“Pse vjen ti edhe më tej në Kosovë?”

511

EK, Tramelan, 29 tetor 2019

Para pak kohësh isha në Kosovë për herë të nëntë ose të dhjetë, që pas daljes në pension të (bashkëshortit) Heini-t, kur u kthyem në Zvicër në dhjetor 2016. Dhe ndërsa pija çaj në tarracën e saj, Xhemile Dehari më pyet me interes të ndershëm: “Pse vjen ti përsëri e përsëri në Kosovë?” – Po, pse në të vërtetë?

Xemile Dehari, mikesha e kahmotshme e autores Elisabeth Kästli

Mbaj mend duke i thënë lamtumirë Prishtinës, pas gjashtë vjet e gjysmë që jetoja në shtëpinë që gjindej në rrugën Emin Duraku, rrugicë kjo paksa e shëmtuar dhe njëkohësisht edhe e bukur, e që ishte bërë edhe shtëpia ime. Fqinja dhe shoqja ime Eli erdhi në hotel në orën 7:00 të mëngjesit të 15 dhjetorit, ditën tonë të nisjes, për të na dhënë edhenjëherë lamtumirën. Edhe Arsimi e Bardha, në shtëpinë njëkatëshe të të cilëve në Novobërdë kemi kaluar shumë fundjavë të mrekullueshme, gjithashtu erdhën, madje Arsim na shoqëroi për në aeroport, ku katër nga kolegët e Heini-t tashmë ishin duke pritur që pas check-in të pinin kafe me ne dhe na e dorëzuan edhe dhuratën e fundit.

Në mes Elisabath dhe Heini të shoqëruar nga miq/mikesha e personazhe veprash të saj
Elisabeth Kästli tek “Agroturismo” e Osman Shalës në Drelaj (Lugina e Rugovës)

Qysh në taksi, gjatë rrugës për në në aeroport, nuk mundja t’i mbaja lotët. Një periudhë jetësore mori fund bashkë me ndjenjën se kaq përzemërsi sa kisha përjetuar këtu nuk mund të prisja edhe në Zvicër. Kur, për çudi, një komitet i madh pritjeje miqsh qëndronte në aeroportin e Cyrihut me trëndafila dhe një poster “Mirë se vini në Zvicër”, lotët filluan të rridhnin përsëri. Ngrohtësia ekziston edhe në Zvicër!

E megjithatë ngrohtësia dhe mikpritja shqiptare është diçka e veçantë. Unë mendoj se të gjithë vizitorët tanë nga Zvicra e ndjenin këtë në Kosovë. Mikpritja është rrënjosur thellë në kulturën shqiptare. Dhe ngrohtësia sigurisht që ka të bëjë shumë me mënyrën e të jetuarit në Kosovë, e cila mënyrë e jetesës është (madje) më e rehatshme se mënyra e Zvicrës. Nuk ka ende një bollëk të tillë të aktiviteteve të kohës së lirë në Kosovë si në Zvicër. Mirëpo, kohë për një kafe me mysafirë gjendet gjithmonë. Gjithashtu edhe kohë për pikëllim dhe për të festuar në bashkësi. Dhe vizitorët e huaj që e pëlqejnë atë, në Kosovë janë gjithmonë të mirëpritur.

Po, Xhemile, është mbi të gjitha kjo “kulturë e mirëpritjes” e sinqertë që i bën njerëzit në Kosovë të jenë kaq të vlefshëm e të dashur për mua. Por gjithashtu edhe për faktin që përkundër kushteve të vështira të jetesës ata mund të qeshin dhe të jenë të lumtur dhe që në situata disi të komplikuara apo edhe të vështira thojnë “s’ka problem!”, nuk ka problem! Problemet mund të zgjidhen me shumë improvizim, spontanitet dhe gatishmëri për të ndihmuar.

Kosova është një vend i ri me një popullsi të re, e cila mund të ndihet dhe shihet gjatë shetisë nëpër rrugë dhe zona këmbësorësh të Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës dhe qyteteve të tjera. Ka shumë jetë në rrugë si dhe në kafenetë e shumta përgjatë rrugëve, dhe ku shumë burra të moshuar dy nga dy janë duke ecur bashkë apo duke qëndruar ulur jashtë në tavolina. Unë dhe Heini përsëri sapo e kemi provuar dhe shijuam atë gjatë këtyre ditëve të arta, të ngrohta të tetorit.

Por unë e dua natyrën edhe në Kosovë. Mbeturinat që rrinë përreth shpesh e prishin paksa pamjen – asgjësimi i mbeturinave nuk është ende i organizuar sipas rregullave të përgjithshme, nuk ka asnjë fabrikë të djegies së mbeturinave, deponitë korrespondojnë afërsisht me situatën në Zvicrën e viteve të 1960-ta, përkeqësuar nga fakti se epoka plastike ka kohë që ka filluar, gjithashtu edhe në Kosovë. Por neve na duhet të largohemi vetëm disa kilometra larg qytetit për të shëtitur në natyrën më pak të përdorur e të larmishme dhe të shijojmë atë me bollëkun e saj të luleve dhe bimëve.

Dhe së fundi, është emocionuese dhe pasuruese të ndjekësh ndërtimin e një shteti dhe të përjetosh se sa shumë punë e mund duhet dhe sa pak e vetëkuptushme është, gjë që shpesh ne në Zvicër e marrim si të mirëqenë. – Në vizitën time të parë, në nëntor 1998, policia serbe ishte kudo në pikat e kontrollit, refugjatët jetonin në strehimoret e urgjencës, vështirë se dikush guxonte të dilte në rrugë në errësirë, më së të paku nga të gjithë të rinjtë, të cilët duhej të llogarisnin me keçtrajtime nga policia në çdo kohë. Në vizitën tjetër, në shtator 1999, mbretëronin bashkë euforia dhe trishtimi. Kishte shumë të vdekur e persona të zhdukur pas luftës, dhe shumica e fshatrave u shkatërruan; por pati gjithashtu një lehtësim dhe gëzim të jashtëzakonshëm nga pala shqiptare e Kosovës, një ndjenjë lirie, që nën regjimin e Millosheviçit pat humbur plotësisht.

Pas tërheqjes së ushtrisë serbe dhe zhvendosjes ose largimit të shumicës së popullatës serbe, e gjithë administrata, policia, kujdesi shëndetësor, shkollat dhe universiteti duhej të rindërtoheshin. Disa komandantë të UÇK-së shfrytëzuan momentin e vakumit të pushtetit për t’u pozicionuar. Administrata e OKB-së, UNMIK-u, çalonte, duke u përballur me një detyrë gati të pamundur, të cilën e bëri më shumë keq sesa mirë. – Që nga viti 2008 Kosova është një shtet i pavarur . Është arritur shumë, por mbetet edhe shumë për të bërë. Dhe plagët e luftës ende nuk janë shëruar. Si do të shkojë më tej? Sapo janë zhvilluar zgjedhjet nacionale, duke u dhënë shpresë të re shumë njerëzve të zhgënjyer dhe të irrituar.

Xhemile, do të kthehem përsëri për të parë, dëgjuar dhe përjetuar të bukurën dhe ngrohjen, të papërfunduarat dhe bërjen, pozitiven dhe negativen, dhe për ta ndarë e shkëmbyer atë me miqtë dhe të njohurit tanë këtu e atje.

Në vegët vijuese mund të lexoni dhe shkrimet tjera nga Elisabeth Kästli të publikuara kohë më parë në portalin tonë prointegra.ch: 

Kthimi në shtëpi pas dhjetë vitesh – Heimkehr nach zehn Jahren

Kosova – Plastikland / Kosovë – vend plastike

Zhvillimet në Kosovë – një prokupim edhe i miqve të saj

“Shtatë vëllezër e shtatë motra” sërish në Cyrih