Vala e të nxehtit në kantieret e ndërtimit
Përsëri është shumë vapë dhe temperaturat ngrihen mbi 30°C. Punëtorët kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre. Së bashku me Unia, ata kanë nisur një peticion për ndërmarrjet, sipërmarrësit e ndërtimit dhe politikanët, ku shpalosin kërkesat e tyre.
Realiteti venë në pah se po ndërtohen gjithnjë e më shpejt dhe me gjithnjë e më pak njerëz. Presioni i afateve sa vjen e po rritet, kështu që puna kryhet edhe në nxehtësi të jashtëzakonshme dhe shpesh nuk mund të respektohen masat paraprake të sigurisë. Rreziku i aksidenteve rritet: shëndeti i punëtorëve është në rrezik. Sipas Suva, rreziku i aksidenteve në kantieret e ndërtimit rritet me 7 % në ditët me temperatura mbi 30°. Pothuajse 1000 punëtorë çdo vit sëmuren me kancer të lëkurës për shkaqe profesionale. Kësaj duhet shtuar edhe dehidratimet e shumta dhe përcëllimet nga dielli.
Nevojitet ndërmarrja e masave
Punëmarrësit nuk janë më të gatshëm të sakrifikojnë shëndetin dhe sigurinë e tyre për të përmbushur presionet në rritje të afateve. Nëse situata është e rrezikshme, puna duhet të ndërpritet. Nëse kjo nuk garantohet dhe kërkesat e punëtorëve nuk dëgjohen, Unia do të ndërhyjë në terren. Për të mbrojtur punëtorët e ndërtimtarisë kërkohen katër masa. Së pari, Kontrata Kombëtare në Ndërtimtari (KKP) duhet të merret seriozisht: Nëse shëndeti është në rrezik, puna në mot të keq ose valë të nxehtë duhet të riorganizohet ose të ndalet. Së dyti, standardi SIA 118 duhet të respektohet rreptësishtë! Nëse puna ndërpritet për shkak të motit të keq ose vapës, ndërmarrjet e ndërtimit duhet të lejojnë përshtatjen e afateve. Nuk lejohet të shqiptohet asnjë ndëshkim kontraktual. Përveç kësaj, nuk mund të lejohen më që punëtorët të punojnë jashtë orarit përpara se të paguhet sigurimi i motit të keq, ndërsa edhe dy ditët e pritjes gjatë valëve të të nxehtit duhet të reduktohen. Së fundi, në ligj duhet të futen kritere të qarta për ndalimin e punës në mot të keq dhe vapë.
Një peticion që kjo të ndryshojë
Nënshkruaje këtë peticion dhe shpërndaje sa më gjerësisht të jetë e mundur. Kështu që ne në vjeshtë të mund të dorëzojmë shumë nënshkrime. Peticionin mund ta gjeni këtu: https://www.unia.ch/de/kampagnen/bau-schlechtwetter-und-hitze
Nga Marie Saulnier Bloch, gazeta e sindikatës Unia në gjuhën shqipe Horizonte Nr. 5, 2023