Në Bregdiell
Në një qoshk kafeneje
Pranë një xhami paksa të avulluar
Afër rrugës ku vetëm semaforët
Ndalin herë makinat
Herë kalimtarët
Për t’u dhënë (v)izë për t’u nisë
Në këtë pasdite dimri
Të hirtë e të mërrolltë
Nga pjesa lartë
E kornizës së alumintë
Më ra në qafë
Një bulëz uji
Si dikur në qendër të kryeqendrës
Një glasë sorre erërëndë
Që e fshiva disi me faculetën
Që ma dhuroi njeriu-kalimtar
Eh kujtim i mjegullt
Eh kujtim si libër i rrallë
I vrullshëm, i dhimbshëm, i stuhishëm
E dikush ta dhuron një copë çokolatë
Kthehem tash këtu
Në këtë muzg
Që na nxjerr nga kafeneja
Në këtë copë Prishtine
Që duket se ka ruajtur
Njëfarë normaliteti
Dhe për ca çaste
Duke ecur
Na duket vetja se jemi më vetvete
Për një çast
Ca ndërtesa fasadë kuqrremtë
Rreth dritareve e me shiritë të bardhë
Duken si qilima artizanal