Pritje në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bernë, në 111 vjetorin e Pavarësisë

 

Mbrëmë në qendrën Kongresszentrum “Alestro” në Bernë, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në shtetin helvetik, Shkëlqesia e tij z. Mustafa Nano organizoi një pritje për nderë të 111 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, ku merrnin pjesë diplomatë shtetesh të akredituar në Bernë, shoqata mike Zvicër-Shqipëri dhe mërgimtarë që përfaqësonin organizime të ndryshme në Zvicër, por edhe personalitete të shquara shqiptare nga fusha të ndryshme me arritje të veçanta në Zvicër. Krahas ambasadorëve të disa vendeve e përfaqësuesve të tjerë diplomatik, të pranishëm ishin edhe dy ambasadorët tjerë shqiptarë: Z. Sami Ukelli , Ambasador i Republikës së Kosovës në Bernë dhe Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut Z. Rexhep Demiri.

Teksti: Rexhep Rifati & fotot Afrim Nevzadi

Pas intonimit të hymnit kombëtar dhe atij të shtetit zviceran (kënduar nga një artiste e pranishme) në një ambient tejet solemn e festiv, Ambasadori i ri i Shqipërisë z. Mustafa Nano, i veshur me kostume kombëtare të jugut shqiptar, në anglishte përshëndeti të gjithë të pranishmit me falënderimin për pjesëmarrjen e tyre në këtë festë  gjithëshqiptare. Ai po ashtu i bëri një vështrim edhe marrëdhënieve të mira tradicionale midis dy vendeve duke e vu në pah edhe rolin e diasporës sonë në afrimin e dy popujve dhe të dy vendeve. Me këtë rast shkëputëm ca fragmente nga faqja elektronike e ambasadës, meqë rast është dhënë versioni në shqip fjalës së mbrëmshme e Ambasadorit të RSH-së në Bernë, z.Mustafa Nano:

“Të nderuar miq, Zonja e zotërinj,

Ju me siguri prisni që unë të mbaj një fjalë në stilin e njohur diplomatik, dmth që t’ju tregoj se punët në Shqipëri po shkojnë shumë mirë, se Shqipëria po luan një rol shumë pozitiv e konstruktiv në Ballkan, se marrëdhëniet tona me Zvicrën janë të shkëlqyera, etj, etj. Por në të vërtetë fjala ime do jetë disi ndryshe, dhe mënyra se si jam veshur është një sinjal i qartë për këtë gjë.

Dua t’ju them disa fjalë për veshjen kombëtare shqiptare, i bindur se kjo është një mënyrë e mirë për të nderuar ditën që po festojmë, ditën e pavarësisë së Shqipërisë.

Çfarë kam veshur sonte, është e jugut, prej nga vij unë vetë, Por mund të ishte e çdo treve tjetër shqiptare. Më besoni se, kur vendosa të vishesha me një kostum kombëtar, nuk dija cilin të zgjidhja më parë. Kostumet shqiptare janë të llojeve të ndryshme, dhe njëri është më i bukur se tjetri. Kostumografia tradicionale shqiptare është kaq e pasur dhe e begatë sa të vjen natyrshëm të mendosh se shqiptarët kanë qenë gjithë kohën në garë me sho-shoqin kush e kush të krijonte kostumin më të bukur. Të vjen të mendosh gjithashtu se e gjithë bota shqiptare ka qenë në shekuj një atelie gjigande që u ka paraprirë atelieve të kohëve moderne, Dolce & Gabbana, Versace, Cristian Dior, etj, etj. Po e teproj? Nuk mendoj se po e teproj. Ja ku i keni para syve. Pastaj, unë kam edhe “dëshmi historike”, të cilat më japin të drejtë në pretendimin tim.

Kur europianët i drejtuan sytë nga Ballkani dhe zunë të shkelnin atyre anëve (në fillim të shekullit XIX, të cytur e tërhequr prej revolucionit grek), ata ranë në kontakt me shqiptarët, gjithashtu. Dhe vunë re më së shumti dy gjëra.

Së pari – dhe në këtë pikë, më lejoni të bëj një parantezë të shkurtër – ata e gjetën Shqipërinë të ngjashme me Zvicrën. Ne sot mund të çuditemi nga kjo paralele, por atëbotë ishin të shumtë evropianët që patën ngasjen për ta përshkruar Shqipërinë si një Zvicër të Ballkanit apo si një Zvicër të së ardhshmes. Pati edhe zviceranë që e gjetën me vend këtë krahasim. Eugene Pittard, konsulli i nderit i Shqipërisë në Gjenevë në vitet 1920 e vizitoi disa herë Shqipërinë, dhe ngjashmërinë nuk e reduktonte vetëm te malet e te malësorët, por edhe te zakonet, mendësitë e stili i jetës. Unë e di, ky krahasim është disi i pakuptueshëm për ne të sotshmit. Si zor të gjesh sot ndonjë njeri që e bën Shqipërinë një me Zvicrën. Lëri të tjerat, por vetë shqiptarët kanë bërë pak, ose aspak, për ta justifikuar e bërë me kuptim çiftimin Zvicër-Shqipëri që dy shekuj më herët. Dhe me këtë, po e mbyll parantezën.

Më pastaj Nano potencoi se: Një shqiptari të madh me emrin Faik Konica duhet t’i ketë mbetur në mendje veprimi i Alexandre Dumas-it. Në vitin 1913, në SHBA, ai shkoi në një ballo të organizuar nga ambasada austro hungareze i veshur me kostumin etnik të jugut të Shqipërisë. Por për Konicën gjërat nuk shkuan ashtu si shkuan për Dumas-in. Asnjë grua nuk iu vardis atë mbrëmje (Ju lutem, nuk dua të lindë ndonjë keqkuptim; unë vetë nuk jam veshur shqiptarçe për t’i marrë mendjen ndonjë gruaje; plani im është tjetër; unë jam në përpjekje të vazhdueshme për t’u fituar zemrën bashkatdhetarëve, të cilët m’i njohin të gjitha llojet e kredencialeve, por jo ato patriotike; me këtë show, ndoshta i bëj që të ndryshojnë mendim për mua). Asnjë grua pra nuk iu vardis Konicës atë mbrëmje…

Dhe këtu po e mbyll këtë parantezë të dytë. Këtu po mbyll edhe fjalën time. Duke shtuar një dolli për ju që na keni nderuar me praninë tuaj në festën tonë, me një dolli për Zvicrën, këtë vend të mrekullueshëm, vendin më të bukur të botës (pas Shqipërisë, kuptohet), e me një dolli për ditën e pavarësisë së vendit tim”.

Ishte kjo një mbrëmje jo vetëm festive por shumë e afërte dhe miqësore, pavarësisht se nga vinin diplomatët apo mërgimtarët tanë, që kishin ardhur edhe nga pikat më të largëta për të kremtuar festën e tyre kombëtare në një “copë Shqipëri”  në shtetin mik helvetik.

Me këtë rast ambasadorit Mustafa Nano, në cilësinë edhe të kolegut prej gazetari në emër të redaksisë së portalit tonë : prointegra.ch, i dhurova librin tim mbi arbëreshët.