Shkruan: Etrita Abdullahu nga Nju Jorku, ish nxënëse e Ahmet Brahimajt
Shumë njerëz paskan thur fjalë për ty profesor, po se di pse unë kam mbet pa fjalë këtu. Jam ulur po i lexoj të gjitha ato kujtime që njerëzit i paskan pas me ty, po qaj e unë nuk po di nga me ia fillua .
Unë mora vesh pak më vonë për humbjen tënde. Këtu në Amerikë këto lajme na vijnë më vonë. Sapo hapa sytë lajmi për ty ishte gjëja e parë që lexova edhe urova shumë më qenë thjesht një makth, po doli të jetë makth realiteti.
Të kam dashtë shumë profesor, ke qenë si babë i dytë edhe për mua si për të gjithë balerinët e tjerë. Të kam respektua aq shumë, të kam adhurua aq shumë si njeri, ke qenë dhe mbetesh frymëzim i madh. Kam dashtë shumë me të pa edhe njëherë, besomë që shumë shpesh e kam mendua ditën kur të kthehem prap në Kosovë e kam me ardh me të pa prap.
Të gjithë e dinë që këpucët e baletit neve nuk na zgjasin shumë, isha akoma nxënëse e jotja dhe më ishin grisur këpucët po po prisja të griseshin edhe pak, para se të blejë një palë të reja, pa e ditur se ti e kishe vënë re. Erdhe një ditë në mëngjes në sallë, m’i lëshove në dorë një palë këpucë të reja, më the merri se t’u kanë prish shumë ato. Ke pas 30 balerinë edhe shumë nxënës të tjerë po ke dit me menduar për secilin prej nesh veçanërisht.
Ke qenë vizionarë po shumë modest.
Faleminderit për çdo këshillë, për gjithçka që ke bërë për ne. Jemi me fat që të kemi njohur e që ke qenë pjesë e jona. Falë teje Kosova ka balet, ka një trupë, faleminderit që i ke lënë pasardhës baletit në Kosovë.
Ngushëllime familjes tënde të dashur, ngushëllime familjes së Baletit Kombëtar të Kosovës e të gjithë atyre që të kanë njohur, ia ke pasuruar jetën secilit që të ka njohtë.
E lidhur duarkryq nga një dhomë në New York, në pamundësi për të ta sjellë as edhe një lule, me një dhimbje shumë të madhe po të them lamtumirë profesor deri sa të takohemi prap një ditë.
E di që një ditë kur të kthehem në teatër, do të gjej aty. Ke lënë gjurmë që nga shkallët, skena, bufeja e çdo cep i atij teatri e madje edhe njerëzit e tij. Je gjithandej… Je brenda secilit prej nesh.
( Fotot nga Rexhep Rifati, përndryshe komshiu i parë në Ferizaj i balerinës Etrita Abdullahu , që tash gjendet në specializim në Nju Jork )





























