Premiera botërore e filmit «Ninullë» me skenar dhe regjit të Adrian Asllanit, do të jetë këtë të shtunë më 16.09.2023 në ora 17:00 në Kino Armata në Prishtinë në kuadër të PriFest – Prishtina International Film Festival.
Hyrja është falas.
Për lexuesit e Prointegra.ch kemi zgjedh dy kritika të cilat po i botojmë në vijim:
Jelldez Asani: “Ninullë” – Film i metrazhit të shkurtër me përmasa universale
Jelldëz Asani, profesoreshë e Historisë së artit në Universitetin e Tetovës dhe në Universitetin “Hasan Prishtina”, në Prishtinë.
Balada e Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe) “Erlkönig”, e shkruar në vitin 1782, ka frymëzuar skenaristë të shumtë të kinematografisë dhe teatrit botëror për të shfaqur para publikut një dimension njerëzor universal: ankthin!
Në poemën e Gëtes, gjatë një nate me rrebesh, një kalorës me një fëmijë të sëmurë në krahë (babai me të birin) kalërojnë mes për mes një pylli kënetor. Në bazë të besëtytnive, në vendet kënetore shfaqen qenie misterioze qëllimkëqija që e shpijnë njeriun drejt vdekjes. Gjatë kalërimit, fëmijës i shfaqet qenia misterioze për të cilin babai tenton ta bindë se janë halucinacione për shkak të frikës së shkaktuar nga “sëmundja”.
Qenia misterioze është gjithnjë e më pranishme në vizionin e fëmijës, me zërin që e fton ta shoqërojë në pallatin e tij, ndërkaq babai përpiqet t’i jep shpjegime racionale për zërat që dëgjon fëmija, si rezultat i shushurimës së gjetheve…
Në një rrugëtim ku terri të pamundëson të shihet qartë, qeniet njerëzore kalërojnë me tërë paragjykimet e trashëguara për çdo gjë, madje edhe për qenie misterioze…
Me një shqetësim të madh dhe i kapluar nga ankthi për të shpëtuar “fëmijën e vet”, babai shpejton drejt kasolles! Por nuk arrin me kohë! Fëmija vdes në krahët e tij!
Ka interpretime të shumta të baladës së Gëtes. Mirëpo më duket interesant të nxjerr në pah një aspekt që lidhet me kontekstin ku vendoset ngjarja e rrëfyer (pyll moçalor) dhe ethet “malarike” që kaplojnë fëmijën. A thua kemi të bëjmë me ankthin që kaplon njeriun në momente kyçe të jetës së vet, ku gjatë rrugëtimit të vështirë për të arritur pjekurinë si qenie njerëzore, duhet, në mënyrë të pashmangshme, të luftojë me aspektet fëmijërore që ka brenda vetes, me tërë paragjykimet e trashëguara… Sidoqoftë fundi i baladës dihet!
***
Falë një miku, m’u dha rasti të shoh filmin “Ninullë”, i realizuar në muajin shkurt të vitit 2023, me skenar dhe regji të Adrian Asllanit.
U befasova me imagjinatën e jashtëzakonshme të këtij të riu, i cili ka përzgjedhur poemën e Gëtes për ta vënë në një kontekst tepër origjinal.
Në dallim nga personazhi i baladës që kalëron me fëmijën në krah drejt kasolles, nëpër shushurima gjethesh, personazhi i filmit “Ninullë”, një mjeshtër kukullash, (rol i luajtur për mrekulli nga Avni Dalipi), ndodhet në “kasolle”, me fëmijën e “sëmurë” (të luajtur shkëlqyeshëm nga Lis Kamberi), ku zhurmat që “ushqejnë frikën” u vijnë nga jashtë (përplasje dyersh)!
Sa i përket elementeve kinematografike, ky film veçohet nga ndriçimi i theksuar dhe hijet e rënda, të realizuara mjeshtërisht, ku heshtja, si mjet dramaturgjik, merr një vlerë të veçantë. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një rrëfim që prapa tipareve “babë e bir”, ka zbuluar dhimbjen e shpirtit njerëzor, duke depërtuar në dramaticitetin e vërtetë të jetës.
Nuk e di nëse është lufta e brendshme e njeriut drejt rrugëtimit për të arritur shkallën e pjekurisë, apo faktorë të tjerë të jashtëm që e rrethojnë me ankth personazhin e këtij filmi të metrazhit të shkurtë, por atë që mund të them si historiane e artit, ka të bëjë me një fakt të pamohueshëm: Adrian Asllani ka krijuar një interpretim artistik tepër origjinal të një balade që jeton në kulturën europiane qe dy shekuj e gjysmë! Ka arritur që në një film të metrazhit të shkurtër të shpalos vlera të përmasave universale! Meriton vetëm lëvdata! (facebook.com)
Mbresë shikimi
Arian Krasniqi: NINULLA E MBRETIT TË ZI
(Arian Krasniqi është Dramaturg/Skenarist i njohur, profesor i skenarit në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.)
Të rralla janë rastet, kur filmi i parë debutues, i metrazhit të shkurtër artistik, realizohet deri në ato përmasa artistike sa të të lë mbresa të pashlyeshme. Një i tillë rast, është filmi “Ninullë” (2023), me skenar dhe regji të filmbërësit të ri, me shkollim dhe banim në Zvicër, Adrian Asllani.
Duke qenë se më kishte rastisur ta lexoja dhe t’ia komentoja paraprakisht autorit draftin e skenarit, në momentin e shikimit të filmit, e para çështje, që më bëri përshtypje, ishte përpikmëria në “leximin vizual” të skenarit. Pra, regjisori Asllani me saktësi, thuajse matematikore, ka zbërthyer skenarin e tij, deri në detaje, në aspektin vizual. Ai e ka krijuar fotografinë qysh në skenar. Gati secili kuadër filmik, ashtu siç është përshkruar në detaje, ashtu edhe është realizuar në imazherinë filmike. Kjo flet për të menduarit kreativ vizual të autorit të filmit.
Filmin “Ninullë” do e veçoja për dy elemente thelbësore karakteristike: për autenticitetin dhe kreativitetin e konceptimit dhe trajtimit të idesë dhe temës, si dhe për atmosferën dhe ndjesinë unike, që na e jep ky film.
Regjisori Asllani, trajton një temë, në duke të parë individuale, por me potencial rrezatimi universal. Raporti Atë-Bir, në këtë film, shpëfaqet përmes disa dimensioneve të raporteve, në të tashmen dhe në të kaluarën e personazheve, në kujtesën emocionale, por edhe në “sëmundjen” e zjarrmishme të Djalit (Lis Kamberi), i cili jeton ndërjmet dy botëve; asaj reale dhe asaj halucinante. Babi (Avni Dalipi) është vetë Mbreti i Zi, makthi dhe jetëvdekja e Djalit. Ky raport, falë edhe lojës së sofistikuar aktoriale të Dalipit, arrin të zhvillohet e përvetësohet, deri në thellësitë me të mëdha emocionale dhe psikologjike. Zjarrmia që e ka Djali, konceptualisht, projektohet si e dykuptueshme, edhe si sëmundje e etheve edhe si frikë e makth prej Mbreti i Zi, që i vjen për vizitë befasishëm. Prandaj, në këtë raport personazhësh, harku emocional, zhvillohet e përmbyllet me një transformim të dukshëm e të shumashëm të personazhit kryesor.
Qasja regjisoriale e Asllanit, në këtë film, ëshshtë interesante, sepse ndërtohet mbi një premisë kreative të realizimit të filmit, në të gjithë komponentët e vet, rrëfim i plotë, i saktë dhe kontinual me fotografi, punë më aktorë, kompozicion të fotografisë që, herë-herë, filmit i jep tone të veçanta dhe të identifikueshme zhanrore (trillerit). Një punë të vyeshme dhe për lavdatë këtu ka edhe drejtori i fotografisë, Petrit Ukëhajdaraj. Pra, ky film përshkohet fund e krye nga një atmosferë, që shikuesin e mban në tension të vazhdueshëm dhe kureshtje të pashkëputur. Element interesant, në krijimin e atmosferës së filmit, është edhe gjetja e ambientit, ku ndodh ngjarja, në një shtëpi, që për nga pamja, përfshirë këtu edhe ndriçimin, vetëm me kandilë, ta krijon ndjesinë e një kohe të largët, në të cilën supozohet se ndodh ngjarja.
Këtu dhe me këtë rast, kontribut ka dhënë edhe skenografia dhe rekuizitat, e realizuara nga Mentor Berisha, për ta plotësuar ambientin në proporcion me kohën, në të cilën ndodh ngjarja në film.
Për aq sa ne, si shikues, mund ta përjetojmë këtë realizim filmik, si në aspekt të përmbajtjes (stories), por edhe aspekteve artistike dhe estetike, lehtësisht mund të krijojmë bindjen e pamohueshme që botës së filmit shqiptar po i shtohet edhe një artist premtues, i cili ka afinitet e dell krijues për të shfaqur botërisht ndjeshmërinë e tij për artin kinematografik dhe për të rrëfyer ngjarje e histori të veçanta përmes fotografisë lëvizëse, përkatësisht përmes filmit.
Mirë se vjen në botën e filmit Adrian! (facebook.com)