Prend BUZHALA: JETA E PËRJETUAR SI REALITET HUMORISTIK E SATIRIK

(Ismet Krasniq: komedia “Kryetar e jo mahi”, Prishtinë 2022) Ismet Krasniqi, duke e ribotuar komedinë satirike “Kryetar, e jo mahi”, dëshiron ta përcjellë edhe një mesazh të posaçëm drejtuar kësaj kohe: se as humori e as satira nuk shuhen në këtë kohë zhurmash, kohë digjitale që ka përdhosë pothuajse secilën vlerë. Ai nuk heq dorë nga prirjet e e tij të kryehershme për humorin, satirën, të qeshurën, lojën skenike, apo për veprimtaritë tjera audio-vizuale, në të cilat regjistrohen loja humorisitke e satirike.

Nga Prend Buzhala

Sado që ky tekst është luajtur më 2003, dhe sado që është përfshirë te vëllimi !Qesh e qaj jetën tonë” (botoi Klubi i Shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë 2005), ai dëshiron të na thotë se as realiteti i sotëm nuk ka ndryshuar ndjeshëm nga ai i djeshmi; dhe ky realitet shoqëror ende mund të vështrohet e përjetohet si realitet humoristik e si realitet satirik. 1. Autor e aktor i pandashëm nga zhanret humoristike e satirike Kjo do të thotë që ky autor dhe aktor jeton i pandashëm me këto dy zhanre letrare, skenike, filmike dhe audio-vizuale. Dhe jo vetëm në këto forma të shkrimit dhe lojës. Pa i përmendur këtu rolet e shumta në shfaqjet teatrore a nëpër filma e xhirime tjera, shikuesit do t’i mbeten gjatë në kujtesë roli i kryetarit në komedinë “Kryetar e jo mahi”, roli i Doktor “Trashullakut” në dramën “Droga vret, sida nuk fal!”, roli i Samhauinit në dramën “Lugetërit e Shekspirit” e deri te roli i “Kërkuesit të eshtrave” në monodramën “Obelisku pa adresë”, etj. nëpër skenat e Kosovës, Shqipërisë, malit të Zi e jashtë (Prishtinë, Gjilan, Kamenicë, Ferizaj, Lipjan, Suharekë, Malishevë, Kijevë, Prizren, Gjakovë, Deçan, Pejë, Istog, Gurakoc, Skenderaj, Drenas, Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë, Tiranë, Vlorë, Sarandë, Tepelenë, Lezhë, Shkodër, Vau Dejes, Tuz-Malësi e Madhe, Rozhajë, Gjermani në Berlin, Shwainfurt, Erllangen, Wusburg në maj 1988, në Slloveni: Lublanë, Maribor, Cele mars 1991, në Kroaci: Zagreb, mars 1991, Sisak, korrik 1983, Beograd (Umçar, janar 1980), Kosova Lindore: Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, pastaj nëpër Maqedoni, si në Strugë etj. Duke qenë themelues i Teatrit Amator “Osman R. Gashi”, Ismeti futi në traditën e kësaj trupe pjesë të ndryshme skenike, Show programe, humor, parodi humoristike, komedi, pjesë teatrale për fëmijë, orë letrare, Garat e recituesve etj. Kjo trupë e shfaqi komedinë “Qaj e qesh jetën tonë”. Ismet Krasniqit në dhjetor të vitit 2004 u shfaq pjesën skenike “Droga vret, sida nuk fal!” Te ky zhanër dhe rolet e luajtura, do përmendur edhe shfaqjet e tekstet autoriale “Mbreti i Rrugës”, “Zemra në kornizë”, “ Lindja e Luftëtarit” etj. Në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” në Vushtrri e organizuar nga NGO “ ARS QENDRA” këtu trupa e teatrit të Klinës u paraqit me Komedinë “Lindi dielli praroj hana” teksti dhe regjia Ismet Krasniqi, kurse tek tekstet e autorëve tjerë, dallohen shfaqjet Prej çiftelisë deri te repi shqipar” i Avni Idrizit, “” Lugetërit e Shekspirit” i Judey Mcpherson, “Studenti ilegal” i Esat Deharit, “Gjyshi im është kuller” i Vlora Zhutaj – Gashit, “Rrëshqitëza” e Muharrem Shahiqit e shumë të tjera. Ismet Krasniqi është pjesëmarrës edhe në disa projekte xhirimesh me përmbajtje humoristike, si në projektin “Cim taxisti 1 e 2” me regjisorët Nexhmi Mehmeti e Enis Limani, pastaj në projektin e “Studio Gashit” Klinë, program i Vitit të Ri ” Pak më ndryshe- Gëzuar 2007″, në ato të viteve 2008-2016 etj. Po ashtu ka marrë pjesë në filmat e metrazhit të shkurtë si në filmin “Flamuri” dhe “Detyrat e shtëpisë” te regjisori Alban Gashi, pastaj në filmin “Përbindëshi” të regjisorit Arsim Halili, në serialin e Adem Mikollovcit “Policët I e II”, ndërsa me pjesën skenike “Gjithmonë qofshim të bashkuar” Ismet Krasniqi e Igballe Qena morën pjesë në Festivalin e Lezhës në nëntor të vitit 2001. Në kujtesë mbetet seriali televiziv “ Cimerat”- i shfaqur në RTV 21 (2006-2010), në të cilin ai mori nofkën lala dhe me këtë emër e njeh publiku i të gjitha moshave. 2. Sfondi humoristiko-satirik i veprës Te komedia “Kryetar, e jo mahi”, vihen përballë mendësitë, veprimet e fryma e së vjetrës nën petkun e demokracisë e të votës së lirë; premtimet boshe karshi halleve, papunësisë e gjendjes së pa lakmueshme sociale e familjare. Madje, kjo përplasje komikesatirike, zhvishet krejtësisht në replikën e personazhit kryesor të kësaj komedie, kryetarit: “Populli ka me ba lum që i kam ra hise unë, të jeni të bindur se populli ka me hëngër lakna në mandatin tim, ndërsa ne që jemi zgjedhë nga vota ë popullit bashkë me ndërkombëtarët do të hamë mish, kështu që mesatarja e ushqimit në Kosovë del se populli po ha sarmë, tërë bota do t`na ketë lakmi… pastaj arsimtarëve do t’ua zvogëlojmë rrogat e do t’ua rrisim rrogat përkthyesve të ndërkombëtarëve se ata janë shteti i Kosovës në miniaturë. GAZETARI: Po krimin si do ta ndalni ? KRYETARI: Së pari do ta ndaloj importimin e drogës, njerëzit po kanë vështirësi për ta sjellë prej së jashtmi, po është rrugë me plot rreziqe, jo policia e turkut, e bugarit, e maqedonit, besa edhe në kufi tonin i kanë pru grekët, s`ke mundësi me kalue, tereni më i sigurt na ka mbetë Serbia permes veriut të Kosovës. Për këtë arsye do ta urdhëroj popullin që drogën ta mbjellin në tokat e tyre, fushore e malore. E për sorten e farës që do ta sjellim, populli mos të brengoset se do ta sigurojë mafia shqiptaro- ndërkombëtare….” etj. Së këndejmi, vihet në pah jo vetëm disfata etike e personazhit dhe tradhtia e tij morale; po edhe përplasja në mes paaftësisë morale karshi aftësisë për të sunduar, theksohen dobësitë, veset, veçoritë negative të protagonistit komik, me pretendimin demagogjik për t’u paraqitur figurë e rëndësishme atdhetare dhe shoqërore. Duke i trajtuar kotësitë primitive të kësaj shoqërie, besëtytnitë si mjete të zgjidhjes së fatit të njeriut apo të problemeve familjare, nga njëra anë, si dhe të trajtimit të problemeve të rëndësishme shoqërore, nga ana tjetër; procedimori i tillë letrar e shfrytëzon mjeshtërisht gërshetimin e këtyre dy anëve. Ndërsa në planin tematike-humoristike shquhen veprimet qesharake, gjestet e replikat që zgjojnë gaz, karshi demaskimit të degjenerimit të përgjithshëm moral e politik të shoqërisë sonë të mbas luftës. 3. Struktura e veprës. shtresimi tekstual dyplanësh E strukturuar në pesë pamje, kjo komedi i shqipton dy nivele tekstesh: didaskalitë (tekstet në kursiv që përshkruajnë me pak fjalë atë që bëjnë e veprojnë personazhet e komedisë: tekstet e tilla vihen në kllapa, para tekstit të folur a dialogut e monologut, su udhëzime për aktorët e teatrit, si sitëm tekstual notacionesh); dhe dialogu komik që krijon karakterin e personazhin komik, replikën qesharake e thumbuese, shënjimet e dukurive negative etj. që të dy këto nivele tekstesh thurin situatën komike interesante: Pamja e parë përgatit “lajmin e madh” midis dy grave fqinje (ardhjen e një kryetari “të zgjedhur” e ku emancipimi në familje ka ngecur përballë proklamimit të demokracisë); pamja e dytë tashmë e nxjerr për fushë qëndrimin e prapambetur për gratë të kryetarit të zgjedhur; ndërkohë që në skenë dalin vajza e djali që kanë nevojat e veta e ato i injoron babai i tyre; pamja e tretë zhvillohet në kafene ku “ i zgjedhuri” jep intervistë për media, me premtimet “parajsore” e që shfaqin karakterin abuziv, kriminal, të patologjisë sociale; pamja e katërt vazhdon në kafene, i rrethuar me kameriere e femra, e ku ka një përplasje familjare publike me gruan e tij; dhe pamja e pestë jep skenat komike aq edhe satirike të një mbledhjeje të kryetarit me stafin e tij e ku përplasen interesat e shtresave të ndryshme sociale me ato të klasës politike e të abuzuesve tjerë të pronës shoqërore. Ashtu sikundër vërehet, humori shndërrohet në satirë dhe satira në kritikë që prek majtas e djathtas, me thumbimet që godasin situatat aq të dukshme ndër ne. Skenat flasin hapur për problemet shoqërore, familjare e njerëzore. Autori njeh mirë sjelljet, veprimet e gjuhën e personazheve, prandaj në tekste ka edhe një diferencim ligjërimor: tekstet didaskalike shkruhen në drejtshkrimin e shqipes, kurse replikat e dialogët, të shumtën paraqiten sipas të folurës lokale e nëndialektore. Kësisoj, nëpërmes diskursit të tillë humoristik, qesharak e satirik, me mprehtësi e përtallje, dënohen e fshikullohen fenomenet, dukuritë e gjërat e gabuara. Aty nuk ka lëvdatë, por goditje, shpesh kritika të ashpra në strukturat drejtuese shoqërore. Së këndejmi, personazhi i kryetarit, me arrogancën e tij, shndërrohet në personazh grotesk 9godet me shuplakë publikisht vartësit e tij, kurse gabimisht ai i bie shuplakë edhe mysafirit të ftuar nga jashtë). Komedia e tillë satirike na e përcjell, pra, mesazhin e fortë: se ndaj kritikës së tillë nuk është imun askush, e nëse ka të tillë që nuk e duan kritikën, autori veç sa e vë në spikamë: atëherë shoqëria e tillë është e paqytetëruar, ku paragjykimet e primitivizmi nuk mënjanohen, por marrin vrull, për të zënë karrigen që të dhuron pushtet! Duke thurë në këtë mënyrë tekstin e tij, autori nuk e denigron as fyen dikë të veçantë, por dukurinë si të tillë, me mashtrimet në kurriz të qytetarëve e me dështimet që nuk kanë të sosur. Nga ana tjetër, qëllimi i tekstit, ashtu edhe i shfaqjes që u dha para afro dy dekadash, është inkurajimi i qytetarëve, i vetë publikut, gjithsesi edhe i lexuesve. Është teksti ai që nxit për ta vënë në veprim trurin e qytetarëve në mënyrë kritike. Dhe këtij qëllimi sa artistik, humoristik e kritik, aq edhe fisnik, autori e aktori ia arrijnë në nivelin e shkallën që kërkohet. Dhe, mbi të gjitha, ta nxisë të qeshurën që çliron dhe shëron! 4. Poetika: kërkimi i shtigjeve drejt të vërtetës Sado që mund të krijohet bindja që letërsia humoristike e satirike nuk vlerësohen si letërsi serioze dhe e një rëndësie të veçantë, megjithatë poetika e zhanreve të tilla e dëshmon të kundërtën, sidomos me kërkimin e shtigjeve tematike drejt së vërtetës. Në epokën kaq të zhvilluar digjitale, sikur jemi dëshmitarë të shkatërrimit të vlerave etike, njerëzore, shoqërore e universale. Është kjo një epokë ku nuk vlerësohen dija e intelekti, apo ndershmëria, por krejtësisht e kundërta, siç janë arroganca pushtetore, paragjykimet e primitivizmi, keqpërdorimi, mashtrimi, gënjeshtra e marrëzia njerëzore. S’ka më respekt e harmoni! Ka përfitues lufte, siç janë luftëtarët e rrejshëm (sipas një replike të kësaj komedie), ka hipokrizi, ka korrupsion, krim të organizuar (personazhi flet hapur për ndihmën nga mafia ndërkombëtare për mbjelljen e farës së drogës). Por te kjo vepër ka edhe përballje sociale, siç janë hallet e njerëzve të thjeshtë për ta pasur një shtëpi banimi qoftë edhe në podiumin e ndërtesës komunale, kundruall atyre që uzurpojnë apo përfitojnë me mashtrime. Këto halle nuk janë për të qeshur, por për të qarë! Është autori ai që di ta çelë shtegun më të mirë përmes replikës komike e satirike. Veprat e tilla, prandaj, janë një ilaç i mirë për shoqërinë. Kurse vetë autori, kësisoj, është një opozitë e mirë ndaj të gjithëve, edhe ndaj vendorëve e ndaj të huajve, edhe ndaj atyre me pushtet e pa pushtet. E, megjithatë, gjithçka ndodh në mënyrë komike. Komike janë tesktet e didaskalive, komikë janë edhe dialogët e replikat e personazheve, komike janë situatat. Fjalia, si ajo e didaskalive, ashtu edhe ajo e dialogut, jepet në kërkim të fjalëve qesharake e veprimeve qesharake, gjestin si të tillë, argëtuese, me thashethemnajën e njohur të realitetit të përditshëm, gjithnjë mbi bazën e një kontrasti të gjetur. E qeshura prodhohet pa vështirësi, gjithnjë në kontekstin e situatës. Sado që kjo vepër të duket se është e shkurtër, megjithatë ajo është sintezë e segmenteve të realitetit, spikatje e të kundërtave në ngjarjet e tipizuara që krijojnë mbresën komike.