Pse duhet të vizitohet Komuna e Deçanit?

Shumica e bashkatdhetarëve tanë, pushimet i kalojnë në bregdetin shqiptar, por pse ato mos të fillojnë nga vendlindja.
Me pak para dhe për pak ditë, pushimet mund ti kaloni edhe në komunën e Deçanit.

Një listë është publikuar me vendet e Europës, të bashkangjitura me një propozim se çka duhet vizituar në atë vend. Edhe Kosova është pjesë e kësaj harte, e renditur në vendin e 11-të. Në propozimin e publikuar nga Indepedent, në Kosovë propozohet të shihet Manastiri i Deçanit, apo i njohur si “Visoki Deçan”.

Manastiri i Deçanit është një monument i trashëgimisë kulturore, i ndërtuar në shekullin XI. Është pjesë e listës së monumenteve të mbrojtura të UNESCO-s.

Manastiri i Deçanit është ndërtuar afër lumit Bistrica, nën shpatet e mprehta të bjeshkëve të Nemuna, dhe është rindërtuar mbi themelet e një kishe të vjetër ilire.

Ajri i pastër, cicërima zogjsh dhe një qetësi flladitëse që vjen nga Bjeshkët e Nemuna, të shoqërojnë derisa pret ta dorëzosh lejen identifikuese tek ushtarët e KFOR-it për ta vizituar këtë manastir.

Duke hyrë në oborrin e Manastirit të Deçanit takohesh me shumë vizitorë të huaj dhe dëgjon gjuhë të ndryshme të botës.  Për Manastirin e Deçanit është thënë shumë dhe vazhdon të thuhet dhe shkruhet në mediat me nam botëror rreth historisë, tokës që rrethon, pozitës gjeografike dhe divirsitetit etik që është treguar prej shekujsh në këtë manastir, por edhe rreth etnicitetit të këtij manastiri. Me të kaluar Manastirin e Deçanit, rruga të shpie te Bjeshkët e Nemuna të cilat shtrihen në veri të Shqipërisë, në perëndim të Kosovës dhe në juglindje të Malit të Zi.

Ndërkaq, ndërthurje me këto bjeshkë bëjnë dhe bjeshkët e Prejlepit të cilat kanë lartësi mbidetare 2150. Lartësia mbidetare (2656 metra) e Bjeshkëve të Nemuna ofron kushte të përshtatshme për zhvillimin e turizmit sezonal dimëror dhe turizmit sezonal veror.

Turizmi dimëror zë një vend të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në Komunën e Deçanit duke iu referuar terreneve shumë të përshtatshme natyrore, hapësinore e klimatike për zhvillim.

Këto bjeshkë karakterizohen me bukuri të shumta natyrore, të cilat, të ndërthurura me stanët e ndërtuar nga banorët e kësaj ane, ajrin e pastër, dhe bimët e shumta natyrore, përbëjnë pamje mahnitëse. Peizazhi i tyre është në të katër anët, madje me t’u ngjitur deri në krye, mund t’i shihni pikat kufitare të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Se ku do ta bëni gjumin, nuk keni nevojë të brengoseni, pasi stanet e banorëve këtu qëndrojnë të hapura për çdo vizitor, në çdo kohë.

Një vend tjetër turistik në po këtë komunë, është Drenoci, fshat ky me vlera historike, kulturore dhe tradicionale.  Ky fshat dita-ditës po bëhet tërheqës edhe për turistët e huaj nga rajoni, Evropa dhe bota e largët. E veçanta e fshatit Drenoc janë kullat prej guri. Në të dyja anët e sokakut të këtij fshati janë të ndërtuara dhe restauruara kulla prej guri me shumë mjeshtri, art dhe traditë.  Ndonëse lufta e shkatërroi çdo gjë, ky fshat u ringrit duke ruajtur vlerat historike dhe kulturore.