreshtari.- shpjegon rrjedhshëm nikoqiri ynë, ndërkohë e ndihmon edhe Arianen gjatë shtruarjes së drekës.

Edhe vet pallati kërkon shumë punë për mirëmbajtje sepse posedon dhoma e hapësira të mëdha për një familje të vogël siç është kjo, por shumë bujare e miqësore, nga e cila nuk mund të ndahesh pa e vizituar palatin e tyre me famë ku jetuan disa breza të pasardhësve të Gjergj Kastriotit, disa nga emrat e të cilëve edhe sot e kësaj dite i mban mend Donato

Pritje vëllazërore në familjen e Profesor Mario Massaro

Me rastin e vizitës në shtëpinë e saj Ariana Balluku na e tregoi njërin nga ekzemplarët e një abetareje të posa botuar që do tu shërbejë vogëlushëve arbëresh, pasi libri është i ilustruar me foto për moshën e tyre, duke na njoftuar se po në Qefti jeton e vepron edhe profesori që ka punuar në përpilimin dhe përshtatjen e kësaj abetare të vogël por me vlera të mëdha.

Më pastaj bëmë edhe një vizitë ku banonte profesor Mario Massaro që kishte botuar edhe një libër për këtë vendbanim arbëresh me emërtimin: “Qefti dhe e folmja e tij”. Me të cilin edhe u pajisa bashkë me shoqëruesit nga Zvicra, Gjergj Prenkoçajn dhe Shefqet Cakollin.

Në familjen e profesor Marios hasëm në një pritje mëse të ngrohtë vëllazërore, ngase krahas rafteve të shumta me libra që pamë një bibliotekën e ti të pasur, shoqja e profesorit ndonëse e moshuar bashkë me të vajzën na pritën me këngë, siç ndodhë zakonisht në mesin e familjeve arbëreshe. Pra ishte kjo pritja te profesori ynë i shquar, jo vetëm me libra qindvjeçare, por edhe me këngë e bujari të trashëguar nga toka e të parëve.