Përurimi i librit në Frasnitë, një festë përkujtimore për At Antonio  Belushin

 

 Mbrëmja e dytë e qëndrimit në Kalabri u shndërrua në një festë të vërtetë. Nikoqirë arbëreshë dhe shqiptarë të ardhur nga mërgata e nga viset shqiptare, të gëzuar e solemnë në veshje, u drejtuan kah shkolla “Ernesto Koliqi” në Frasnitë/Frascineto. Salla e madhe, e mbushur përplot, gumëzhinte nga hareja dhe emocionet. Komuna e Frasnitës, me kryetarin e saj Angelo Catapano, nën kujdesin e prof. Caterina Adducci, drejtoreshë e kulturës, kishte organizuar përurimin e librit të lënë në dorëshkrim nga At AntonioBelushi, “Epopea e Arbërisë”.

Teksti: Shqipe Bytyqi & fotot Rexhep Rifati

Në mesin e të ftuarve ishin autoritete të larta, përfaqësues te ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, përfaqësues të institucioneve më të larta të botës arbëreshe, studiues, hulumtues e njohës të mirë të trashëgimisë arbëreshe si: Damiano Guagliardi, prof. Francesco Marchianò, Maria Antonietta Rimoli, Fransesco Perri, Gennaro de Cicco, prof. Agostino Giordano, Michele Greco e shumë të tjerë, si dhe përfaqësues të kishës, z. Gabriele, z. Carlomagno si dhe qytetarë te Frasnitës dhe shqiptarë të shumtë të mërgatës. Eventin e hapi prof. Caterina Adducci, përgjegjëse për kulturën pranë Bashkisë së Frasnitës dhe moderatore e aktivitetit. Ajo përshëndeti të pranishmit dhe foli për librin që At Anton Belushi kishte lënë ne dorëshkrim.

Nën përkujdesjen e Komunës së Frasnitës, ajo kishte bërë redaktimin dhe ishte kujdesur për botimin e tij. Libri përmbledh shkrime e kujtime të At Anton Belushit me mbi 400 autorë, miq, shokë dhe njohës të tij gjatë jetës. Një vepër me domethënie të veçantë, pasi është edhe libri i fundit i tij.

Kryetari i komunës, Angelo Catapano, falënderoi Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës (LKSHM) për idenë dhe realizimin e projektit të vendosjes së shtatores së At Anton Belushit, dhuratë e madhe për Frasnitën dhe gjithë botën arbëreshe. Ai e cilësoi At Anton Belushin si një personalitet të madh, që e bëri të njohur Frasnitën përtej kufijve. Sipas tij, asnjë tjetër arbëresh nuk kishte arritur këtë. Belushi nuk mbeti vetëm prift dhe studiues i Frasnitës, por u bë figurë e Kosovës, e Shqipërisë dhe e komuniteteve arbëreshe të Italisë e Greqisë. Më pas përshëndeti përfaqësuesja e Ambasadës së Kosovës në Itali, këshilltarja Rudina Bukoshi, si edhe Giuseppe Graziano, këshilltar i Rajonit të Kalabrisë, i cili foli për jetën e At Anton Belushit si prift dhe njeri i penës, duke përmendur edhe ligjin 432/99 qe mbron gjuhën arbëreshe, por ende nuk është futur në kurrikulat shkollore. Të ftuar ishin edhe dy priftërinj: Carlomagno dhe Gabriele Otvos, të cilët theksuan rolin e kishës dhe kontributin e At Anton Belushit në liturgjinë arbëreshe. Në një moment prekës foli edhe Tommaso Belushi, vëllai i At Anton Belushit, i cili në arbërisht i dha sallës emocion të veçantë.

Fjalën e morën studiues si prof. dr. Isak Shema, i cili evokoi kujtime nga bashkëpunimi shumëvjeçar me At Anton Belushin, që nga seminaret e hershëm në Prishtinë. Po ashtu, kryetari i LKSHM, Musa Jupolli ose figura intelektuale e shoqatës dhe sekretari i saj, motori organizativ Mentor Thaqi folën për rolin e tij si figurë që lidhi botën arbëreshe me atë shqiptare. Poetesha dhe aktivistja Shqipe Bytyqi, përveç tjerash, theksoi mesazhin se mërgata e re duhet të mësojë shumë nga arbëreshët, sidomos dashurinë për gjuhën amtare. Drejtoresha e Qendrës Albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, znj. Ornela Radovicka, një emër i përkushtuar, modeste në fjalë, por e madhe në punë, dha një fjalë rasti. Një grua dhe profesioniste e rrallë e cila qëndroi tridhjetë e pesë vjet në krah të Belushit me studime, shkrime dhe vizita arbëresheve gjithandej.

Momente të veçanta ishin edhe ndarja e mirënjohjes për gazetarin Rexhep Rifati nga kryetari Catapano. Një mirënjohje për njeriun që mbolli në zemrat, jo vetëm të mërgatës shqiptare aq shumë dashuri për arbëreshët dhe me shumë zell, dekada të tëra u angazhua në projekte të ndryshme për ta. Komuna e Frasnitës ndau mirënjohje edhe për LKSHM si ideatore dhe realizuese e ngritjes së shtatores së At Anton Belushit, si dhe për artistin duarartë Gëzim Muriqi, autor i shtatores.

Nga ana tjetër, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë nderoi me çmim mirënjohjeje: Komunën e Frasnitës, Dr. Caterina Adducci, gazetarin Rexhep Rifati dhe Dr. Ornela Radovicka. Salla e madhe, e mbushur me shqiptarë dhe arbëreshë , vëllezër të një gjaku u bë një vatër e përbashkët dashurie dhe nderimi për një njeri të madh: priftin, shkrimtarin, studiuesin dhe veprimtarin me përmasa rilindëse. Pusho në paqen e pasosur, At Belushi!

(Shqipe Bytyqi, shtator 2025)