Poezi: Llapi im

Llapi im

Nga Arif Ejupi, Gjenevë,13 nëntor 2025

(Poezi kushtuar lumit të qëndresës)

Llapi im i rrëmujës e i bujës,
gjumin ta kanë trazuar epokat,
por ti rrjedhën s’e ke ndalur ndër shekuj.

Shumëherë u lave në gjak
nga pashallarë e agallarë, nga krajla e çetnikë,
por çdoherë qëndrove i pathyeshëm e fisnik.

Nuk e ndërrove rrjedhën,
qëndrove aty ku të krijoi Perëndia,
i pastër si biluri, e më i fortë se guri.

Llapi im,
lumë që nuk shuhet,
tokë që nuk dorëzohet,
emër që nuk harrohet.