Promovimi i katër botimeve të ISEAL-it u prit me interesim në Cyrih

480

Me organizimin e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, mbrëmë u bë promovimi i katër librave të Institutit Zviceran për Studime Shqiptare (ISEAL) me seli në Lozanë, institut ky që shquhet në lëmin e kërkimeve shkencore, por që shquhet edhe me botime duke arritur nxjerr deri më tash18 tituj, disa nga edhe në gjuhë të huaja 

Teksti e fotot. Rexhep Rifati

Institutit Zviceran për Studime Shqiptare (ISEAL  me seli në Lozanë, që drejtohet Driton Kajtazi, shquhet prej vitesh për një veprimtari në disa lëmi e sidomos në atë të kërkimeve shkencore, aq më parë që rreth vetës ka arrit të tubojë emra të shquar edhe nga pala zvicerane, drejtues institucionesh, ligjërues universitar, parlamentar e të tjerë, që bashkë me emra të dalluar nga pala shqiptare të trajtojnë dhe hulumtojnë tema në domenin e njohjes dhe afirmimit të vetë komunitetit si dhe të forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë midis vendeve prej nga kanë migruar shqiptarët në shtetin helvetik.

Në këtë vazhdë do kuptuar edhe punën e madhe që bën ky institut në lëmin e botimeve, i cili nga themelimi ka arrit të nxjerr në dritë 18 tituj, nga të cilët katër prej tyre iu prezantuan publikut edhe në qytetin e Cyrihut. Organizator i këtij promovimi, që kishte tërheq mjaft emra të njohur të shqiptarëve me arritje në fusha të ndryshme, ishte Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, meqë rast edhe kësaj radhe mirëseardhje botuesve iu dëshiroj Sami B. Kastrati – Udhëheqës i Misionit të kësaj konsullate, ndërsa hapjen e evenimentit e bëri konsullja Shukrije Ramadani.

Fjala e Dr. Olivier Meuwly, pritet me interesim të veçantë

Për vet përmbajtjen e librave folën: Dr. Olivier Meuwly, historian, kuadër i lartë në Kantonin Vaud, autor, anëtar i Këshillit të Fondacionit ISEAL-it dhe Driton Kajtazi, autor, mësimdhënës në Kolegjin Léon-Michaud (Yverdon VD), drejtor i ISEAL-it. Jo vetëm rreth librave, por edhe të aspekteve të tjera, si njohës i mirë i rrethanave në Kosovë dhe në relacionet e Bashkimit Evropian, Dr. Olivier Meuwly, i bëri një vështrim edhe situatës aktuale politike e shoqërore të Kosovës në raport Perëndimin, duke ngjallë debat në mesin e të pranishmëve për tema të caktuara.

Ndërkaq Driton Kajtazi, u ndalë tek puna që bënë institucioni që drejton në fushën e botimeve, duke mos u ndal vetëm në Zvicër, por edhe në disa nga botimet e edhe me tematikë nga Kosova, apo për Kosovën dhe viset shqiptare pa dallim, ngase siç tha as kur flasim e veprojmë këtu, nuk i dallojmë shqiptarët në baza regjionale, apo sipas bindjeve e përcaktimeve të tyre, të çdo natyre qofshin. Ndër ata që morën pjesë në debat ishte fjala e intelektualit dhe afaristit të shquar, Bekim Mustafi, i cili kësaj radhe u ndal veçmas në periudhën kur ka bashkëpunuar me Driton Kajtazin në Friburg apo Lozanë derisa viheshin bazat e para të shoqatave studentore shqiptare.

Librat botohen pa pasur donacione përkatëse

Edhe titujt e librave të pasopromovuara: 1) Histori e pranishme e një shteti të ri (aktet e Simpoziumit shkencor me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të mbajtur në Universitetin e Lozanës) . 2) Kosova: Histoire présente d’un nouvel état (botim në gjuhën frënge, aktet e simpoziumit shkencor me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës të mbajtur në Universitetin e Lozanës): 3) Rrënjë për tu rritur gjetiu (tekstet e tri çmimeve të para të një konkursi letrar të mbajtur nga Universiteti i  Lozanës dhe ISEAL, botim në gjuhët frënge dhe shqipe) dhe 4) “Urtësi nga Kosova” (botim në gjuhët shqipe, frënge, gjermane, italiane dhe angleze.). Me këtë rast u përmend se instituti tërë këtë veprimtari botuese e zhvillon në kushte shumë të kufizuara po donacione përkatëse, sidomos jo të institucioneve përkatëse të Kosovës. Por, e pash të arsyeshme të theksoi siç figuron edhe në librin “Urtësi nga Kosova” , kontributin e dhënë nga doktor Gëzim Dushi.

Me këtë rast po jap fjalën nga parathënia e librit të fundit, që paraqet një ekzemplar të rrallë jo vetëm nga fakti se është në 5 gjuhë dhe ka një përzgjedhje të thesarit të fjalëve tonë të urta, porse në te gjen edhe diçka shumë më mbresëlënëse e delikate, pasi në kurorëzimin e këtij botimi unik, kanë kontribuar edhe personat me aftësi të kufizuara. Për më tepër parathëna e librit, “Urtësi nga Kosova” e autorit, Driton Kajtazi:

Urtësia  ka vetëm një gjuhë: Njerëzimin

Kur një gjuhë nuk e ka fatin të frymojë në lirinë e të shprehurit, sikur e gjen prehjen dhe strehën në urtësinë e të menduarit të të folurit metaforik. Gjuha shqipe, e ndaluar me shekuj nga pushtues të ndryshëm, në kryqëzim të udhëve pushtuese, gjeti rrugëtimin e vet falë dashurisë dhe urtësisë së folësve të saj. Gjuha shqipe, shqiponjë sfiduese e stuhive, e bëri folenë e vet, bëri fluturimin e fjalëve.

Në kërkim të bukurisë së shprehjeve gjuhësore për këtë libër, njëherësh kërkoja dhe bukurinë ushqyese të natyrës për sy dhe fjalët e urta shoqërohen me imazhe të bukura, në Kosovë, në Zvicër, në Itali dhe gjetiu, pa kufij. Bukuria e fjalëve të urta nuk ka kufij, peizazhet nuk i përkasin vetëm një gjuhe e as vetëm një territori.

Punime dore, enkas dhe origjinale për libër, të bëra nga gra në Kosovë, të prekura nga lufta dhe nga pesha e së kaluarës, e pasuruan, e përmbyllën këtë libër. Tani, në liri, nëna, motra, vajza, shoqe, kolege,  fqinje, frymojnë ashtu që bukuria e qëndisjes së fjalëve të gërshetohet me qëndisje, shprehje kjo e vetme artistike me shekuj, rrezatuese ndaj errësirave, rreze në hijen e pushtuesve të ndryshëm. Gratë nga  Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas përmbyllin këtë libër me porosi njerëzore, me shpresë përjetësie, me një lule të vetme, lule Genciana, por të qëndisur në një mijë mënyra. Dhe këto punime me këtë libër ju sjellin freski lulesh për sytë tuaj, ngrohtësi amtare në duart tuaja.

“Njeriu në jetë ka nevojë për një filxhan shkencë, një shishe kujdes dhe një oqean durim”, shkruan Ismail Kadare. Me durim u qëndisën fjalët e urta, trashëgimi njerëzore, me durim u qëndisen lulet Genciana për  këtë libër, lule me emrin e mbretit ilir, Genci. Emrin e ka nga një mbret ilir, por aromën e jep për tërë njerëzimin, pa kufij. “Bota është një lule, do t’i marrim erë të gjithë”, thonë në gjuhën shqipe, në gjuhën e mbretit Genc.

Nëna Tereze, nga mendja e urtë e saj shkruan: “Ajo që ne ndiejmë se bëjmë, është vetëm një pikë uji në oqean. Por, oqeani do të ishte më i paktë për shkak të asaj pike që mungon”. Ky libër është një pikë urtësie në oqeanin e urtësisë njerëzore, një pikë që e ushqen këtë oqean mendor njerëzor.

Këto punime, të ngjitura në kopertinë nga personat me aftësi të kufizuara, të organizatës Handikos në Prishtinë, sfidojnë hapësirën për t’i dhënë peshë kohës. Përmbyllje e botimit nga persona që e kanë forcën më të duhur që të përmbushin botimin e një libri me urtësi popullore. Me respekt i shikojmë dhe frymëzohemi nga dinjiteti, nga forca morale e personave me aftësi të kufizuara në lëvizje fizike, por me një shpejtësi sfiduese mendore për pjesën tjetër të popullatës, që e pranon se “kujt nuk i lodhet koka, i lodhen këmbët”.

Fjalët e urta, fjalët e ndritura të mendimit dhe të veprimit njerëzor, të domosdoshme, ashtu sikurse uji dhe dielli për natyrën dhe për lulet Genciana.

Një mijë punime të tjera, shënim-faqe, të tërat janë bërë nga një nënë dhe 4 vajza të saj në një fshat të Klinës. Një nënë, që qiellin e saj të zymtë, nga pesha e së kaluarës, e sfidoi me horizonte të reja, me jetë të reja, me një diell tjetër. Dhe, doli fitimtare, e liruar nga pesha e së kaluarës. Anonime, heroinë familjare, kjo nënë i mundësoi librit të ketë këto një mijë punime, shënim-faqe, për lexime të faqeve, krerëve, librave të rinj. Horizonte të reja leximi, horizonte të reja mendimi, zenite të reja veprimi.

Një mijë punime të tjera, të bëra nga një nënë tjetër, u bashkohen shënim-faqeve: fletë dhe lule, që nënat i vinin në djepe për foshnja, ngjyrime të mbledhura nga copëzat e pëlhurave, nga leckat, për të dhënë të qeshura, me të cilat foshnjat ndrisnin shtëpitë modeste. “Populli është një rezervuar i pafajësisë”, thoshte shkrimtari zviceran Ramuz. Askush më shumë se pafajësia e fëmijëve, cicërima e jetës, nuk mund të shoqërojë shënim-faqet për të lexuar mendime e ngjyrime të reja, ylber i mendimit pas shiut, lot i natyrës, ndjenjë e tokës.

“Është dëm kur miqtë kërkohen në largësi e armiqtë në fqinjësi”, kam lexuar diku. Kur miqtë kërkohen në largësi e në afërsi, e armiqtë askund, urtësia, në largësi e afërsi, kapërcen kufijtë për t’u bërë pjesë e familjes së saj, që e ka vetëm një gjuhë: njerëzimin.

“Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta në mesin tuaj!” – tha Skënderbeu, kur arriti në Krujën e liruar nga pushtimi. Ky libër, në mesin tuaj, në urtësinë tuaj mendore, le t’ju shoqërojë me një moment refleksioni në këtë kohën tonë, ku reflekset e ndryshimeve të shpejta hijezojnë refleksionet e veprimeve njerëzore.

Duar të praruara bënë këto tre mijë punime. Duar të praruara të nënës sime thurën edhe jetën time, qëndisën dashurinë në mua për fjalë të urta, me urtësi, me gjuhën e nënës sime, njerëzore.