“Prointegra” nis serinë ansambleve me ”Rugovën” e lahutës e të pushkës

Me Ansamblin Folklorik Autokton “Rugova”, përmes fotografive origjinale, po e fillojmë prezantimin e 52 ansambleve shqiptare, që çdo të shtune tua ofrojmë një nga grupet tona artistike, qoftë në mërgatë apo trojet etnike.-  AFK “Rugova” për më se shtatë dekada ruajti me shumë dashuri e xhelozi vallet, veshjet dhe instrumentet autoktone, duke përfaqësuar Kosovën denjësisht e triumfalisht edhe në shumë festivale ndërkombëtare 

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Nga ky fillim viti, apo fillimi i këtij vikendi portali ynë prointegra.ch, nis serinë e prezantimit të grupeve artistike, duke filluar sot me Ansamblin Folklorik Autokton “Rugova”, që tashmë ka shkel në 73 vjetorin e themelimit, që në fakt edhe paraqet ansamblin më të vjetër folklorik të Kosovës: Ansambël ky, që stoikisht e vertikalisht qëndroi në skenë për më tepër se shtatë dekada , duke e përfaqësuar Kosovën në manifestime e festivale kombëtare e ndërkombëtare dhe çdo herë duke u kthyer nga to me trofe e mirënjohje të veçanta.

Këngë, valle, veshje e instrumente origjinale

Këtë ansambël, unik si për nga jetëgjatësia e themelimit ashtu edhe për nga raportuari që përherë ka në skenë: këngën, vallen dhe veshjen origjinale , që e përcjellin brezat e këtij ansambli që në tërë përmbajtjen është autokton, madje edhe në lojëra tradicionale që i kultivon dhe zhvillon në vet trevën e Rugovës. Pata fatin që ta përcjelli dhe prezantoj me tekst e me foto, por edhe me një dashuri e pasion, si në lojërat tradicionale të Gushtit në Rugovë, ashtu edhe në Festivalin  “Rapsha” në afërsi të Tuzit në Malësinë e Madhe e në fillim të këtij viti edhe në Uster të Kantonit të Cyrihut. Dhe çdo herë kam pa sesi loja e artistëve të këtij ansambli ngrit në këmbë qindra spektatorë, që përherë i duartrokasin këtyre ruguvasëve që këngën e kënduar në shpatinat e tyre e bartën edhe në metropolet më të mëdha të Evropës dhe jashtë saj.

Valltarë që lartësuan Kosovën në dekada në botë

Do theksuar se përmes këtij ansambli kanë defilua me shumë sukses valltarë dhe instrumentistë të shquar rugovas, duke e ngrit edhe më tej si këngën ashtu edh vet lahutën si një nga instrumentet më të hershme folkolorike shqiptare. Ndërsa që edhe sot ky ansambël në gjirin e tij ka artiste dhe artistë të shquar, e që udhëhiqet nga artisti i pasionuar i valles rugovase, Vesel Nikçi.

Një kryetar energjik që përherë nderon paraardhësit

Vet kryetari Vesel Nikçi, gjatë përvjetorit të 73-të patë shënua këta rreshta:Duam të kujtojmë përmes një dokumentari të shkurtër gjithë ata që punuan dhe kontribuuan duke ngrit imazhin shqiptar kudo në botë e që na bënë të ndihemi krenar dhe me mburrje lartësojmë punën e themeluesit Ramë K. NIKÇI me shokët Ramë Elezi, nana Lake, Halil Faslia, Ramë Idrizi, Gjyle Hamzja e shumë burra e burrëresha të cilët ishin ambasadorë të prezantimit kulturës se lashtë të etnoregjionit Rugovës. Urime juve gjenerata e re e pasluftës qe me punë vetëmohuese keni mishëruar me sukses traditën e gjyshërve dhe stërgjyshërve që vetëm vitin e kaluar, i keni sjellë Ansamblit dhe Rugovës shumë çmime të para dhe mirënjohje. Uroi të kremtoni 101 vjetorin . Vesel Nikçi,” ,

Një trashëgimi e ruajtur nga brezi në brez

Me këtë rast shkëputa gjithashtu edhe disa fragmente nga një intervistë e më hershme e z. Nikqit, në cilësinë e kryetarit të Ansambli Folklorik Autokton “Rugova” , i cili ndër të tjera ka deklaruar se: “Ansambli folklorik autokton “Rugova” brez pas brezi ka ruajtur vallet, këngët, veshjet, të tjera pjesë të traditës rugovase. Për më se shtatë dekada vallet e veshjet janë ruajtur ashtu siç janë trashëguar, që e bën të veçantë Ansamblin.

Pjesë e ansamblit ndër vite mbi 500 solistë

Nikçi më tej tregon se :  “Deri më tani pjesë e Ansamblit kanë qenë mbi 500 solistë, nëpër gjithë këto vite. Kemi pasur 1000 takime kulturore, mbi 30 festivale, lokale dhe botërore, prej tyre 15 medalje të arta, 16 të argjendi, 35 të bronzta dhe shumë diploma, mirënjohje që e pasurojnë komplet ansamblin ‘Rugova’”, ka thënë Vesel Nikqi. Ai shprehet se “Rugova” promovon vlerat përmes takimeve të ndryshme kulturore, festivaleve, manifestimeve. “Po ndikojmë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, të asaj që është autoktone sepse vallet tona nuk i ka prekur koreografia, as veshjet nuk janë bërë nga kostumografët”, ka treguar Nikqi, sipas të cilit veshja e burrave është ruajtur më shumë se e ajo e grave. “Rajoni ynë përmes Ansambli i ruan veprat më origjinale.”.

Një autoktoni rugovase pa improvizime

Ai shton gjithashtu se: “Të gjitha mjetet me të cilat luhet dhe vallëzohet, të gjitha janë origjinale, nuk ka improvizime, kjo e ka bërë atë specifikën të Ansamblit tonë. Nuk ka koreografi, nuk ka përpunime,  janë ato që janë trashëguar brez pas brezi”, ka treguar ai për Ansamblin. Me shënimin e 69-vjetorit ka filluar përgatitjet për 70-vjetorin e themelimit të ansamblit. “Është një trashëgimi që është e vështirë të ruhet, prandaj shteti duhet të investojë se është rrezik të humbet”, ka thënë më tej Vesel Nikçi, të cilit me këtë rast edhe nga pozita ime prej një miku gazetari, por edhe dashamiri të këtij ansambli, i uroj si z. Nikqi ashtu edhe të gjithë anëtarëve për këtë përvjetor, me dëshirën që përvjetorët tjerë të shënohen në kushte edhe më të mira e mbi të gjithë:  brezat e ri të jenë pasardhës të denjë të gjyshërve e stërgjyshërve edhe si këngëtarë e edhe si valltarë me instrumentistë.

(Me këtë rast po postoj fotot e mija origjinale, të shkrepura në Rugovë, Pejë, Tuz e Uster të Cyrihut )