Prishtina bashkon 28 universitete në sportin e hendbollit

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se nga data 11 deri më 17 korrik, FISU -Kupa Botërore Universitare në Hendboll 2022 do të organizohet në kryeqytetin e Kosovës. Prishtina me këtë rast do të jetë kryeqendra e mbledhjes së studentëve nga pjesë të ndryshme të botës. Gara për titullin më të mirë të hendbollit universitar planifikon të përfshijë 28 universitete me 500 sportistë dhe përfaqësues të fushës së sportit nga e gjithë bota.

Historia e hendbollit në Kosovë fillon që nga viti 1948 me krijimin e skuadrave të para të hendbollit në këto qytete: Gjakovë, Pejë, Mitrovicë dhe Prishtinë. Viti 1991 shënon pavarësimin e hendbollit në Kosovë. Kosova gjithashtu më 2019 u klasifikua për herë të parë në ‘World Junior Championship’ në këtë sport, kurse këtë vit bëhet qendra e ngjarjes së njohur sportive në hendboll.