Për nder të lindjes së kompozitorit Çesk Zadesë më 8 qershor, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, së bashku me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nderuan jetën dhe trashëgimin e tij. Pjesë e këtij aktiviteti ishte botimi monografik ‚Çesk Zadeja në muzikën shqiptare‘, i hartuar nga nxënësi i profesorit Vasil Tola.
Akdemiku Mehmet Kraja, njëherësh Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës përfundoi fjalimin e tij duke thënë:
‚Derisa për ju në Shqipëri vepra e Zadesë ishte muzikë me vlera të qëndrueshme, për ne në Kosovë muzika e Çesk Zadesë ishte identitet‘.
Çesk Zadeja lindi më 8 qershor të vitit 1927 në Shkodër, kurse vdiq më 15 gusht 1997 në Romë. Ai njihet si babai i muzikës shqiptare. Kompozimet e tij më të njohura janë: ‚Suita e veriut‘ , ‚Suitë korale‘ , ‚Rapsodi për violinë‘ etj. Jeta dhe veprimtaria e Zadesë do të mbetet përherë e lidhur ngushtë me historinë e muzikës shqiptare.
























