Purçilli apo Eianina, katundi arbëresh ku presin me dyer hapur e zjarr në vatër!

Gjatë shtegtimeve të mija nëpër Kalabri, sa herë rrugëtoj nga Frasnita ( Frascineto ) për Çifti (Qivita), katunde këto që shquhen edhe me bukuri, kulturë e histori, nuk mund e të mos kthej në katundin e vogël Purçill apo Eianina, që ka dhënë jo vetëm figura të shquara letrare e misionare, por edhe ku vendasit të presin, pos me këngë edhe me zjarr në vatër, qoftë edhe në mes të verës, një traditë kjo e lashtë e mikpritjes në botën arbëreshe

Teksti e fotot: Rexhep Rifati   

Pasi me një grup mërgimtarësh nga Zvicra, kryesisht nga fusha e artit, na erdh një ftesë nga një nënë arbëreshe për ti bërë një vizitë familjare. Disa nga shoqëruesit e kishin takuar edhe në një rast tjetër, por për mua ishte hera e parë. Vërtetë ishte ky një rast i mirë për tu njohur me të amën e mikut dhe artistit, profesor Michele Greco, që e kisha takuar jo vetëm në Frasnitë, por edhe në Zvicër e Francë me një grup artistësh nga Shoqata e mirënjohur “Vëllezërit arbëresh”.

Por e veçanta e kësaj vizite e realizuar më 23 Prillit 2019, do të më mbetet përherë në kujtesën e të gjithë ne ftuarve që gjendeshim për një vizitë disa ditore në Kalabri, sepse ajo që na befasoi ishte pritja jo vetëm me këngë, siç ndodhë zakonisht në familjet arbëreshe, por edhe ndezja e zjarrit në vatër nga nëna 83 vjeçare dhe motra e profesor Micheles. Ishte kjo një nënë fisnike e bujare, që sa herë që merrte vesh se do të ketë mysafir, megjithëse në moshë të shtyrë e ndezte zjarrin në vatër, qoftë edhe pika e verës, për ti pritur kështu mysafirët me shumë dashuri e ngrohtësi, por edhe me kafe e raki!

Atë ditë të gjithë ne që ishim mysafir të nënës së Micheles, ku kishte ardhur edhe e motra e tij për të na shërbye me kafe e ëmbëlsira, si: Mimoza Nazarko artistja e këngës shqipe bashkë me të burrin e saj Bekatsh Bektashin  me banim në Gjenevë dhe çifti Luljeta e Shaip Dedaj me banim në Francë, si dhe Sherif Dakaj, kryetar i ansamblit “Rinia” në Zvicër, mbetëm të mahnitur jo vetëm me mikpritjen e  përzemërt por edhe dekorin e shtëpisë së mbushur përplot simbole e figura kombëtare, që i ishin dhuruar apo edhe i kishte grumbulluar Michelo gjatë udhëtimeve në trojet shqiptare dhe në mërgatë.

Ajo që ishte e veçanta, siç ndodhë me shekuj në mesin e arbëreshëve ishte kujdesi i madh që tregohet për kostumet kombëtare nga periudha të hershme. Ndaj edhe me këtë rast e ëma e Michelos na e tregon foton e mbesës së saj në një festë arbëreshe veshur me kostumet e gjyshes së kësaj nëne që ka shkel në të 83-tatë, çka tregon sesi këto kostume janë ruajtur për gjashtë breza të plotë(!) apo për rreth 2 shekuj, një dëshmi tjetër kjo për ruajtjen e dashurinë dhe kujdesin e jashtëzakonshëm që kanë vëllezërit arbëresh për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare.

Duke e përjetuar thellë mikpritjen e një nëne bujare, nuk ka si mos të vlerësohen edhe fëmijët e saj që bëjnë aq shumë për kultivimin  dhe afirmimin  e këngës dhe valles shqipe. Si fakti për këtë është edhe rasti i Micheles, i cili përkundër asaj që ka kryer edhe universitetin në Romë nuk mund të shkëputet nga vendlindja dhe nga grupi “Vëllezërit Arbëresh” në Frasnita të Kalabrisë, madje edhe duke jetuar këtu e jo në metropole ku është shkollua e specializuar.

Por fati ishte i hidhur që vetëm disa muaj pas kësaj vizite kjo nënë bujare arbëreshe që na priti me këngë e zjarr në vatër iku në amshim, por në kujtesën tonë vazhdon të jetojë me përjetimet që na ngelën në ndër dijen, por edhe me trashëgimin e saj të madhe, fëmijëve dhe nipave e mbesave që la pas , të cilët duke e ndjekë traditën e të parëve vazhdojnë të ruajnë e kultivojnë atë trashëgimi e vlerë të sjellë nga trojet e të parëve disa shekuj më parë.

Kjo histori mbresëlënëse ka të bëjë me ditët tona, porse Purçilla – Eanina pasdreke, që dikur ishte qytezë më vete, por që së fundi është përfshirë në komunën e Frasnitës gjatë historikut të saj ka dhënë figura të shquara: shkrimtarë e misionarë. Ndër të cilët shquhet Lluka Perrone (1920) , poet arbëresh nga Ejanina (Kalabri), që ka studiuar për drejtësi dhe gjuhën frënge. Ai, siç mësojmë nga libri i  studiuesit Gjovalin Shkurtaj, se: “Për vite me radhë, Perrone është marr me mbledhjen e pasurisë folklorike arbëreshe, sidomos të përrallave , duke botuar edhe përmbledhjet shumë të vlefshme «Novellistica italo-albanese». Si poet ka botuar përmbledhjen me vjersha  «Lule shkëmbi», «Hijet e ariut», «Vjersha lirie»,»Derrudhëz». NJë vend të veçantë në vjershat e Perrones zë malli për Shqipërinë.

Po ashtu shquhet edhe Zot Emanuele Giordano, që ka hartuar Fjalorin Arbërisht-Italisht, një monument ky i arbërishtes me 19.000 fjalë, të shpjeguara me frazeologji dhe vet burimin krahinor, sidomos të këtij mjedisi të rrethuar me shkrepa.

Me rastin e kalimit në amshim për këtë personalitet të shquar arbëresh flet edhe profesori e shkrimtari, Mario Massaro nga Qefti (Fg), i cili thotë se ka pasur fatin të njohët nga afër, personalisht Z. Emanuel Xhordanin,  kur kishte ardhur për të mbajtur një Meshë në ritin bizantin, shumë vjet më parë në Kazallveq, me rastin e festës së Shën Mërisë të Gràxjave, çë ishte pajtorja e katundit dhe festohet e treta të dele të muajit të majit. Atje kam njohur edhe të nipin Gustin,

  1. Emanuelin, profesor Mario Massaro e vlerëson si një njeri të famshëm për kompetencën mbi studimet albanologjike dhe i njohur në tërë botën arbëreshe dhe shqiptare për atë të rrallë “Fjalor i Arbëreshvet t’Italisë” (1963) çë ka unifikuar dialektet arbëreshë me një leksik të vetëm, një grafi, një fonetike dhe një morfologji. Pa Fjalorin e Z. Xhordanit u ngë mund kisha shkruor fjalorin mbi të folmet e Qeftit dhe Kazallveqit. Ai për mua qeti burim, shëmbull dhe udhëheqje për të nisja dhe për të përfundoja shubërtirën. Ashtu si Arbëreshët e kanë dashuruor dhe lavduor në këtë jetë për cilësitë të lartë, kishtu qoft i bakuor nga Perëndia në tjetrën jetë. Kujtime si lule me mirënjohje, për lal-zotin Manòl”…

Po për këtë misionar e gjuhëtar flet edhe atë Antonio Belushi ( Bellusci) , i cili me rastin e vdekjes shkroi disa përshtypje që nga fëmijëria kur njohu këtë personalitet arbëresh, ndaj edhe me këtë rast shkëputa dy nga tregimet e At Antonios, ashtu siç i ka shkruar në origjinal :

“ Urata e lal-zotit Manòl.

  1. Kur lal-zoti Manol u bë prift dhe erdh Frasnitë në vitin 1945, u kisha njëmbëdhjet vjet. E mëma m’dergoi mb’krua ka Kroj Kràvarit me nj’gajdhure me di vucë te samari për t’mirrja ujë ka di pishotul të mbëdhenj ç’ishen atje. Gjithe gjindjat vejen atje ahirna, pse nd’katund s’kishem ujit mbi shpi. Kur vuctë u mbjuan me ujë, cje Dellina Ngjanit ç’ish atje muar vuctë e m’i vu mbi samarin e gajdhures, një kanjanë e një ka jetra anë, mbrënda te di terkuza. U nisa për t’veja ndi shpi. Udhë e udhë, afer ka udha e pondit, u llaskàr nëngji terkuzes te nj’vucë, e gjithë samari me jetren vucë ish e bijen md’truall me gjithë gajdhuren. U vura e thërrita fort fort, sa më vuxh kisha te gërrlaci, sa të m’gjègjjen edhe timbat e malëve. Ish e shkonej lal- zoti Manol tek udha përsiper e m’gjegji. Erdhi karrera karrera e më ndihu dhe ndreqi samarin dhe vucëtë. Ai m’qeshi, m’shutarti ato di pika loti ndër faqe dhe iku. Ndë shpi ja thash mëmës dhe tatmadhit, lal Tumazi Llupaqit, dhe tatmadhi dhopu tri ditë m’suall ka mali di fishele me gjizë dhe një palàç i pështjellur me fìera. ”Ndonù, ec e ja qell lal-zotit Manòl, pse ki është një prift shumë i mirë te zëmra. Me t’jatin, Gustinin, na duhemi shumë mirë. Ec mbjatu, dhe puthi doren dhe lipi uraten, se t’bën mirë. E gjegje? Mos e harro!”.
  2. Kopshti zotit-lal Manol Purçill tek shpia ku rrinej lal-zoti Manol ish, dhe është, nj’kopsht si një parrajs, ku ai mbolli shegen, fikun, mindullen, arren, dardhen, kumbullen, gërrshinë dhe gjithë t’mirat. Kur veja e e gjëja ai, gjithë hare, ai m’qellnej te kopshti. I qeshnej zëmra dhe fjala tij bëhej e ëmblez si mjaltë. ”Përvo këtë sheg sa e bukur është, përvo këtë dardhë sa e ëmbel është, mirr e ha këtë kullumber. I mbolla u me këto duar dhe disa dhe i nxitarta”, m’thoj me zëmren pjot hare, ture shkuar kanjanë e kanjeter. “Sot hami këtu. Vemi e ziemi gjë dhe m’ndihen e bëmi gjë. Dhe menat nisemi e vemi bashkë nd’malt e prana priremi. Janë edhe tre o katër trima çë duan t’venë n’malt. Do t’vish? Vëmi nj’copez bukë dhe nj’copez djathë, nj’rrogjikez me verë, dhe nisemi e vemi. Vër këpuctë me taça e mos harro shapken dhe kaloqen, pse ka t’ngjitemi tek ato brinja njëra lartë”. “Vinj, vinj, lal-zò, mua m’pelqen shumë mali. Ato brinja e ato llaka i njoh mirë”…