“Plisat” e Dübendorfit, përfaqësuan shqiptarët në manifestimin e Cyrihut

Të shtunën e kaluar në mesin e dhjetë trupave artistike me prejardhje të huaj, që defiluan me program në Schwamendigen të Cyrihut ishte edhe Shoqata Shqiptare “Plisat”, me 25 pjesëmarrës, që u paraqitën me një tufë vallesh të veshur me kostume kombëtare

Nga Rexhep Rifati  

Tashmë është bërë zakon, nga pala zvicerane, që zakonisht gjatë manifestimeve tradicionale, të organizuara në anë të ndryshme të qytetit apo edhe të kantonit, që të ftohen pjesëmarrës edhe nga radhët e shqiptarëve, si njëri ndër komunitetet më të mëdha nga radhët e të huajve në këtë kanton.

Kështu, të shtunën e kaluar më 18 Maj 2019, në manifestimin tradicional që u mbajt një lokalitetin Schwamendigen të Cyrihut, si pjesëmarrës ishte ftuar edhe Shoqata Shqiptare “Plisat”, nga Dübendorfi , që udhëhiqen Mexhid Morina. Kësaj radhe ishin 25 valltarë (nga 40 anëtarë sa ka kjo trup artistike),  të shoqëruar nga prindërit e tyre.

Pjesëmarrja e grupit artistik shqiptar me lojën e treguar me instrumente tradicionale shqiptare, kostume popullore dhe simbole kombëtare e shtetërore la një përshtypje të mirë tek qindra pjesëmarrës që përcollën këtë manifestim tradicional pranveror, ku pati dhjetë grupe me prejardhje nga vendet e ndryshme që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, e që po ashtu shfaqën një pjesë të kulturës së vendeve të tyre të prejardhjes.

“Plisat” u pritën me shumë përzemërsi jo vetëm nga shqiptarët, por edhe vetë vendasit dhe pjesëtaret e komuniteteve të tjera qoftë, si pjesë e programit apo edhe si shikues. Vallet e bukura shqipe, të luajtura me një shije nga artistët e talentuar të “Plisave”, që ishin si pjesë e fundit e programit, bënë që shumë nga pjesëmarrësit ti bashkohen valleve të tyre deri në orët e vona.

Përndryshe Shoqata Shqiptare “Plisat”, që numëron mbi 40 anëtarë, përbëhet kryesisht nga grupi i valleve të moshave të ndryshme, ndërsa që siç u pa edhe në këtë prezantim të fundit në Cyrih, tashmë ka avancuar edhe me cilësinë e një programi tejet simpatik, ndërsa që kryetari e anëtarësie e edhe prindërit janë ata që përkujdesen për kompletimin e shoqatës si me kostume ashtu edhe instrumente, plotësisht në baza vullnetare, me qëllim që ti kontribuojnë jo vetëm kultivimit por edhe afirmimit të kulturës shqiptare në meset e ndryshme zvicerane, siç ishte edhe pjesëmarrja e fundit në këtë manifestim tradicional në Schwamendigen të Cyrihut.