Prof. Dr. Vaxhid Sejdiu: Gjuha e frymëzimeve atdhetare

«Mos harromi gluhën»: Një ditë feste, mësimi dhe kujtese në qytezën arbëreshe të Fermës (Firmo)

Shkruan: Vaxhid Sejdiu

Fermë (Kalabri) më, 30 maj 2025

Në kuadër të projektit ndërkulturor e arsimor “Mos harromi gluhën”, i organizuar nga Qendra Albanologjike e themeluar nga At Bellusci, nxënësit e “Shkollës Shqipe” në diasporën e Zvicrës zhvilluan një vizitë didaktike dhe kulturore në qytezën arbëreshe të Fermës (Fermë/Firmo), në jug të Italisë.

Nën drejtimin e mësuesit të shkollës, z. Vaxhid Sejdiu, mësueseve Qefsere Sejdiu dhe Minire Azemi si dhe gazetarit Rexhep Rifati, z. Tommaso Ferrari, hartuesi dhe koordinatori i programit, së bashku të tërë u pritën në mënyrë të veçantë nga organizatorët.   

 

Një pritje me dashuri dhe krenari

Që në orën 9:30 të mëngjesit, atmosfera në Firmo ishte e gjallë si për një festë popullore. Në oborrin e shkollës lokale, nxënësit arbëreshë të shoqëruar nga prindërit dhe mësuesit, të veshur me kostume tradicionale shumëngjyrëshe, mirëpritën bashkëmoshatarët nga Zvicra. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të pushtetit vendor, me në krye kryetarin e bashkisë z. Giuseppe Bosco, i cili përshëndeti delegacionin dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit gjuhësor dhe kulturor.

Takimi i parë u zhvillua në ambientet e shkollës, ku nxënësit arbëreshë na rrëfyen në arbërishten  lashtë, na treguan klasat, laboratorët, punimet artistike dhe krijuan menjëherë ura komunikimi me nxënësit shqiptarë të diasporës. Gjuha shqipe – ndonëse në dy variante – u bë lidhja e natyrshme mes dy botëve që ndajnë rrënjë të përbashkëta.

Firmo një qytezë me histori dhe shpirt shqiptar

Megjithëse në Fermë nuk funksionon ende një klasë e posaçme për mësimin e arbërishtes, gjuha mbahet gjallë përmes familjes, komunitetit dhe vetëdijes kulturore. Megjithatë, të gjithë shprehen me shqetësim për rrezikun e asimilimit dhe për shpopullimin e vazhdueshëm të qytezës – një realitet që i kërcënon rrënjët arbërore  dhe të shumë vendbanimeve të tjera arbëreshe  në Itali.

Nxënësit e diasporës mësuan se Firmo ndodhet në rrafshinën e Sibarisë, pranë përroit Tiro, në një pozitë piktoreske që shtrihet midis maleve të Pollinos dhe qyteteve të tjera arbëreshe si Aquaformosa, San Basile, Ungra dhe përballë Spezzano Albanese. Firmo ndahet në dy pjesë: Firmo Sottano (e poshtme) dhe Firmo Soprano (e sipërme), të cilat përmenden për herë të parë që në fund të shekullit XV, me vendosjen e familjeve të para arbëreshe në këto toka.

Nxënësit vizituan edhe muzeun etnografik “Ka kallogjrat”, ku përmes rrëfimeve të fëmijëve të shkollës lokale mësuan për jetën tradicionale, veglat bujqësore dhe veshjet karakteristike arbëreshe. E veçanta e këtij muzeu ishte mënyra spontane e rrëfimit nga vetë nxënësit, të cilët e bëjnë kulturën e tyre të ndjehej si e gjallë dhe e prekshme.

Tradita, krenari dhe shije nga historia

Në shkollë, vizitorët u pritën nga znj. Adeline Aiello – themeluese e shoqatës aktive “Progetto Donna” – e cila iu dhuroi pjesëmarrësve një libër mbi figurën e Nicola Tarsia, personalitet i rëndësishëm arbëresh dhe Eliza Pellegrini, pjesë e stafit të administratës, e cila i shoqëroi nxënësit në ambientet e shkollës dhe ndau me ta histori mbi trashëgiminë kulinare të qytezës, duke përmendur në mënyrë të veçantë ëmbëlsirën tradicionale Mostacciolo, që përgatitet për dasma. Kjo ëmbëlsirë me dy pëllumba simbolikë, në mënyrë lozonjare përcjell një zakon që lidhet me fatin e drejtimit të familjes – zakonisht “i takon gruas”, falë një hileje të ëmbël të amviseve.

Grupi vizitoi edhe bustin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut, dhuruar nga shqiptarët e Lushnjës, që gjendet në një nga sheshet e qytezës – një tjetër dëshmi e lidhjeve të forta mes Shqipërisë dhe arbëreshëve.

Mbyllje me këngë, dhurata dhe shumë emocion

Në përfundim të vizitës, z. Vaxhid Sejdiu, drejtues i shkollës së diasporës në Zvicër, u nderua me një mirënjohje nga komuna e Fermës për kontributin dhe angazhimin e tij në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në diasporë.

Nxënësit kënduan, kërcyen dhe festuan së bashku, në një atmosferë që përtej didaktikës, ishte një festë e rrallë ndjeshmërie, përkatësie dhe dashurie ndaj një gjuhe që nuk mund të lejohet të harrohet.

Rrugëtimi kulturor dhe didaktik do të vijojë me ndalesa në qyteza të tjera arbëreshe si Shën Vasili dhe Frasnitë duke përçuar të njëjtin mesazh që u bë moto e këtij udhëtimi: “Mos harromi gluhën”.